Charlotte Kreuter-Kirchhof Charlotte Kreuter-Kirchhof

Papa Françesku: një grua, zv.koordinatore e Këshillit për Ekonominë

Charlotte Kreuter-Kirchhof u zgjodh nga Papa si zëvendëse e kardinalit Marks në “Ministrinë e Financave të Vatikanit”. Jeffrey Sachs, ekspert i ndryshimeve klimatike, hyn në Akademinë Papnore të Shkencave Shoqërore

R.SH. - Vatikan

Një grua bëhet “zëvendësministre” e financave të Vatikanit. Charlote Kreuter-Kirchhof, anëtare e Këshillit për Ekonominë, u emërua sot nga Papa Françesku si zëvendës koordinatore e tij. Këshilli ka 15 anëtarë e koordinohet nga kardinali Reinhard Marx. Kreuter Kirchhof u bë anëtare e tij në gusht 2020. I përbërë nga 8 kardinaj dhe 7 laikë, Këshilli zuri faqet e para të mediave, pasi 6 nga 7 anëtarët e rinj laikë janë, faktikisht, gra.

Charlote Kreuter-Kirchhof, katolike e impenjuar në Kishë

         Lindur në vitin 1970, katolike, e martuar me tre fëmijë dhe anëtare zëvendësuese e Gjykatës Kushtetuese për Shtetin e Rhein-Vestfalisë së Veriut, Kruter-Kirchhof ka pasur role të ndryshme në Kishë. Aktualisht, ajo është këshilltare e nënkomisionit të “Grave në Kishë dhe në Shoqëri” në Komisionin Baritor të Konferencës së Ipeshkvijve Gjermanë dhe presidente e Shoqatës Hildegardis për promovimin e Studimeve Femërore në Gjermani. Emërimi i saj zyrtarizohet, në një përkim të bukur, në ditën kur presidenti gjerman Steinmeier po viziton Vatikanin.

Jeffrey Sachs, anëtar i Akademisë Papnore të Shkencave Shoqërore

         Ndër emërimet e Papa Françeskut, edhe ai i Jeffrey Sachs si anëtar i Akademisë Papnore të Shkencave Shoqërore. Ekonomisti amerikan, ekspert i ndryshimeve klimatike, ka marrë pjesë në disa takime në Shtëpinë Piu IV, në Vatikan, dhe konsiderohet si një lloj “guru” i vërtetë për çështjet mjedisore. Tani, hyrja e tij zyrtare në Akademi hedh bazat për një bashkëpunim afatgjatë me Vatikanin.

25 tetor 2021, 16:40