Një muaj me Marinë Një muaj me Marinë 

“Një muaj me Marinë”: kthimi i Adolfit Retté

Është historia e një jete të shndërruar nga dashuria e Zotit, kjo e shkrimtarit francez, që kardinali Angelo Comastri e vë në qendër të meditimit të sotëm. Bën pjesë në ciklin me 31 pjesë të emisioneve, që po e shoqërojnë telespektatorin në zbulimin e devocionit për Virgjërën Mari gjatë gjithë majit, muajit të cilin tradita e Kishës ia kushton Zojës, nismë e Telepaces, realizuar nga Vatican News

R. SH. - Vatikan

Titullohet “Nga djalli, te Zoti”, vëllimi autobiografik, shkruar nga Adolfo Rettè. Ky, emri i një shkrimtari francez, jetën e të cilit nuk mund ta quajmë shembullore. Sepse një pjesë e mirë e saj kaloi ndërmjet vesit e mëkatit. Deri në vitin 1907, kur vendosi ta përshkruajë takimin me Mëshirën e pambaruar të Zotit. Të tregojë si hoqi dorë nga e kaluara, si ateist i bindur e si militant e antiklerikal. E si u shndërruan 40 vjet, kaluar me pendë në dorë, duke mohuar Zotin – në apostullim të  zjarrtë!

Po kush ishte ky njeri?

Për këtë njeri flet Comastri, në meditimin e sotëm, duke kujtuar një sërë anekdotash, që kanë të bëjnë me të. Ishte anarkist, bashkëshort i pabesë e i dhunshëm, që i bëri rrush e kumbulla të gjitha pasuritë. Gjëra që nuk e kënaqën kurrë shpirtin e tij, plot etje për ideale më fisnike. E pikërisht shqetësimi shpirtëror e bëri të kuptonte se kishte arritur aty, ku nuk duhej arritur. Kishte prekur fundin! Një zë i brendshëm i foli me qortim e i tha: “Ti nuk je më njeri, je gjiriz!”. Dhe e nxiti ta rishikonte jetën e vet, duke lexuar “Purgatorin” e Dantes. E sidomos, t’i lutej Virgjërës Mari, që  duke e këshilluar t’ia hapte zemrën dashurisë së Zotit, luajti rol themelor në kthimin e tij. Pranë Fontainbleau, në një kapelë  të vogël kushtuar Zojës së Hireve, në çaste të thella shqetësimi, i kërkoi: “Po të jesh vërtet Ndërmjetësuese e pushtetshme, lute Tënd Bir të më tregojë ç’duhet të bëj”.  E më pas, ai vetë tregoi se ky ishte çasti vendimtar, që shkaktoi revolucionin e tij shpirtëror. Vdiq më 8 dhjetor 1930, pasi dha një mori provash, që vërtetonin se ishte shndërruar nga Hiri Hyjnor, ditën kur kremtohej Zoja e Papërlyer. Mbi  rrasën e varrit të tij  shkruhet  vargu i parë i Psalmit 30: “In te Domine Speravi” - “ Shpresova në Ty, o Zot”.

Nga djalli - te Zoti

Një nga shkrimtarët më të shfrenuar të Francës në fund të tetëqindës, ateist e materialist militant, ndjeu papritmas boshllëkun e hatashëm mbi të cilin bazohej jeta e tij. E edhe etjen për Zotin, përshkruar në ato faqe të ndritura e të pasionuara autobiografike, në të cilat nuk fsheh asnjë nga ankthet skëterrore, të cilat i kalojnë të gjitha ata, që bëjnë rrugën pendestare, drejt fesë.

I shkruar pak muaj pas kthesës, e i botuar dhjetra herë në Francë, Itali dhe vende të tjera, “Nga djalli, tek Zoti”, e nxit edhe sot e kësaj dite ndërgjegjen njerëzore të kërkojë të vërtetën, e inkurajon të mos ketë frikë nga Zoti, por të lëshohet në krahët e Tij, si Biri në krahët e Atit. Sepse vetëm kështu mund të gjindet jeta e vërtetë!

24 maj 2021, 10:09