Shtegtime të lëvizjeve popullore -Temuco-Kili-2018-4 Shtegtime të lëvizjeve popullore -Temuco-Kili-2018-4 

Turkson: Lëvizjet popullore duhet të jenë protagoniste të ndryshimit

Duke folur on line në Takimin IV Botëror të Lëvizjeve popullore, prefekti i Dikasterit për Shërbimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor, i nxit të gjithë t’i kundërvihen kulturës së indiferencës, që kështu të mund të garantohet dinjiteti i çdo njeriu, posaçërisht në këtë kohë pandemie.

R. SH. - Vatikan

Ndryshim, që bëhet falë një jete të jetuar në harmoni me Krijimin, nën shenjën e ekologjisë integrale, duke respektuar të drejtat e popujve autoktonë e duke punuar për të mirën e përbashkët. Këtë theksoi kardinali Turkson, prefekt i Dikasterit për Shërbimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor,  në Takimin IV botëror të Lëvizjeve popullore, mbajtur dje pasdite on-line. Ishte ballafaqimi i parë, në prag të atij të shtatorit, rast për  të shkëmbyer përvojën e punës e të përpjekjeve  të Lëvizjeve popullore gjatë pandemisë, për të dialoguar me Papën Françesku mbi përfundimet e takimeve të  mbajtura e për të dëgjuar mesazhin e Atit të Shenjtë.

Në qendër të vëmendjes së debatit - kujton Dikasteri i Vatikanit - në të cilin morën pjesë artizanë, peshkatarë, fshatarë, punonjës ndërmarrjesh  ardhur nga lagje e fshatra, ishte reflektimi lidhur me ndikimin e virusit  mbi punëtorët më të përvuajtur e më të shtypur, që praktikojnë kulturën e takimit dhe ecin së bashku.

Të varfërit luftojnë kundër padrejtësive

Eshtë takim, për t’i dhënë zë e për t’i bërë të dukshme “shqetësimet e njeriut, që ndjehet i shtypur, ndërsa do të duhej  të kishte të drejta të garantuara”,  siç ka theksuar Papa në tre takimet paraprijëse (Vatikan, 2014 e 2016; Santa Kruz de la Sierra, 2015), ku vuri theksin në veçanti, mbi tri këkesa jetike: “tokë, çati, punë”, kritere themelore për drejtësinë shoqërore. Nga Brazili, nga Spanja, nga India, vijnë dëshmi të njerëzve, që janë në vijën e parë  të luftës. Atyre, e jo vetëm, kardinali Turkson  u “kërkon t’i ndryshojnë  zemrat”, gjë që lind nga takimi me dhimbjen e njeriut, i cili vuan nga padrejtësitë, duke e njohur fytyrën e njerëzve të shtypur, të thirrrur për të reaguar kundër padrejtësive! Kardinali nxit për veprim urgjent, për ta vënë ekonominë në shërbim të njeriut, për ta bërë më të drejtë. Të varfrit – pohon - jo vetëm që vuajnë nga padrejtësia, por edhe luftojnë kundër padrejtësisë! E kjo është themelore për Lëvizjet popullore, që nuk përfaqësojnë vetëm njerëzit, të cilët luftojnë kundër padrejtësive, por janë edhe grup, që përpiqet  për vendosjen e një rendi më  të drejtë ekonomik e shoqëror.

Ta bësh historinë

“Sfidat që kemi përpara - nënvizon Prefekti - nuk mund të përballohen vetëm. Duhet solidaritet ndërmjet nesh. E solidarteti është themeli i kulturës popullore që niset nga periferitë, duke krijuar marrëdhënie shumë  të ngushta njerëzore, afërsi njerëzore. Po bëjmë historinë - shton kardinali Turkson - duke çuar përpara një luftë, që kërkon t’i kapërcejë  shkaqet strukturore të varfërisë e të padrejtësive e duke ecur - siç kujton disa herë Françesku - me guxim e mençuri, e jo me fanatizën e dhunë!

Jo, kulturës së indiferencës!

Eshtë sfidë, që duhet përballuar, duke i respektuar larmitë, siç këshillon Papa, kur sjell shembullin e poliedrit, për të arritur, duke ndjekur rrugë të ndryshme, të njëjtin objektiv. Duhet t’i rijapim jetë të re edhe politikës,  duke kapërcyer format paternalistike të ndihmës e të rigjallërojmë strukturat e qeverive lokale, kombëtare e ndërkombëtare, që u krijojnë anëtarëve të Lëvizjeve popullore mundësinë të bëhen protagoniste të vërteta të së mirës”.

“Duhet ta promovojmë e ta thellojmë procesin e  ndryshimit, parë si rezultat i veprimtarisë së njerëzve,  duke mbrojtur punën dinjitoze, duke u përpjekur për të krijuar vende dinjitoze pune, përmes përfshirjes  e duke nxitur zhvillimin e një ekonomie komunitare e shoqërore, që e mbron jetën e bashkësive, në të cilat solidarieteti vihet mbi fitimin. Duhet të luftojmë kundër kulturës së indiferencës, me bindjen se duke mbrojtur dinjitetin tonë, mbrojmë edhe atë të të tjerëve”.

10 korrik 2021, 15:44