Pasojat e thatësirës në liqenin  Oroville të Kalifornisë Pasojat e thatësirës në liqenin Oroville të Kalifornisë 

Gallagher: fe e shkencë, bashkë kundër ndryshimit klimatik

U paraqit dje, në Sallën vatikanase të Shtypit, “Faith and Science”, takimi që, tetorin e ardhshëm, do t’i paraprijë konferencës kushtuar klimës, në Glasgow, ku do të mblidhen prijësit fetarë dhe shkencëtarët. Sekretari për marrëdhëniet me Shtetet: “Papa interesohet shumë për ngjarjen, do të çuditesha, nëse nuk do të merrte pjesë”.

R. SH. - Vatikan

Çfarë jete duam të jetojmë vitet e ardhshme? Ç’botë duam t’u lëmë breznive të ardhshme në dhjetëvjeçarët që do të vinë? Këtyre pyetjeve, të lidhura ngushtë me kujdesin ndaj Planetit dhe me rrugëzgjidhjet për t’u bërë ballë ndryshimeve klimatike, do të përpiqet t’u japë përgjigje bashkësia ndërkombëtare në Cop26 të Kombeve të Bashkuara, që do të mbahet në Glasgow, nëntorin e ardhshëm.

Temat e Papës, në rendin e ditës

Ndërmjet ngjarjeve përgatitore të Konferencës mbi klimën do të jetë, më 4 tetor, takimi “Faith and Science: Toward Cop26” (“Feja dhe Shkenca: drejt Cop26), organizuar nga Ambasada italiane pranë Selisë së Shenjtë dhe nga ajo pranë Mbretërisë së Bashkuar, që do të mbahet në Vatikan e në Romë e që u paraqit dje, në Sallën e Shtypit të Selisë së Shenjtë. E tronditur nga kriza ekonomike, shoqërore dhe ushqimore, të cilave vitet të fundit iu shtua edhe pandemia, bota po ndjek gjithnjë më me interes shtjellimin e temave të dashura për Papën Françesku, nisur që në fillim të papnisë së tij, thelluar në enciklikën “Laudato si’, më 2015-tën, që tashmë janë në rendin e  ditës. “Të gjitha problemet më kritike,  që kanë të bëjnë me kujdesin e shtëpisë së përbashkët - kujton imzot Paul Gallagher, sekretar për marrëdhëniet me Shtetet - po vërtetohen në këtë çast e po bëhet gjithnjë më urgjente nevoja për t’u dhënë përgjigjen e duhur.

Ndjeshmëria e Kishës

“Gjithçka është e ndërlidhur” e prandaj Selia e Shenjtë nuk ka më kurrfarë dyshimi mbi nevojën për të marrë pjesë në këtë nismë e për të dhënë ndihmesën e saj. “Çështjet e ambientit dhe kriza ambientale”, kujton akoma prelati në Vatican News, “janë disa nga argumentet, që i interesojnë më shumë Papës. Patëm “Laudato si’” dhe një mori nismash mbi këtë temë,  sepse tërheq vëmendjen e të gjithëve. Prandaj është e natyrshme t’i inkurajojmë këto nisma, të marrim pjesë e të japim ndihmesën tonë. “Çështjet e ambientit dhe kriza ambientale”- kujton akoma prelati në Vatican News, “janë disa nga argumentet, që i interesojnë më shumë Atit të Shenjtë. Ndjeshmëria ndaj tyre, si në Kishë, ashtu edhe jashtë saj, është shumë e madhe. Kështu për ne, të marrësh pjesë e t’i inkurajosh nismat, si kjo e organizuar nga Ambasada e Britanisë së Madhe dhe e Italisë, është diçka gati-gati automatike. Edhe Papa interesohet shumë për ngjarjen e 4 tetorit - komentoi imzot Gallagher - “e do të çuditesha shumë, po të mos merrte pjesë”.

Dialog ndërmjet fesë e shkencës   

“Faith and Science” do të marrin pjesë dyzet  krerë fetarë, ardhur nga mbarë bota dhe dhjetë shkencëtarë, që do të diskutojnë e do të ballafaqohen mbi tema ekologjike e shoqërore. Kontribut tejet i rëndësishëm, ky i  feve sepse - kujtoi imzot Gallagher - kanë një vizion, që përfshin çdo aspekt të jetës njerëzore. “Ideja - nënvizoi - është të nxitet  dialogu ndërmjet shkencës e fesë, mbasi shpesh në historinë e fesë,  shkenca e feja iu kundërvunë njëra-tjetrës. E tani vërejmë se lidhur me problemet e ambientit, shkenca dhe feja mund të merren vesh mirë e të japin një kontribut shumë të rëndësishëm. Një shembull praktik? Si mund t’i bëjmë kishat e shtëpitë tona më të përshtatshme për funksionin e tyre? Këto gjëra na i mëson inxhinieria. Por, natyrisht, me to merremi edhe ne.

Drejt kthesës ekologjike

Përfundimet e takimit “Faith and Science”- kujtoi Pietro Sebastiani, ambasador i Italisë pranë Selisë së Shenjtë, i pranishëm  në konferencën e  shtypit, së bashku me ambasadoren e Britanisë së Madhe pranë Selisë së Shenjtë, Jane Axworthy, do të vihen në dukje edhe në Glasgow. “Do të jetë rast për të rivlerësuar lidhjen tonë me natyrën, kundër kulturës së indiferencës” - pohoi imzot Gallagher – e edhe për ta rimenduar  kthesën ekologjike të shoqërisë e për t’i shumëfishuar aspiratat e atyre, që marrin vendime mbi këto tema.

18 qershor 2021, 11:38