OBSH dhe Bambino Gesù: formim në distancë për Vendet në rrugë zhvillimi

Eshtë projekti i parë i formimit në distancë, në gjuhën arabe, realizuar nga Spitali Pediatrik romak 'Bambino Gesù' (Krishtit Fëmijë), në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Shëndetësisë. Nisma u paraqit sot, në Romë, gjatë një takimi, mbajtur në spitalin e Selisë së Shenjtë. Morën pjesë presidentja, Mariella Enoc, drejtoresha e Zyrës OMS-Libia, Elizabeth Hoff dhe zëvendës-ministrja e punëve të jashtme, Marina Sereni.

R.SH. - Vatikan

“Projekti, për të cilin po punojmë, së bashku me Organizatën Botërore të Shëndetësisë në Libi, i përgjigjet njërës prej objektivave kryesore të spitalit tonë, domethënë, ndarjes së përbashkët të njohurive  të fituara në fushën klinike si dhe në atë të kërkimit  shkencor. Përdorimi i platformës Medtraining dhe i teknologjisë për formimin në distancë, na ndihmon ta vijojmë këtë synim me më shumë efikasitet e shpejtësi”. Deklarata e Mariella Enoc, presidente e Spitalit Pediatrik të Krishtit Fëmijë, përfshin e sqaron domethënin e nismës, lindur në fillim të vitit të kaluar për të nxitur e për të mbështetur  freskimin profesional të personelit shëndetësor të Libisë, posaçërisht në fushën pediatrike.

Kanali i formimit Medtraining

Në fillim marrëveshja parashikonte arritjen e mjekëve dhe të infermierëve  të dy spitaleve pediatrike të Tripolit e Bengasit, në Spitalin e Krishtit Fëmijë për një periudhë prej dy-tre muajsh. Shpërthimi i pandemisë në mars të vitit 2020 e bëri të pamundur realizmin e projektit me praninë e libikëve. Prej këndej lindi ideja për të organziuar një platformë shumëgjuhëshe: kanalin e formimit mjekësor në distancë për vendet në rrugë zhvillimi Medtraining e, më pas, shtrirjen më të gjërë të projektit: “Urojmë që projekti të mund të realizohet e t’u japë ndihmë shumë fëmijëve, që kanë nevojë për mjekime specialistike”. Ky, pohimi i Mariella Enoc, Presidente e Spitalit Pediatrik Bambin Gesù

Kursi i parë

Para pak javësh nisi kursi i parë, në të cilin morën pjesë 156 infermierë nga 8 spitale të vendit veriafrikan. Përveç Tripoli Childxren’s Hospital dhe Benghasi Children’s Hospital, po marrin pjesë në formimin në distancë, Sabha Medical Center (spitali kryesor i gjithë pjesës jugore të Libisë), spitalet e Sirtes e Misuratës në zonën Tripolitane dhe qendrat spitalore të Tripolitania e të Cirenaica, të Derna-s, Al Bayda e Tobrouk,  të gjitha në veri të vendit.

Pesë gjuhë për pesë specializime

Plaforma Medtraining  krijon mundësi të ndryshme për  formimin, në pesë gjuhë; italiane, angleze, arabe, frënge e spanjolle. Kurset  e parashikuara në platformë,  menjëherë pasi të jenë përkthyer në gjuhë të ndryshme, do të mund të shumëfishohen lehtë, për t’iu ofruar vendeve, që kanë kërkesa formuese.Terapia intensive, neonatologia, hematologjia, kardiologjia e kardiokirurgjia janë spacialitetet e para, të caktuara për veprimtaritë e formimit profesional. Këtyre u shtohen tani onko-hematologjia,  mjekësia paliative dhe ndihma psikosociale. Sapo ta lejojë situata shëndetësore, parashikohet formimi edhe në prani, në Spitalin e Krishtit Fëmijë, në Romë, për  disa nga punonjësit, që marrin pjesë në këtë projekt.

01 maj 2021, 17:15