Një muaj me Marinë Një muaj me Marinë 

“Një muaj me Marinë”: zanafilla e devocionit marian

Vijon shtegtimi në rrënjët e devocionit për Zojën e Bekuar, përmes anekdotave e historive, që flasin për kthimin e shumë njerëzve në rrugën e Zotit, me ndërmjetësimin e Marisë. Kardinali Comastri, në këtë meditim, na prin në rrugën e rrëfimeve ungjillore, për të skicuar dashurinë e veçantë të Zotit ndaj Vashës së Nazaretit.

R. SH. - Vatikan

Sot kardinali Angelo Comastri na kujton zanafillën “e devocionit” për Marinë. Hirësia e tij pohon se ky devocion është tejet i lashtë. Me themel në Ungjill. Rrëfimi i Shën Lukës Ungjilltar për ngjarjen e pashembullt, që ndodhi në shtëpinë e Nazaretit, në çastin e lajmërimit, shpreh qartë  nderimin që kishte Zoti për Marinë. Për atë, që Engjëlli Gabriel, lajmëtari me flatra i Qiellit, e përshëndeti me fjalët: “Gëzohu, o Hirplote!”. Zoti e kërkon, sepse “e tejshikon” ç’do të ndodhë në rrjedhë kohe me Gruan, që do t’i falte njerëzimit Shëlbuesin, aq të pritur në shekuj!

E nderuar, më shumë se çdo krijesë

Maria nderohet më shumë se çdo krijesë njerëzore, sepse është Shërbëtorja e Tënzot, e zgjedhur pikërisht nga Ai i Lumi. Edhe episodi i vizitës së Marisë tek e kushërira, Elizabeta, e rrëfyer gjithashtu nga Luka, në Ungjillin e tij, vërteton se Maria është e denjë për lavde, sepse gjithnjë e gatshme për të bërë vullnetin e Zotit e, sidomos, sepse në kraharorin e saj virgjëror u zu Krishti, Biri i Zotit. Ungjilli është përplot me këtë admirim  për Marinë e për “punët e mëdha” që bëri i Gjithëpushtetshmi në Të e përmes Saj. Në përfundim, kardinali Comastri kujtoi edhe episodin e “Dasmës së Kanës së Galilesë”, mrekullinë e parë të kryer nga Jezusi, ngjarje në të cilën Maria është, pa dyshim, protagoniste, së bashku me të Birin. E përfundon duke pohuar se “devocioni për Marinë është pjesë e pandashme e mesazhit të krishterë”.

05 maj 2021, 10:48