Papa: mediat t’i shërbejnë tё mirës sё përbashkët

Papa: “T’i përdorim të gjitha mjetet që kemi, veçanërisht mjetin e fuqishëm të mediave, për të ndërtuar dhe përforcuar të mirën e përbashkët. Le të impenjohemi për t’i përdorur #mediaforpeace. #Signis”.

R.SH. - Vatikan

Tweet - Dita Botërore e Lirisë sё Shtypit (World Press Freedom Day, OKB).

“T’i përdorim të gjitha mjetet që kemi, veçanërisht mjetin e fuqishëm të mediave, për të ndërtuar dhe përforcuar të mirën e përbashkët. Le të impenjohemi për t’i përdorur #mediaforpeace. #Signis”. Kёshtu pohon Papa Françesku me rastin e Ditёs sё tome Botёrore tё Lirisё sё Shtypit, nё njё tweet, 3 maj 2021, nё @Pontifex.

Liria e shtypit është një vlerë themelore për demokracitë e vendeve. Prandaj në vitin 1993, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, bazuar edhe në nenin 19 të “Deklaratës së të Drejtave të Njeriut” mbi lirinë e shprehjes, shpalli 3 Majin si Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit. Kjo ditë shënohet çdo vit në mbarë botën.

Liria e shtypit, ose më mirë liria e mendimit, duhet parë gjithnjë në dy aspekte: nga njëra anë, liria për të informuar – e këtu hyn liria e gazetarëve dhe e editorëve – dhe nga ana tjetër, liria për të qenë të informuar, që është e drejtë tipike e përdoruesve të informacionit dhe është themelore për demokracinë. Një vend, që nuk ka nivel të mirë komunikimi, e dënon veten me kthim mbrapa.

3 maji, sipas Kombeve të Bashkuara, shërben për të nënvizuar parimet themelore të lirisë së shtypit si dhe për të vlerësuar këtë liri në mbarë botën. Po në këtë ditë theksohet rëndësia e mbrojtjes së mediave nga sulmet ndaj lirisë së tyre dhe nderohen gazetarët që kanë humbur jetën në krye të detyrës.

03 maj 2021, 11:05