Fondazione Centesimus Annus Fondazione Centesimus Annus

Centesimus Annus, një konferencë mbi "pandemitë" e padrejtësisë, luftën dhe varfërinë

Fitues tё Çmimit Nobel dhe shkencëtarë në dialog në Vatikan me ministra, ipeshkvij e kardinaj, më 21 e 22 tetor, mbi temën "solidariteti, bashkëpunimi dhe përgjegjësia", si "antidota" kundër pabarazive në botë. Presidentja e fondacionit Centesimus Annus Pro Pontifice Anna Maria Tarantola: "Papa Françesku na fton të ndërtojmë një botë të re përmes një procesi të rigjenerimit".

R.SH. - Vatikan

Kujdesi pёr botën që po del nga pandemia duke ndjekur një busull: Laudato si ', Fratelli Tutti dhe Caritas in Veritate. Tre enciklikat papnore mund të jenë si një udhëzues në rrugën drejt daljes nga shumë pandemi botёrore si: varfëria, padrejtësia, pabarazia dhe luftërat.

Komuniteti në të cilin jetojmё mund të bëhet më i drejtë, duke u bёrё ballë emergjencave shëndetësore, ekologjike dhe shoqёroro-ekonomike, e duke u ndërgjegjësuar plotësisht, në të gjitha nivelet, për nevojën e rrënjosjes sё veprimeve tona në vlerat e solidaritetit, bashkëpunimit dhe tё ndjenjës së përgjegjësisë. Këto tema do të jenë në qendër të punimeve dhe reflektimeve tё konferencës ndërkombëtare që do të mbahet në Sallën e Sinodit të Ri, në Vatikan, nga data 21 deri më 22 tetor. Ngjarja organizohet nga Fondacioni Centesimus Annus Pro Pontifice, gati tridhjetë vjet pas themelimit të fondacionit (5 qershor 1993), dhe do t'i kushtohet "Solidaritetit, bashkëpunimit dhe përgjegjësisë: antidotat për të luftuar padrejtësitë, pabarazitë dhe mёnjanimet".

Një deklaratë zyrtare për shtyp shpjegon se do të jenë tre ditë gjatë të cilave - në vitin që Papa Françesku ia kushton enciklikave ‘Laudato sì’ dhe ‘Fratelli Tutti’ - pjesëmarrësit do të reflektojnë dhe bisedojnë mbi vlerat qё përmbajnë këto dy enciklika së bashku me ‘Caritas in Veritate’  tё Benedikti XVI. Është fjala për tekste që "së bashku përfaqësojnë vazhdimësinë e Doktrinës Shoqёrore të Kishës gjatë historisë dhe ofrojnë një çelës për t’u bёrё ballë pasojave negative të Covid-19 dhe tё shumë pandemive të tjera që prekin planetin tonë si: varfëria, padrejtësia, pabarazia, luftërat".

Enciklikat papnore janё "akoma aktuale" sepse, për fat të keq pandemia e koronavirusit vuri nё pah faktin qё, tridhjetë vjet pas ‘Centesimus Annus’ (1 maj 1991), dymbëdhjetë vjet pas ‘Caritas in Veritate’ (29 qershor 2009) dhe gjashtë vjet pas ‘Laudato Sì’, situata boteërore nuk ka ndryshuar, por gjërat në shumë fusha janë përkeqësuar edhe mё tej.

 “Papa Françesku na fton të mos kthehemi në të kaluarën, por të ndërtojmë një botë të re përmes një procesi rigjenerimi. Një rigjenerim që duhet të fillojë me personin nё qendёr tё vёmendjes, me sjellje të përgjegjshme të orientuara drejt së mirës së përbashkët dhe të udhëhequra nga solidariteti, bamirësia dhe e vërteta ”, nënvizon Presidentja e Fondacionit Centesimus Annus, Anna Maria Tarantola.

"Ne duhet të shikojmë modelin e ri të biznesit që na ka treguar Papa Françesku - thekson akoma Presidentja -. Një kompani e ndërgjegjshme ka  përgjegjësitë e saj ndaj të gjithëve si dhe ndaj mjedisit, prodhon të ardhura me ndikim pozitiv për territorin dhe për njerëzit që ndërveprojnë me kompaninë, duke krijuar, kështu, punë dhe njohuri të larmishme, e duke ndihmuar luftimin e varfërive”.

18 tetor 2021, 19:30