Historianë e ekspertë në konfrontim mbi origjinën e Kishës në dy shekujt e parë

"Hulumtime mbi historinë e shekujve të parë të Kishës", kёshtu titullohet konferenca që hapet më 27 tetor në Vatikan. At Ardura: duke pranuar ftesën e Papёs Françeskut, do tё ndjekim një qasje historiografike të hapur ndaj kontributeve të historianëve me prejardhje të ndryshme, fetare dhe kulturore.

R.SH. - Vatikan

Me njё vёshtrim ndaj sё kaluarёs për të shqyrtuar zhvillimin e krishterimit jo vetëm në rajonet e Mesdheut. Pikërisht me këtë këndvështrim hapet në Vatikan një konferencë e organizuar mё 27, 28 e 29 tetor, e cila në titull tregon edhe metodën: “Hulumtime mbi historinë e shekujve të parë të Kishës”. Metoda është në fakt ajo e një kёrkimi historik, i cili synon të mbledhë dhe të ekzaminojë elemente, madje edhe ato divergjente, në dritën e njohurive të reja të kohëve të fundit.

“Nuk do të arrijmë në konkluzione të caktuara, të cilat janë të nevojshme, por duam t’u japim hapësirë ​​studiuesve që kanë njohuri në disiplina të ndryshme”. Kështu u shpreh At Bernard Ardura, kryetar i Komitetit Papnor për Shkencat Historike, gjatё prezantimit, dje në zyrën e shtypit të Vatikanit, tё konferencës ndërkombëtare të organizuar në bashkëpunim me Universitetin Katolik të Lionit në Vatikan, pranë Institutit Maria Santissima Bambino, nga data 27 deri më 29 tetor, mbi temën: "Hulumtime mbi historinë e shekujt e parё të Kishës".

“Papa Françesku më tha një herë: ‘Duhet të punosh me të tjerët’, domethënë jo vetëm me instancat brenda kishës, por veçanërisht me historianët që u përkasin kulturave dhe feve të ndryshme”, tha At Bernard Ardura, duke kujtuar se për sa i përket historiografisë. të dy shekujve të parë të krishterimit “ka dy modele: i pari shumë i famshëm, ai i Eusebit të Cezaresë, i cili e jeton Kishën e kohës së tij dhe e vendos atë në të kaluarën, sikur të kishte qenë gjithmonë siç e di ai. Është sikur sot të themi se Kisha e hershme ishte ajo e shekullit të 21-të. Është e qartë, megjithatë, se ka pasur një zhvillim”.

Pikëpamja tjetër është ajo protestante: “Për Luterin, që nga themelimi i Kishës ka pasur një degradim progresiv deri në Reformën protestante. Për këtë ai dëshiron të zhveshë Kishën nga gjithçka që i duket e shtuar ", si pesë nga shtatë sakramentet. “Ka një vizion të historisë së Kishës që nuk mund të anashkalojë faktin se Kisha në të cilën ne besojmë është e ndihmuar nga prania e Shpirti Shenjt”, theksoi At Ardura, duke cituar kardinalin Henry Newman, i cili pёrvijoi një teori të zhvillimit të brendshëm e harmonik të Kishës.

“Duam të kthehemi në shekujt e parë, kryesisht në dy shekujt e parë të historisë së krishterimit”, përfundoi at Ardura: “Duam të kemi një qasje të hapur historiografike: Ati i Shenjtë Bergoglio kërkon që t’i mirëpresim të gjithë ata që studiojnë seriozisht historinë dhe shkencat ndihmëse të historisë. Takimi që hapet nesër do të jetë një hulumtim, një punё kërkimore studimore së cilёs  do t’i kushtojmё shumë rëndёsi, do tё jetё pra edhe njё sfidё".

26 tetor 2021, 14:05