Shenja shprese
R.SH. - Vatikan
Pjekuria e fesë dhe tundimi mrekullistik. Reflektim, ndërmjet magjisterit e letërsisë, në editoralin e Andrea Mondës, ndër faqet e L’Osservatore Romano
Nga Andrea Monda
“Ju më kërkoni, jo pse patë shenja, por pse hëngrët e u ngopët”. Fjala e Zotit është vërtet e gjallë dhe vepruese. Më e mprehtë, se çdo shpatë me dy teha. Përshkon aq, sa e ndan frymën dhe shpirtin, gjymtyrët dhe palcin, shqyrton ndjenjat e dëshirat e zemrës (Heb 4, 12) e na vë përballë një udhëkryqi, përballë shenjave nga njëra anë - e nga ana tjetër, bukës, që na pëlqen më shumë se shenjat: nga njëra anë verbëria e shenjave, nga ana tjetër, uria për sendet e prekshme, që mund të shihen, të hahen.
Të dielën e kaluar, gjatë Engjëllit të Tënzot, Papa vërejti se njerëzit, për të cilët flet fragmenti ungjillor, e panë shumëzimin e bukëve, e jetuan, por nuk e kuptuan plotësisht: u ndaluan vetëm tek ana e jashtme e mrekullisë, pa depërtuar në aspektin shpirtëror të ngjarjes së mrekullueshme. Kjo fe është e cekët, i nënshtrohet “tundimit idhujtar”. Fe që, sipas Papës, kërkon mrekullinë. Kërkon Zotin, për të shuar urinë e pastaj, kur e shuan, e harron fare. Në qendër të kësaj feje aguridhe nuk është Zoti, janë nevojat tona!
Mbi këtë “papjekuri” mbështetet Tunduesi që në zanafillë: kur i fton Adamin dhe Evën “ta hanë gjithçka” u krijua, ta konsumojnë menjëherë, e me fund, duke harruar se është shenjë e mirësisë së Zotit (madje duke e shikuar me dyshim këtë shenjë), e kështu bën më pas edhe me Jezusin, duke e sfiduar t’i kthejë gurët në bukë. Rezultati i këtyre tundimeve po, duket qartë: humbja e lirisë, e mirëbesimit bijnor në Zotin e, prej këndej, edhe humbja e vetë dinjitetit, tipik për krijesën njerëzore. E po këtë e kujton Inkuizitori i Madh, në faqet e librit të Dostojevskit, kur i thotë Jezusit që kthehet në Sevilje, në vitet ‘500: “Janë tri, forcat që mund t’ia heqin lirinë njeriut: mrekullia, misteri e autoriteti”. E tmerrshme, ta vësh në dyshim mrekullinë! Jo rastësisht Ungjilli i Gjonit i quan “mrekullitë” me një fjalë tjetër: “shenja”. Bota është universi i shenjave e i simboleve, që duhen shqyrtuar mirë, nëse duam të hyjmë në botën e kuptimeve të tyre të dyta, të treta...
E gjithë kjo shprehet mrekullisht nga polaku Czeslaw Milosz, në poezinë “Shqisa”, kur flet për anën mbrapme të botës, për “astarin” e saj, që fshihet “pas një zogu, pas malit, pas perëndimit”, e aty gjendet domethënia e vërtetë, për t’u lexuar. E kur ta kemi lexuar, do të ndodhë që…:
“Çka ishte e papajtueshme, do të pajtohet
e do të kuptohet krejt e pakuptueshmja”.
Por deri sa të jemi gjallë do të rrezikohemi të mos kuptojmë gjë prej gjëje e të rrojnë gjithnjë të zhytur në dyshim. Duke përsëritur me zë e pa zë, pyetjet:
Po nëse nuk ka astar?
Nëse mullibardha mbi degë nuk është aspak shenjë,
po është vetëm zog që luan me fletë?
E nëse dita dhe nata,
shndërrohen pa pikën e kuptimit?
E nëse s’ka tjetër gjë mbi tokë
Veç një grusht dhe?
Dyshime, që mund të shndërrohen në dëshpërim - vëren poeti në lirikën e titulluar “Shpresa”:
“Shumëkush thotë se syri të gënjen,
e se pas dukjes, nuk ka asgjë tjetër!
E pikërisht këta nuk kanë asnjë pikë shprese,
sepse gjithçka u duket krejt e vjetër.
Kujtojnë se të gjitha sendet
janë krejtësisht të kota,
e se ndokush kur zhduket
me të zhduket gjithë bota.
E zhduket dhe njeriu
i plakur qoftë, a i rritur,
nga duar hajduti
si të ishte grabitur”
Fjala e Zotit është, atëhere, si “mburojë”, që të mëson ta mundësh tundimin për t’iu dorëzuar ligështisë e të nxit të shpresosh sepse, shkruan Milosz:
“Për atë që beson,
toka s’është ëndërr,
po trup i gjallë
E pamja, prekja e dëgjimi,
nuk janë aspak përrallë,
E të gjitha sendet,
që njihen përmi dhe
janë porsi kopsht,
krijuar veç për ne”