Një Dekret për ndryshimin e kryesive të shoqatave ndërkombëtare
R. SH. - Vatikan
Dikasteri për Laikët, Familjen e Jetën shpalli një Dekret të përgjithshëm me forcën e ligjit, që rregullon zgjatjen dhe numrin e mandateve të drejtuesve (duke e kufizuar mandatin e krerëve në 10 vjet), në shoqatat ndërkombëtare private e publike të besimtarëve duke theksuar edhe nevojën e paraqitjes së anëtarëve në procesin e zgjedhjeve të organizatave drejtuese ndërkombëtare. Masa që, e miratuar në formë specifike nga Papa Françesku, u shpall sot, hyn në fuqi brenda tre muajsh, do të jetë e detyrueshme për të gjitha shoqatat e besimtarëve si dhe për entet e tjera, të njohura ose të ngritura nga Dikasteri.
Qëllimi i Dekretit është promovimi i një “shkëmbimi të suksesshëm” të krerëve të drejtimit, në mënyrë që drejtimi të jetë shërbim i mirëfilltë, i cili radhitet në bashkimin kishtar.
Nota vë në dukje se “shpesh herë mungesa e kufijve të mandatit të qeverisjes, favorizon forma personalizmash, përqendrimin e funksioneve si dhe shprehjet e vetëvlerësimit, që mund të çojnë në shkelje të rënda të dinjitetit dhe lirive personale e madje, edhe në shpërdorime të mirëfillta. Krijohen, kështu, në mënyrë të pashmangshme, tensione, “që e dëmtojnë bashkimin dhe e zbehin zellin misionar”.
Ndërsa përvoja tregon se “ndryshimi i drejtuesve të organeve të qeverisjes përmes qarkullimit të përgjegjësive drejtuese, e gjallëron jetën e shoqatës, e thellon frymën krijuese dhe atë formuese, e freskon besnikërinë e karizmës, i jep një frymëmarrje të re shpjegimit të shenjave të kohëve, inkurajon mënyrat e reja dhe aktuale të veprimtarisë misionare”.
Njëkohësisht, Dikasteri “i vetëdijshëm për rolin kyç që luajnë themeluesit, mjaftohet me kufizimet e mandateve”.
Në një artikull për L’Osservatore Romano, ati jezuit Ulrich Rhode, dekan i fakultetit të së Drejtës kanonike pranë Universitetit Papnor Gregorian dhe këshilltar i Dikasterit, saktëson: “Përveçse për 109 shoqatat e njohura ose të krijuara nga dikasteri, Dekreti zbatohet (me përjashtim të nenit 3, mbi procedurat e zgjedhjes) edhe mbi ente të tjera, ndërmjet të cilave, Ecja Neokatekumenale, Organizmi Ndërkombëtar i Shërbimit të Sistemit të Qelizave Famullitare të Ungjillëzimit, Organizmi Botëror i Cursillos de Cristiandad dhe ai Catholic Charismatic Renewal International Service (CHARIS). Atë Rhode pohon se: “Pritet që shumë shoqata të thërrasin një asamble të përgjithshme, e cila duhet të marrë vendim për modifikimet që i duhen bërë statuteve, për t’ia paraqitur, pastaj, për miratim dikasterit”.