2021.06.03 Mgr Adolfo Tito Yllana, nuovo nunzio apostolico in Israele e in Cipro 2021.06.03 Mgr Adolfo Tito Yllana, nuovo nunzio apostolico in Israele e in Cipro

Tito Yllana është nunci i ri në Izrael e Qipro si dhe delegat në Jeruzalem e Palestinë

Kryeipeshkvi filipinas, 73 vjeç, e ka përfaqësuar Selinë e Shenjtë në katër kontinente: Afrikë, Azi, Evropë e Oqeani. Tani Papa Françesku e thirri të kryejë këtë mision të ri, tejet të rëndësishëm, në Tokën Shenjte.

R.SH. - Vatikan

Nunci i ri, përfaqësues i Françeskut, arrin në Tokën Shenjte në rrethana  jashtëzakonisht kritike, ndërmjet ndryshimeve politike e mungesës së stabilitetit, që javët e fundit i fryu përsëri flakës së dhunës ndërmjet izraelitëve e palestinezëve, duke shkaktuar një shqetësim serioz edhe në gjirin e  bashkësisë ndërkombëtare.

Nga Australia, kryeipeshkvi 73 vjeçar filipinas, Adolfo Tito Yllana, i emëruar nga Papa Nunc Apostolik në Izrael e në Qipro, e fillon misionin në  një realitet, të cilit Françesku po i kushton këto ditë lutje e thirrje të vazhdueshme. Posaçërisht që nga gjysma e majit kur, pas  të vdekurve e të plagosurve, ndërmjet të cilëve edhe  shumë fëmijë, Papa e quajti “të papranueshme”, udhën e armëve dhe përsëriti kërkesën që të dy popujt të  rigjejnë rrugën e vëllazërimit.

Imzot Tito Yllana u emërua ditën kur në Vatikan kremtohej solemniteti i Korpit të Krishtit. Prelati zë vendin e imzot Leopoldo Girelli-t, emëruar,  marsin e kaluar, nunc në Indi.

Jetë e jetuar në të pesë kontinentet

Me origjinë nga Naga City, ku lindi më 6 shkurt 1948, prelati u shugurua meshtar në vitin 1972. U diplomua në Utroque Iure, domethënë në të dyja të drejtësitë: civile e kanonike, pranë Universitetit Lateranens në Romë e, pasi kreu  studimet në Akademinë Kishtare në vitin 1948, hyri në shërbimin diplomatik të Selisë së Shenjtë. Nisi, kështu, një shërbim që do ta çonte në të pesë kontinentet, në përfaqësitë papnore të Ganës, Sri Lankës, Turqisë, Libanit, Hungarisë e Taivanit.

Në dhjetor të vitit 2001 Gjon Pali II e emëroi nunc apostolik në Papua Guinea e Re dhe e shuguroi ipeshkëv në Shën Pjetër, më 6 janar 2002, me titullin kryeipeshkëv i Montecorvinos. I besoi edhe udhëheqjen e  nunciaturës apostolike të Ishujve Salomone. Më 2006-tën Benedikti XVI  e emëroi nunc në Pakistan, për t’i dorëzuar, më 2010-tën, selinë në Republikën Demokratike të Kongos. Në shkurt të vitit 2015, Papa Françesku e emëroi nunc apostolik në Australi. Hirësia e Tij është poliglot, njohës i anglishtes, spanjishtes, italishtes e frengjishtes.

04 qershor 2021, 11:14