Kardinali Pietro Parolin Kardinali Pietro Parolin

Kardinali Parolin: nuk kërkojmë bllokimin e projektligjit Zan, por lirinë e mendimit

Intervistë me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, pas debatit mbi Notën Verbale dërguar autoriteteve italiane. “Jemi kundër çdo qëndrimi a gjesti intolerant, kundër çdo urrejtje ndaj njerëzve, për shkak të orientimit të tyre seksual. Shqetësimi ynë ka të bëjë me probleme interpretuese”

ANDREA TORNIELLI

         Asnjë kërkesë për të bllokuar ligjin kundër homotransfobisë dhe asnjë presion mbi punën e Parlamentit Italian, vetëm shqetësim për mënyrën si mund të interpretohen disa pika të projektligjit Zan dhe vendimi për t’i shprehur ato brenda kanaleve të zakonshme diplomatike. Kjo, përmbledhtas, është historia që shpjegon Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, i cili ndodhej në Meksikë kur u botuan në shtypin italian, disa fragmente nga Nota Verbale e Selisë së Shenjtë, që këto ditë ka tërhequr vëmendjen e opinionit publik. Tani, pasi u kthye në Romë, kardinali Parolin shpjegon arsyet e nismës së Vatikanit.

Hirësia juaj, a i prisnit këto reagime?

         “E pata miratuar Notën Verbale dërguar ambasadorit italian dhe sigurisht që mendova se mund të kishte reagime. Sidoqoftë, ai është dokument i brendshëm, shkëmbyer ndërmjet administratave qeveritare, përmes kanaleve diplomatike. Një tekst i shkruar dhe i menduar për të komunikuar disa shqetësime e, natyrisht, jo për t’u botuar”.

Cilat janë shqetësimet e Selisë së Shenjtë për projektligjin Zan?

         “Para së gjithash, dua të theksoj se në asnjë mënyrë nuk është kërkuar bllokimi i ligjit. Ne jemi kundër çdo qëndrimi, ose gjesti të intolerancës e të urrejtjes ndaj njerëzve, për shkak të orientimit të tyre seksual, etnisë, ose besimit të tyre fetar. Shqetësimi ynë ka të bëjë me problemet interpretuese, që mund të lindin nëse miratohet një tekst me përmbajtje të paqartë dhe të pasigurt, i cili do ta zhvendoste në gjykatë përkufizimin e asaj, që është, ose nuk është krim. Por pa i dhënë gjyqtarit parametrat e nevojshëm për shoshitjen. Koncepti i diskriminimit mbetet me përmbajtje shumë të paqartë. Në mungesë të një sqarimi të përshtatshëm, ka rrezik të konsiderohen njëlloj, qëndrime nga më të ndryshmet, duke e bërë të ndëshkueshëm çdo dallim të mundshëm ndërmjet burrit dhe gruas, me pasoja që mund të jenë paradoksale dhe që, për mendimin tonë, duhet të shmangen sa jemi në kohë. Nevoja për përkufizim është veçanërisht e rëndësishme, sepse kjo normë ka të bëjë me fushën penale ku, siç dihet, duhet përcaktuar mirë çfarë lejohet dhe çfarë jo. Nota Verbale përfundon vetëm me kërkesën për një formulim të ndryshëm të tekstit. Diskutimi është gjithnjë i ligjshëm”.

24 qershor 2021, 16:11