Bazilika e Shën Marisë së Madhe, ku Papa Françesku shkon shpesh. Vepër e artit kishtar Bazilika e Shën Marisë së Madhe, ku Papa Françesku shkon shpesh. Vepër e artit kishtar

Selia e Shenjtë: të vlerësohet përmasa fetare e trashëgimisë kulturore

Vëzhguesi i Përhershëm i Selisë së Shenjtë në UNESCO, imzot Francesco Follo, foli në uebinarin e organizuar nga PRERICO-ICOMOS, kushtuar përmirësimit të ruajtjes dhe promovimit të Trashëgimisë Kulturore të Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe të vendeve kulturore me interes fetar. Të rinjve, “këto rrënjë kulturore fetare do t’u japin sigurinë e një të kaluare, që mund të jetë bazë e së tashmes dhe udhërrëfyese për të ardhmen”, nënvizoi ai

R.SH. - Vatikan

Ruajtja e trashëgimisë kulturore fetare, që i përket çdo feje, duke krijuar forma të reja për përmirësimin dhe përdorimin e saj, përmes bashkëpunimit të ngushtë me organet publike shtetërore, rajonale dhe komunale: ky ishte reflektimi i djeshëm i Vëzhguesit të përhershëm të Selisë së Shenjtë në UNESCO, imzot Francesco Follo, gjatë takimit ndërkombëtar online, organizuar nga PRERICO (Komiteti Shkencor Ndërkombëtar për Vendet e Fesë dhe për Ritualet) dhe nga ICOMOS (Këshilli Ndërkombëtar për Monumentet).

Me vështrimin mbi brezin e ri

Në fjalën e tij, imzot Follo theksoi rëndësinë e veçantë të “ripërdorimit” dhe të “rigjallërimit të trashëgimisë kulturore fetare në botë”, që kontribuon në arritjen e objektivit të mijëvjeçarit për edukimin e brezave të rinj. Në të vërtetë, pikërisht atyre, pohoi Vëzhguesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë, “këto rrënjë kulturore fetare do t’u japin sigurinë e një të kaluare, që mund të jetë bazë e së tashmes dhe udhërrëfyese për të ardhmen”. Imzot Follo nënvizoi disa pika, që Selia e Shenjtë i konsideron themelore.

Të identifikohen pasuritë kulturore fetare

Për t’i restauruar, ruajtur, kataloguar, mbrojtur dhe për të promovuar nisma të reja në favor të trashëgimisë kulturore fetare, shpjegoi imzot Follo, duhet fillimisht të identifikohet saktë kjo pasuri. Hapi tjetër është “zbatimi i një filozofie” për trashëgiminë kulturore, që “favorizon njohjen e saj më të mirë dhe përdorimin e përshtatshëm në mësimdhënien fetare, në kremtimin e riteve fetare dhe në veprimtaritë kulturore, duke respektuar vendet e shenjta sipas parimeve të fesë, së cilës i përkasin”.

Formimi i artistëve

Një hap tjetër i rëndësishëm është ai i “formimit të artistëve dhe të njerëzve të tjerë si arkitektët, për shembull, mbi përmbajtjen teologjike, liturgjike dhe ikonografike të vendeve të shenjta, për të promovuar bashkëpunimin ndërmjet botës së artit dhe asaj fetare, që çon në vlerësimin më të mirë të vendeve me interes fetar (tempuj, sinagoga, kisha, etj.) Pika e fundit, por po aq thelbësore, është “organizimi institucional i bashkëpunimit ndërmjet krerëve civilë dhe fetarë, pa harruar pronarët e vendeve dhe besimtarët”.

Imzot Follo theksoi se trashëgimia kulturore fetare është pasuri, “jo vetëm për vlerat e saj kulturore apo historike, por edhe për rëndësinë që ka për fenë e për kultin”. Prandaj, Selia e Shenjtë mendon se edhe kur këto vende janë monumente kulture të ruajtura nga shteti, t’u lihen brezave të ardhshëm së bashku me përmasën e tyre fetare, kusht thelbësor për vlerësimin e tyre.

11 qershor 2021, 11:27