Kardinali Parolin hap Festivalin e Ekologjisë së gjithanshme

Në edicionin e tij të parë, me titull “Në gjithësi, gjithçka është e lidhur: rizbulimi i marrëdhënive”, filloi sot e do të vijojë deri më 27 qershor Festivali i Ekologjisë së gjithanshme në Montefiascone të Viterbos. Në hapje, lectio magistralis e Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinalit Pietro Parolin

R.SH. - Vatikan

Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, hap punimet e edicionit të parë të Festivalit të Ekologjisë së gjithanshme, që mbahet në Montefiascone të Italisë nga data e sotme (24 qershor) e deri më 27 qershor. Organizuar nga shoqata “Kështjella e Papëve, për një ekologji të gjithanshme”, takimi titullohet “Në gjithësi, gjithçka është e lidhur: rizbulimi i marrëdhënive”. Është fjala për tri ditë me debate, shfaqje, tryeza të rrumbullakëta dhe koncerte.

Natyrë, kundrim dhe falënderim

         Festivali ka si pikë referimi Enciklikën e Papës Françesku “Laudato si’” dhe fton të “rizbulohet ajo ekologji shpirtërore, që dëshiron të rindërtojë marrëdhëniet themelore me Zotin Krijues, duke inkurajuar kontaktin më të madh me natyrën”, siç shpjegon imzot Fabio Fabene, kryeipeshkëv titullar i Montefiascone-s dhe sekretar i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve. “Bukuria natyrore e peizazhit në të cilin jemi zhytur, që shtrihet nga deti në Apenine - pohon imzot Fabene - na hap vështrimin kundrues dhe mahnitjen, që kthehet në lavd, gëzim dhe mirënjohje për Zotin”. Që sot, krah Festivalit, është hapur një ekspozitë bio-arkitekture, ndërsa në fund të tij, do të jepet çmimi “Rojtar i Krijimit” për disa persona dhe ndërmarrje, që promovojnë ekologjinë e gjithanshme.

24 qershor 2021, 15:39