Kërko

Selia e Shenjtë: ta ndihmojmë Libanin që të mos fundoset më thellë

Nënsekretari për Marrëdhëniet me Shtetet, imzot Miroslaw Wachowski, mori pjesë, me një videomesazh, në Konferencën e organizuar nga Franca dhe Kombet e Bashkuara, një vit pas shpërthimit, që rrënoi portin e Beirutit: “T’u krijojmë libanezëve mundësitë për një ardhmëri më të mirë, pa ndërhyrje” - kërkoi prelati.

R. SH. - Vatikan

Përdori fjalën “fundosje”, imzot Miroslaw Wachowski, Zëvendës-sekretar për Marrëdhëniet me Shtetet, në fjalimin mbajtur në Konferencën ndërkombëtare kushtuar Libanit, tronditur nga një krizë e rëndë shoqërore-ekonomike e politike. Që prej dymbëdhjetë muajsh vendi detyrohet të llogarisë pasojat e shpërthimit të tmerrshëm në portin e Beirutit, gjatë të cilit gjetën vdekjen 200 vetë e u plagosen 6 mijë të tjerë. Wachowski përdor të njëjtin term, që pati përdorur Papa Françesku në mesazhin përfundimtar të Ditës së lutjes e të reflektimit, më 1 korrikun e kaluar, me liderët fetarë të Libanit, kur e ftoi bashkësinë ndërkombëtare të ndërhyjë që, pati theksuar, “vendi të mos fundoset më tej, por të nisë udhën e rilindjes”.

Françesku: për rilindjen e Libanit, bota duhet të bëjë gjeste konkrete

E pikërisht ky është urimi i parë i Selisë së Shenjtë - pohoi Prelati, duke marrë fjalën në konferencë përmes videomesazhit - “Selia e Shenjtë uron që ky takim, duke e ndihmuar ekonomikisht vendin, të krijojë kushtet që Libani të mos fundoset më tej, por të nisë rimëkëmbjen, për të mirën e të gjithëve.

Të mblidhen 350 milionë dollarë për popullsinë

Objektivi i Konferencës, që u mbajt dje, nga ora 12 deri në 15.30, në Paris, ishte të mblidheshin për Libanin – akoma pa qeveri e i kapur nga ajo, që vëzhgues të ndryshëm e quajnë kriza më e rëndë në historinë e vendit - shifrën 350 milionë dollarë, përmes donacioneve edhe investimeve, për t’iu përgjigjur nevojave të reja të popullsisë, që tani po vuan edhe për mungesë ilaçesh. Dje, menjëherë pas audiencës së përgjithshme, Papa, në Sallën e Palit VI, uroi që Konferenca të sjellë “frytet e dëshiruara”. Edhe sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, ia njohu, përmes një tweet-i guximin popullit libanez, duke kujtuar edhe  se këto janë çastet më të përshtatshme që të dëshmohet solidariteti e të mbështeten përpjekjet e këtij populli trim për të ndërtuar së bashku ardhmërinë.

Shpërthimi në Beirut, “tragjedi e re”

Në fjalën e tij video, imzoti Wachowski falënderoi presidentin francez, Emmanuel Macron, si dhe sekretarin e OKB-së, Antonio Guterres për promovimin e kësaj nisme. E falënderoi edhe bashkësinë ndërkombëtare, që u aktivizua qysh në fillim për ta ndihmuar popullsinë e Beirutit, të dëmtuar rëndë nga kjo tragjedi, që mbolli vdekje e gërmadha:

“Selia e Shenjtë dhe Agjencitë humanitare të Kishës katolike  dhanë një ndihmesë të ndjeshme për rindërtimin - pohoi nënsekretari vatikanas për Marrëdhëniet me Shtetet, duke rikutjuar shqetësimin e thellë  të Papës për vendin e Kedrave”.

Libani, mesazh universal i paqes

Libani është komb i madh, me përvojën e pashoqe të jetës së përbashkët, konsoliduar në rrjedhë shekujsh, e edhe për këtë arsye nuk duhet lënë në mëshirën e fatit, e as në dorë të rrjeteve të atyre, që shikojnë veç interesat e veta - pohoi imzot Wachowski. “Libani është diçka më shumë se vend, është mesazh universal i paqes dhe i vëllazërimit, që  i drejtohet botës nga Lindja e Mesme- siç e ka kujtuar edhe Papa Françesku e, para tij, Gjon Pali II. Ndaj është themelore që Libani ta vijojë këtë thirrje  specifike”. Por që kjo të bëhet e mundur, “duhet të angazhohen të gjithë, brenda e jashtë Libanit, që vendi të mund të dalë sa më shpejt nga kriza”. Duke pasur mirë parasysh gjendjen, një vit pas shpërthimit.

Plagët janë akoma të hapura!

Plagët janë ende të hapura, ndaj ndjehet fort nevoja për ndihma ekonomike. Kreu francez premtoi donacionin e 100 milion eurove për ndihma, e edhe 500 mijë doza vaksinash anti-Covid. E gjatë videokonferencës, edhe SHBA-të premtuan të dhurojnë 100 milionë dollarë. Njoftimin e dha vetë presidenti Biden, duke nëvizuar, ashtu si Macron, se kurrfarë ndihme nuk do të jetë e mjaftueshme, nëse politikanët libanezë nuk do të angazhohen  në punën e rëndë, por të domosdoshme, të reformës ekonomike dhe të luftës kundër korrupsionit në vend!

05 gusht 2021, 12:46