2021.07.18 Il cardinale Pietro Parolin a Monaco 2021.07.18 Il cardinale Pietro Parolin a Monaco 

Kardinali Parolin, në Monako për 40-vjetorin e Konventës së Principatës me Vatikanin

Sekretari i Shtetit të Vatikanit mbërriti dje e do të jetë deri më 19 korrik në Monako. Një vështrim mbi historinë e katolicizmit në Monako, mbi Adn e institucioneve e të lidhjeve të tij me Romën.

R. SH. - Vatikan

Me rastin e 40-vjetorit të Konventës, nënshkruar ndërmjet Selisë së Shenjtë e Principatës së Monakos, kardinali Parolin, sekretar i Shtetit të Vatikanit, mbërriti dje në vendin më vogël në botë, pas Qytetit të Vatikanit. Është një vizitë e pashoqe, çasti kulmor i së cilës arriti sot, 18 korrik, me Meshën Shenjte kryesuar nga  sekretari i Shtetit, në orën 10,30 në katedralen e Monakos, ndërtesë monumentale romaniko-bizantine. Pasdite kardinali Parolin do të takohet me meshtarët dhe besimtarët e dioqezës, për oficen e Mbrëmësoreve.

Nënshkrimi i Konventës

Ishte korriku i vitit 1981, kur Selia e Shenjtë dhe Principata e Monakos nënshkruan, në Vatikan, Konventën. Përmes saj Princi hiqte dorë  nga e drejta për të emëruar kryeipeshkvin e dioqezës, i cili që asokohe nisi të emërohej nga Roma. Më 30 korrik 1981, me bulën Apostolica haec, Gjon Pali II e lartoi selinë ipeshkvnore të Monakos në rangun e selisë kryeipeshkvnore. Që prej katër dekadash, Selia e Shenjtë dhe Prinicipata  vijojnë lidhjet e tyre shumë të privilegjuara, të bazuara mbi këtë histori. Të dy mikroshtetet sovrane, me një sipërfaqe 0,44 km2 për Vatikanin e 2 km2 për Monakon, kanë fe shtetërore katolicizmin. Fakti që katolicizmi sanksionohet si i tillë në nenin 9 të Kushtetutës së Monakos, është vërtet unik në botë. Karakteristikë që  Monako e ka të përbashkët me Maltën.

Katolicizmi, në Adn-në e institucioneve monegaske

Natyra konfesionale e shtetit monegask shkon përtej marrëveshjeve. “Është në Adn-në  e institucioneve të shtetit të vocërr” - shpjegon mëkëmbësi i përgjithshëm i Monakos, imzot Guillaume Paris, në kanalin zyrtar YouTube të dioqezës. Parimet e Kishës katolike, pjesë përbërëse e identitetit të qytet-Shtetit, u adoptuan si bazë e institucioneve dhe e ligjshmërisë. Liria e ndërgjegjes mbetet, natyrisht, e pacënuar për 38 mijë banorët  e shtetit. E kjo do të thotë se Monako  kontribuon në mbajtjen  dhe në veprimtaritë e Kishës. Në listën e lëndëve, që mësohen ndër shkollat private e publike, është edhe mësimi i fesë. Monako e Selia e Shenjtë mbajnë të njëjtin qëndrim edhe ndaj abortit, sepse të dyja palët e mbrojnë njëlloj jetën që nga zënia - deri në vdekje. Gjithnjë imzot Paris kujton fjalët “Alberti, për hir të Zotit, princ i Monakos”, që duken gjithnjë  në krye të Urdhërave sovrane, e motua e familjes princore Grimaldi flet vetë: “Deo Juvante”- “me ndihmën e Zotit”.

Lidhje historike me Selinë e Shën Pjetrit

Kisha monegaske ka lidhje shekullore me Shtetin Papnor. Nisin që në festën e Shën Nikollës, më 1247, kur Papa Inoçenci IV, me bulën “Pro Puritate”, dha miratimin e tij për ndërtimin e një kapele mbi shkëmbin, ku ngrihet edhe pallati princor. Asokohe territori ishte akoma nën jurisdiksionin e Republikës së Gjenovës, ku Grimaldët njiheshin si një nga familjet më të famshme patrice. Fitoi autonominë nga viti 1297, para se të kalonte nën disa protektorate; ai spanjoll, franko-savoiard, sard e frëng. Gjashtë shekuj më pas, më 1868, Papa Piu IX e ndau famullinë e Monakos  nga dioqeza e Nicës dhe e ngriti në rangun e abacisë “nullius dioecesis”. Njëzet vjet më pas, në vitin 1887, Leoni XIII  emetoi një bulë,  që krijonte dioqezën e Monakos, të varur drejtpërdrejt nga Selia e Shenjtë. Me këtë ngjarje nisën edhe lidhjet diplomatike të Selisë së Shenjtë me Monakon, në një çast kur shteti papnor qe i pushtuar nga trupat nacionaliste të Giuseppe Garibaldit. Së fundi, nën papninë  Gjon Palit II, me Konventën e dyzet vjetëve më parë, Monako u lartua në seli kryeipeshkvnore.

Princat e Papët

Familja e princave është mysafire e rregullt e Papëve: Ranieri II dhe princesha Grace u pritën në Vatikan nga Piu XII, në vitin 1957. Më pas, nga Gjoni XXIII, në vitin 1959  e nga Pali VI, më 1974. Princi Alberti II  u duk së pari në publik, në rolin e ri, në funeralin e Gjon Palit II. Një vit  më pas, Benedikti XVI emëroi për herë të parë një nunc apostolik pranë principatës së Monakos. E më 2 shkurt 2019, Papa Françesku e priti në audiencë Këshillin Kombëtar të Monakos.

 

18 korrik 2021, 11:29