Kërko

Vatican News

Pino Scafuro, moderator i përkohshëm i Charis

Dikasteri i Selisё sё Shenjtё për Laikët, Familjen dhe Jetën ka emëruar moderator tё pёrkohshёm tё Charis sipërmarrësin argjentinas i cili, në vitin 2017, u zgjodh nga Papa Françesku ndër anëtarët e grupit të ngarkuar pёr formimin e Charis, shërbimit tё ri unik për Rinovimin Karizmatik katolik botёror, lindur me dëshirën e Papës Bergoglio.

R.SH. - Vatikan

Deri në Asamblenë e Përgjithshme, Pino Scafuro do tё jetё moderator i përkohshëm i Charis, shërbimit unik ndërkombëtar për Rinovimin Karizmatik Katolik botёror, lindur me dёshirёn e Papёs Françeskut. Scafuro argjentinas, i lindur në Buenos Aires në vitin 1965, është i martuar me Carina e ka dy fëmijë, Caterina dhe Dante. Pino Scafuro ёshtё laureuar në Psikologji, me një specializim në Counseling (Këshillimin) Baritor, Analizë Transaksionale dhe Logoterapi. Është një sipërmarrës industrial.

Në shërbim të Kishës

Takimi me Rinovimin Karizmatik pёr Pino Scafuron ndodhi në vitin 1985, tre vjet pasi hyri nё Komunitetin Karizmatik "Convivencias con Dios". Ka qenё koordinator i Rinovimit Karizmatik në kryedioqezёn e Buenos Airesit dhe në rajonin e Buenos Aires. Aktualisht është përgjegjës i Lëvizjeve, Shoqatave dhe Komuniteteve të Reja të Konferencës Episkopale Argjentinase dhe anëtar i Tryezës Ekzekutive të Dialogut Qytetar. Gjithashtu është edhe një anëtar themelues i Creces (Bashkimi i rinovuar i Ungjillorëve dhe Katolikëve në Shpirtin  Shenjt), Argjentinë. Pino Scafuro pason profesorin belg Jean-Luc Moens, i cili marsin e kaluar dha dorëheqjen nga detyra e moderatorit të Charis, për shkak të problemeve serioze familjare, për të qenë më pranë familjes, që ndodhet në një situatë të vështirë.

Ç’është Charis?

Shërbimi unik ndërkombëtar për Rinovimin Karizmatik Katolik, Charis, u themelua më  8 dhjetor 2018 nga Dikasteri për Laikët, Familjen dhe Jetën. Statutet e tij hynë në fuqi në Rrëshajët e dy viteve më parë. Më 8 qershor 2019, gjatë takimit me pjesëmarrësit në Konferencën Ndërkombëtare të krerëve të Rinovimit Karizmatik Katolik, promovuar nga Charis, Papa Françesku nënvizoi lindjen e “një shërbimi për të gjitha realitetet karizmatike, që Shpirti Shenjt ka frymëzuar në botë”. Jo një organizatë, “që i shërben disa realiteteve”, por një shërbim i vetëm.

Me atë rast, Papa Françesku shpjegoi edhe ç’pret Kisha nga ky shërbim i ri, nga Charis dhe nga i gjithë Rinovimi Karizmatik. “Kjo lëvizje – u lut ai - ndaftë Pagëzimin në Shpirtin Shenjt me të gjithë në Kishë. Ky është hiri, që keni marrë. Ndajeni me të tjerët”. “I shërbeftë unitetit të korpit të Krishtit, që është Kisha, bashkësi besimtarësh në Jezu Krishtin”. “U shërbeftë edhe të varfërve, më nevojtarëve për çdo lloj nevoje, fizike e shpirtërore”.

14 maj 2021, 11:47