2020.11.120 The Economy of Francesco 2020.11.120 The Economy of Francesco

Economy of Francesco: Slotmob, jo bixhozit!

Në udhën drejt takimit të Asizit, filloi dje një nismë, që synon t’i kundërvihet ludopatisë, domethënë, etheve të bixhozit, sëmundje e vërtetë kjo, për kumarxhinjtë, duke përfshirë në të edhe pronarët e bareve.

R.SH. - Vatikan

Së pari, duhet të kujtojmë se Slotmob është një lëvizje e cila, që nga viti 2013, përpiqet të sensibilizojë kryesisht të rinjtë, kundër ndikimit negativ të bixhozit në Itali, përmes ngjarjeve sipas stilit “Flashmob”, domethënë, stilit të frekuentimit të bareve, që heqin publikisht dorë nga çdo formë e bixhozit. Tani, që i shpjeguam, mund të flasim me këto terma, të cilat nuk e dimë sa mund të përdoren në gjuhën shqipe, të përkthyera a jo, ndërsa e dimë mirë rolin e dëmin e madh që sjell bixhozi, i gjithëpranishëm në vend.

Nga Piemonti, në Sicili, duke kaluar nëpër Marchet me 4 qytete e nëpër Umbria, zemër e Italisë, ishin 17 zonat që morën pjesë dje, 10 korrik, në mobilizimin SlotMob kundër bixhozit, promovuar nga “The Economy of Francesco” dhe nga Lëvizja SlotMob, me pjesëmarrjen e shumë shoqatave e lëvizjeve. Në qytete të ndryshme të vendit, pronarët dhe drejtuesit e bareve të panumërta dhe të veprimtarive të tjera tregtare, të mbështetur nga ekonomistët e rinj vullnetarë, anëtarë të lëvizjes ndërkombëtare “The Economy of Francesco” ishin në vijën e parë të nismës, për të shpjeguar e për të dëshmuar se të gjitha format e lotarisë nuk bëjnë tjetër, veçse të thellojnë pabarazitë shoqërore dhe të ushqejnë sistemin e fajdesë e të mafies!

“Kam parë pensionistë  duke shpenzuar deri në 50-60 mijë euro njëherësh, e nëna familjesh, shuma edhe më të mëdha. Aq sa të mos ishin më në gjendje të plotësonin as nevojat më të domosdoshme të fëmijëve të tyre” - tregon Fabio Condello, 46 vjeçar, pronar i barit “da Fabio”, në Torino, i cili hyri me kënaqësi në këtë lëvizje:

“E bëj këtë punë që në vitin 1982 - pohon - që kur ndihmoja prindërit e mi, që e hapën këtë bar. Asokohe luhej me letra, ishte totocalcio, bixhozi i futbollit. Të gjithë mblidheshin rreth një televizori, për të ndjekur ndeshjet. Bari ishte pikë takimi për shumë gjëra. Erdhën, pastaj, në vitin ’90, videopokeret e, me to, ethet e bixhozit. Ne, baristët, nisëm të bëhemi gjithnjë më të nevojshëm, por fitimi ynë nuk pati të njëjtin hap me mirëqeniene shoqërore dhe psikologjike të klientëve. Asokohe njerëzit nuk ishin të vetëdijshëm për rrezikun, që po lindte nga loja e bixhozit, posaçërisht për të varfrit. Pastaj, rreth vitit 2014, nisa të kuptoj se ky vend, të cilin prindërit e mi e kishin mëkëmbur me shumë mundime, në një lagje plot me emigrantë, nuk ishte më i njëjti: ata që vinin, ishin më shumë të droguar nga lojërat, sesa klientë, me të cilët edhe mund të flisje. Kështu, vendosa t’i zhduk të gjitha makinat. E atëherë bari im nisi të marrë përsëri frymë e t’i vijë era njeri! Shteti duhet të ndërhyjë ligjërisht për ta luftuar bixhozin. Një shembull konkret? Çdo lojtar duhet të detyrohet të paraqesë kodin e tij fiskal, në mënyrë që të mos mund të shpenzojë më shumë sesa ka në ‘kuletë’. Kjo do të ishte mënyrë e sigurt për t’i mbrojtur qyetetarët”.

Një lokal, që i thotë jo slotit

“Është plagë e vërtetë në vend. Plagë që u rihap edhe më keqas pas pandemisë” - denocon Luigino Bruni, një nga ideatorët e manifestimit e koordinues shkencor i Economy of Francesco“Ekonomia e bixhozit vret posaçërisht më të varfërit, krijon vartësi, e shndërron sportin në bast, duke i zhvatur dhjetra miliardë atyre, që punojnë ndershmërisht. Bixhozi është armik i rrezikshëm i së mirës së përbashkët, ndaj vlerësohen ata drejtues baresh, që heqin dorë nga slot-et e nga format e tjera të bixhozit, për të mbështetur ekonominë civile”.

“Slotmob”. Më shumë hapësirë njerëzve

Në Asizi të Umries, zemër e Italisë dhe e lëvizjes ndërkombëtare The Economy of Francesco, motivacioni është edhe më i fortë. “Shoqëria civile i bën ballë pushtetit idhujtar të parasë, siç e dëshmojnë baristët, që refuzojnë të shesin prodhime kumari në entet e tyre tregtare - e konsumatorët mund t’i zgjedhin këto vende, të lira nga ethet e lojës, nga e cila lojtarët e sëmurë nuk mund të shpëtojnë të vetëm. Duhen mjekuar, si çdo i sëmurë. E për këtë, duhet ndryshuar rregullat e lojës të sistemit ekonomiko-shoqëror. Rast që të nxit t’ia vësh mirë veshin ftesës së Papës: “Askush nuk mund të shpëtojë i vetëm. Ju nuk mund të rrini jashtë vendit, ku lind e tashmja dhe e ardhmja. O do të ecni me hapin e historisë, ose do t’ju kalojë përsipër”. Gjë që do të thotë, do t’ju shtypë!

12 korrik 2021, 20:59