Kërko

Chiesa Amazonia Chiesa Amazonia

Papa Françesku: “Misioni i Kishës është të jesh mjet i pajtimit e i unitetit”

Papa Françesku u drejton komunikatorëve shoqërorë tё mediave në Brazil porosinë: “të jenë në vijë të parë të frontit të fjalës, për të krijuar një komunikim, që ndërton ura, kërkon dialog e lartohet mbi ndeshjet ideologjike”.

R.SH. - Vatikan

Të jetë “mjet i pajtimit”, “mjet i unitetit”. Ky, sipas Françeskut, është misioni i Kishës në Brazil: sot, më shumë se kurrë!. E këtë Ati i Shenjtë Bergoglio e shpreh në mesazhin, nënshkruar nga Sekretari i Shteti të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, drejtuar takimit organizuar nga Baritoria e Komunikimit të Konferencës kombëtare të ipeshkvijve në Brazil. Konferencë që u mbajt me rrugë virtuale, më 23 dhe 24 korrik, me pjesëmarrjen e 5.600 komunikatorëve shoqërorë tё mediave, me temë: “Për një komunikim të gjithanshëm;  njerëzorja në ekosistem”.

Mesazhi i Papës u lexua nga Kryetari i Cnbb, dom Walmor Oliveira de Azevedo. Papa Françesku deshi “t’ua dërgojë përzemërsinë e tij dhe t’u drejtojë një fjalë inkurajimi të gjithë pjesëmarrësve në këtë takim, që përpiqet të gjejë rrugë të reja për të promovuar dhe “për të vlerësuar  njerëzoren në komunikim”. Sipas Papës Françesku “të krishterët janë të thirrur të jenë shenjë shprese e solidariteti në shoqërinë braziliane, të prekur tepër rëndë nga pandemia”.

Në mënyrë të posaçme, duke iu drejtuar atyre, “që  merren me punën baritore  të  komunikimit”, i ftoi “të jenë në vijë të parë të frontit të fjalës, për të krijuar një komunikim,  që ndërton ura, kërkon dialog e lartohet mbi ndeshjet ideologjike”, duke kujtuar kështu,  fjalët e tij në Mesazhin për Ditën Botërore të Komunikimeve shoqërore. në të cilin  i pati ftuar t’i kontrollojnë mirë “fake news”, domethënë,  lajmet e rreme, duke ua çjerrë maskën! Sepse një fjalë e rreme vret më shumë se plumbi!

26 korrik 2021, 14:55