Një muaj me Marinë Një muaj me Marinë 

“Një muaj me Marinë”, Maksimilian Kolbe dhe devocioni për Marinë

“Vetëm dashuria mund të krijojë”: këto, fjalët e fundit të françeskanit të ri polak që, në Auschwitz, dhuroi jetën e vet, për të shpëtuar një baba familjeje. Janë simbol i një jete të shkrirë nën shenjën e përkushtimit e të kujdesit për të tjerët, më shumë sesa për vetveten. Kardinali Angelo Comastri e kujton në meditimin e sotëm, një nga 31 pjesët e emisionit, që po e shoqërojnë telespektatorin në zbulimin e devocionit për Virgjërën Mari deri në fund të majit, muajit të cilin tradita e Kishës ia kushton Zojës, nismë e Telepaces, realizuar nga Vatican News.

R. SH. - Vatikan

Fjalët e fundit që shqiptoi Shën Maksimilian Kolbe, para se të vdiste në Auschwitz më 14 gusht 1941, ishin: “Të falem Mari”. I burgosur në kampin e tmerrshëm të përqendrimit, dhuroi jetën, për të shpëtuar një atë familjeje. Kështu, bashkë me të dënuar të tjerë, u mbyll në “bllokun 14”, ku njerëzit shuheshin ngadalë nga uria e nga etja. Agonia e ngadalshme e të mbyllurve në kasollen e vdekjes, bashkë me Atë Kolben, u lehtësua nga prania e  fratit polak, që i ftoi të luteshin. Ushtoi, atëhere, lutja në barakën  e vdekjes aq, sa t’ua trazonte gjumin xhelatëve të cilët, duke e parë se të dënuarit nuk po përkuleshin, ua shpejtuan fundin me një injeksion fenoli. Martiri polak e mbylli jetën tokësore duke lëvduar Virgjërën Mari e duke ia besuar asaj vetveten, në orën shtegtimit të vështirë, ndërmjet dy jetëve. Ditën kur e shpalli Shenjt, Gjon Pali II kujtoi se Zoja e Papërlyer e  frymëzoi fratin gjithjë jeten e se Asaj ia pati besuar edhe dëshirën për t’u martirizuar”.

Frati me emri Maksimilian

Në emisionin e sotëm, kardinali Comastri  kujtoi jetën e Rajmund Kolbes që, si hyri në Urdhërin françeskan në periudhën e Luftës II Botërore, mori emrin Maksimilian. U thirr për këtë rrugë kur ishte fare i ri. Nësa lutej, iu duk Maria, që i dhuroi  një tufë me zëmbakë të bardhë e trëndafila të kuq, simbol i virgjërisë e i martirizimit. Në vitin 1917, kur vijonte rrugën e formimit, themeloi së bashku me shokët, “Milicinë e Zojës së Papërlyer”,  që kishte si synim përtëritjen e botës, me ndihmën e Marisë. Pasi u shugurua meshtar në Romë, u sëmur nga tuberkulozi. Pavarësisht nga sëmundja, udhëtoi vazhdimisht nga Evropa - në Japoni për të përhapur kudo në botë frymën e milicisë. Kur shpërtheu Lufta II Botërore, kuvendi i Niepokalanow, themeluar prej tij, pranë Varshavës, ishte në lulëzim të plotë. Sapo shkelën aty, nazistët e mbyllën menjëherë dhe i dëbuan pothuajse të gjithë meshtarët. Mbetën aty vetëm pak fretër, ndërmjet të cilëve, edhe Kolbe, që nisën t’u shërbejnë të sëmurëve, refugjatëve e të persekutuarve, të cilët kërkonin strehë në këtë vend, që u quajt “Qyteti i Zojës së Papërlyer”. Pësoi, së bashku me sivëllezërit, një mori angarish e u arrestua disa herë. Herën e fundit u mbyll në Auschwitz. Nuk ishte më atë Maksimiliani, por numri 16670. Kur iu afrua vrasësi, me shiringën e vdekjes në dorë, ai ia shtriu vetë krahun qetë-qetë e me fytyrën e shndritur nga një dritë, që nuk ish e kësaj toke. Xhelatit, që po ia merrte jetën, i drejtoi fsalët proverbiale: “Ju nuk keni kuptuar asgjë nga jeta. Urrejtja nuk ka pikë vlere. Di të vrasë, po jo të krijojë! Vetëm dashuria krijon”.

29 maj 2021, 13:20