Papa na nxit të jemi të rinj e origjinalë çdo ditë

Prefekti i Selisë së Shenjtë për komunikimin Ruffini komenton vizitën e Papës në bashkësinë e punës të Dikasterit, në selinë e Pallatit Pio.

R. SH. - Vatikan

Gjatë vizitës në selinë e Radio Vatikanit-Vatican News, në Pallatin Pio, në gjirin e  punonjësve të Dikasterit të Vatikanit për Komunikimin, Papës Françesku i priu Paolo Ruffini, Prefekt i Selisë së Shenjtë për Komunikimin, intervistuar, menjëherë pas rikthimit të Françeskut në Shtëpinë e Shën Martës:

Tetë vjet pas zgjedhjes në fronin e Shën Pjetrit, me rastin e 160-vjetorit të lindjes së gazetës “L’Osservatore Romano” dhe 90 vjetorit të Radio Vatikanit, Françesku takoi, në Pallatin Pio, personelin e Dikasterit për Komunikimin…

“Ishte emocion i madh për të gjithë: një vizitë e pritur që, në një farë mënyre, konfirmon punën tonë e na thotë se përvjetoret duhen jetuar duke ecur përpara e jo përmbrapa. Na thotë ‘shikoni përpara’, për të kuptuar si duhet të flasim e për t’u dëgjuar nga njerëzit e mbarë botës. Nga sa më shumë njerëz. Gjë, të cilën e bëjmë çdo ditë,  duke folur me gjuhën e atij,  që na dëgjon e duke punuar, që të na dëgjojnë sa më shumë njerëz. E janë gjithnjë më shumë, që kur lindi dikasteri, edhe përmes sistemit të Internetit, të social. E shikojmë edhe ne vetë sa po rritemi. Por nuk duhet të ndalemi kurrë, duke menduar gjithnjë se nuk kemi arritur akoma aty ku duhet. E kjo është shumë e rëndësishme Është çka na kërkon Papa”.

 Papa na ftoi të shkojmë përpara me guxim, me shumë guxim….

“Guxim edhe përballë realitetit, që na sfidon. L’Osservatore Romano-s  i tha: ‘Lejojeni realitetin t’jua japë ndonjë shuplakë’. Realieti na krijon një mori vështirësish. Në një mijë mënyra. Të mendojmë për Covidin, për   mjeshtrinë që duhet në inkulturimin e mesazhit në vende krejtësisht të ndryshme, për situata shoqërore, ekonomike, fetare, që kanë pak gjëra të përbashkëta.  Ndaj “pranojeni edhe ndonjë shuplakë”, sepse është në vijë me atë, që shkroi Papa në mesazh: ‘Shkoni e shikoni’ (Mesazhi për  Ditën e 55-të të Komunikimeve shoqërore 2021). E kjo do të thotë se realiteti kërkon shumë nga ne, nganjëherë  kërkon edhe ashpërsisht, na jep edhe shuplaka,  e ne duhet të reagojmë me forcën për ta  bërë të shndërrohet, me bindjen se nuk ka gjë, që nuk mund të ndryshojë. Kjo është sfidë për mjetet e komunikimit që, në një farë mënyre, i përmbahen realitetit”.

Duke përshëndetur punonjësit, Papa Françesku ftoi edhe për të qenë shumë të vëmendshëm e për të mos rënë në funksionalizëm, por për të mbetur besnikë të një tipi të funksionalitetit. Çfarë deshi të thotë me këtë?

“Është diçka, që ai e përsërit gjithnjë kur flet për formën e përmbajtjen. Funksionalizëm do të thotë ta bësh gjithçka si të ishte e përkryer, të mendosh për shpirtra të përkryera, institucione të përkryera, e pastaj të mos prodhosh gjë prej gjëje. Prej këndej, na sfidon, që puna jonë të jetë krijuese, e lirë, t’i pëgjigjet misionit tonë. Kërkon gjithnjë liri e brenda misionit. Kur bëjmë diçka, ta bëjmë lirisht, me frymë krijuese. Papa, pra, na thotë: “Kini mendjen! Mos mendoni për përsosuri të akullt, prej plastike, por për papërsosurinë e korpit të secilit prej nesh, e bëjeni këtë në mënyrë që fryma krijuese të arrijë atje, ku duhet. Dialogoni lirisht, gjë që ne e bëjmë çdo ditë në takimet tona, por është e bukur ta dëgjosh nga goja e Papës, e bukur ta dëgjosh nga editori, që në një farë mënyre, na thotë: ‘Mos kini frikë!’”.

24 maj 2021, 15:55