Një muaj me Marinë, Ungaretti dhe dora e Nënës

Kardinali Angelo Comastri kujton sot Poetin, që shkroi për çastin e fundit të jetës, për atë kalim, në të cilin beson se do të mund ta përqafojë rishtas nënën, që i fali jetën - e edhe Marinë, nënën që po i prin drejt qiellit. Meditimi i kardinalit është një nga 31 pjesët, që e shoqërojnë telespektatorin në zbulimin e devocionit për Virgjërën Mari gjatë gjithë majit, muajit, të cilin tradita e Kishës ia kushton Zojës.

R. SH. - Vatkan

Kardinali Comastri vijon  të kujtojë poetët, që  shkruan për Marinë. E sot kardinali Comastri kujtoi poetin e famshëm italian, Giuseppe Ungaretti, dhe poezinë e tij “Nëna”. Nuk flet shprehimisht për Marinë, nuk ia kujton emrin, po në lirikën e tij arrin t’i  lidhë poetikisht të dyja figurat: atë të Nënës së tij tokësore me atë të Asaj qiellore. Në çastin kur zemra numëron rrahjen e fundit.

Është përhumbje poetike, që kujton çastin para vdekjes. Çastin, kur do të shembet muri, “muri i hijes” ndërmjet jetës tokësore e asaj përtejtokësore. E poeti mund të shikojë nënën, tek e cila pati gjithnjë besim të plotë e në të, Marinë që, ashtu si në të kaluarën, do t’ia shtrijë një dorë e do t’i prijë drejt ndjesës së Zotit. Krijon, kështu, figurën e shkëlqyer të amshimit me vargjet (përkthyer lirisht): 

...“Kur zemra me rrahjen e fundit,

murin e hijes ka për ta rrëzue,

te Zoti do t’ më të prish përsëri,

o Nanë prap dorën tue më shtri!”.

Dy fytyra, pranë e pranë: dy nëna

Në këto vargje shikojmë pranë e  pranë dy fytyra - komenton Comastri, fytyrën e nënës e të Marisë, Nënë e të gjithëve, që na vjen në ndihmë tash e në fill të mordes sonë! Maria ndërmjetëson që Zoti të ketë mëshirë për ne. E Comastri citon Shën Terezën e Krishtit Fëmijë që, para se të vdiste,    të fundmet fjalë ia kushtoi pikërisht kësaj ndjese. Shën Tereza shkruan se edhe mëkatari i ngarkuar me të gjithë zezonën e botës, mund të pranohet në krahët e hapur të Krishtit, si djali plangprishës, që rikthehet, i penduar, në krahët e Atit. Atit të vet - e Atit qiellor!

Duke imituar fenë e Ungaretit e të Shën Terezës,  na kujton Comastri -duhet t’i bëjmë ballë qetësisht çastit: “Kur ‘te Zoti do t’ na  prijë përsëri,/ Nëna prap dorën tue na e shtri!”.

17 maj 2021, 14:08