2021.06.14 Dicastero Laici Famiglia Vita 2021.06.14 Dicastero Laici Famiglia Vita

Kardinali Farell: më shumë formim e bashkim në baritorinë familjare

Martesa është thirrje për një mision, që duhet ndarë me barinjtë, në bashkim me “familjen e familjeve”, famullinë. Këtë nënvizon kardinali Farell, në Forumin kushtuar baritorisë familjare, duke kërkuar misionaritetin.

R.SH. - Vatikan

“Familjet sot kanë nevojë të zbulojnë se, së bashku me sakramentin e martesës, marrin edhe një mision, për t’u ndarë së bashku me barinjtë”.  Këtë theksoi kardinali Kevin Joseph Farell, Prefekt i Dikasterit për laikët, familjen e jetën,  gjatë  diskutimit, me të cilin mbylli punimet  e Forumit,  zhvilluar nga 9 deri më 12 qershor 2021, në vitin kushtuar, nga marsi 2021 - deri në qershor 2021, Nxitjes Apostolike “Famiglia Amoris Laetitia”. Çasti kulmor i ditës së hapjes së Forumit, të mërkurën e kaluar, ishte videomesazhi i Papës Françesku, drejtuar pjesëmarrësve të Forumit. E qartë, ftesa e tij për të aktivizuar sa më shumë besimtarë laikë, e posaçërisht, çifte, në baritorinë e familjes e për të ndërtuar së bashku indin kishtar.

Forum për ballafaqim konkret

Tema e Forumit ishte “Në çfarë pike jemi me Amoris Laetitia? Strategji e zbatim baritor i Nxitjes së Papës Françesku”. Forum, që u organizua  për të nisur reflektimin mbi të sotmen e të ardhmen e baritorisë familjare, për ta bërë gjithnjë më konkrete e më të afërt me familjen, Kardinali, më pas, nënvizoi vlerën e famullisë, duke pohuar se “Kontributi kryesor i baritorisë familjare ofrohet nga famullia, që është familja e familjeve, ku jetojnë në harmoni bashkësitë e vogla, lëvizjet kishtare e shoqatat”.

Urgjenca për formimin në të gjitha nivelet

Prefekti pohoi se “ndjehet nevoja për një formim më të përshtatshëm të meshtarëve, diakonëve, rregulltarëve, katekistëve dhe veprimtarëve të baritorisë, duke ngulmuar mbi praninë e laikëve.

Vlera e misionariteit

Objektivi në fjalët e kardinalit Farell, është i qartë: “Ti takojmë njerëzit atje ku janë. Domethënë, baritoria familjare  duhet të jetë  kryesisht misionare”.

Vëmendje e posaçme i kushtohet familjeve në krizë bashkëshortore  e me vështirësi të tjera. Me porosinë që të arrihen edhe familjet larg nga Kisha e për të krijuar një rrjet pune, që krijon mundësinë për të ndarë bashkë idetë, projektet e për të arritur në zemrën e baritorisë, domethënë, tek familjet e botës mbarë.

14 qershor 2021, 16:59