Një fëmijë shpëtohet nga mbytja në Ceuta - fotografi e projektuar gjatë lutjes në bazilikën e Shën Marisë në Trastevere Një fëmijë shpëtohet nga mbytja në Ceuta - fotografi e projektuar gjatë lutjes në bazilikën e Shën Marisë në Trastevere

Kardinali Parolin: t’i shohim migrantët me këndvështrim ungjillor e jo të politizuar

Nga bazilika e Shën Marisë në Trastevere, u lartuan lutje në kujtim të atyre, që humbën jetën në udhën drejt Evropës. Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, kërkoi të mos trajtohet çështja e migracionit sipas bindjeve politike, por sipas Ungjillit, që na fton ta duam të afërmin

R.SH. - Vatikan

Disa nga emrat e njerëzve, që humbën jetën në përpjekjen për të arritur në Evropë dhe drita e qirinjve në kujtim të 43.390 viktimave, llogaritur nga viti 1990 e deri më sot, pa përfshirë të zhdukurit e pagjetur, ritmuan mbrëmë(15 qershor) lutjen “Të vdesësh nga shpresa”, organizuar nga Bashkësia e Shën Egjidit, së bashku me shoqatat e tjera të impenjuara në mikpritjen dhe në integrimin e migrantëve, krejt afër Ditës Botërore të Refugjatëve, e cila kremtohet më 20 qershor. Në lutje, në Bazilikën e Shën Marisë në Trastevere të Romës, morën pjesë edhe shumë migrantë nga vende të ndryshme, familjarë dhe miq të atyre, që humbën jetën në det.

Mbytja e qytetërimit

Në homelinë e tij, Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, duke iu referuar pjesës ungjillore, në të cilën Jezu Krishti qetëson stuhinë, përmendi jetët e humbura në kërkim të shpresës. Vetëm gjatë vitit të fundit, nga qershori 2020 e deri më sot, së paku 4.071 vetë kanë gjetur vdekjen në Mesdhe dhe përgjatë rrugëve tokësore në përpjekjen për të arritur kontinentin evropian. “Është një tragjedi - pohoi kardinali - që prej vitesh ka trokitur në dyert e shtëpisë sonë dhe sidomos në portën e ndërgjegjes sonë. E mund të degjenerojë edhe më trishtueshëm në mbytjen e vërtetë të anijes së qytetërimit”.

Nga “mare nostrum” në “mare mortuum”

Deti Mesdhe është kthyer prej kohësh “në vend përplasjesh e jo më në simbol takimi”. “Rreth e qark ujërave, ku kanë lindur disa prej qytetërimeve më të shquara të historisë - nënvizoi kardinali Pietro Parolin – shihen hapat mbrapsht në jetesën e përbashkët, ndërmjet mbytjesh, vdekjesh, skenash mjerimi e zemërimi të pafuqishëm, mes debatesh, diskutimesh pa fund e instrumentalizimesh të çdo lloji e sidomos, në shumë, tepër indiferencë”. Emri i lashtë, që romakët i dhanë Mesdheut, “mare nostrum”, “ka rrezik të shndërrohet në një ‘mare mortuum’ shkretimi”.

Udhërrëfyes të jetë Ungjilli, jo bindjet politike

Sekretari i Shtetit të Vatikanit denoncoi gjumin e ndërgjegjes kolektive e të politikanëve, që zgjohen vetëm kur ka lajme tronditëse, si pamjet e plazhit Zuëara, në Libi, me kufoma fëmijësh të mbytur. Denoncoi edhe këndvështrimet e politizuara të çështjes së migracionit, sipas bindjeve të njërës parti a të tjetrës, që detyrojnë të bëhet një zgjedhje e vështirë ndërmjet “mikpritjes ose mbrojtjes së kufijve, solidaritetit ose sigurisë, internacionalizmit ose patriotizmit. Janë kundërvënie, që na bëjnë të harrojmë personin konkret njerëzor”.

“Duhet ta pranojmë se, shpesh, edhe ndërmjet besimtarëve, udhëhiqemi nga bindje politike të caktuara e jo nga Fjala radikale dhe befasuese e Ungjillit, e cila na nxit të mos jemi kundër askujt dhe ta duam të afërmin, çdo të afërm, veçanërisht më të ligështit, ata, përmes të cilëve Jezusi na përsërit: ‘Unë jam aty’. Ky është programi i krishterë, i cili nuk u nënshtrohet mundësive të çastit, sepse ai – siç shkruan Benedikti XVI – ‘është zemër që sheh’ (Deus caritas est, n. 31)”.

Lutja për institucionet evropiane

“Solidariteti - theksoi kardinali - është rruga për të dalë nga terri i stuhisë”. E i nxiti besimtarët të luten “edhe për qeveritarët e për krerët e shoqërisë civile”.

“Të lutemi për institucionet evropiane, në mënyrë që çështja e migracionit të gjejë më në fund një përgjigje solidare. Në fakt, Evropa do të jetë në gjendje të parashikojë një të ardhme të përbashkët, vetëm nëse do të shkojë përtej interesave të veçanta dhe do të ndjekë politika me frymëmarrje të gjerë, që synojnë integrimin gjithnjë e më të domosdoshëm. Nëse nuk e gjejmë unitetin në solidaritet, vështirë ta gjejmë diku tjetër. Në fakt, interesat nuk bashkojnë vërtet, por të mbyllin në vetvete”.

16 qershor 2021, 10:54