Një muaj me Marinë Një muaj me Marinë 

“Një muaj me Marinë”: dy mrekulli, me ndërmjetësimin e Virgjërës

“Dy të rinj shërohen në mënyrë “të pashpjegueshme”: një e re spanjolle dhe një i ri italian. Me këto dy episode kardinali Angelo Comastri i mbyll, në ditën e fundit të muajit marian, meditimet që e shoqëruan telespektatorin në zbulimin e devocionit për Virgjërën Mari gjatë majit, të cilin tradita e Kishës ia kushton Zojës, nismë e Telepaces, realizuar nga Vatican News.

R. SH. - Vatikan

Në pjesën e fundit të emisionit kushtuar Marisë, në muajin e saj, kardinali Comastri tregon historinë e dy shërimeve të mrekullueshme, me ndërmjetësimin e  Virgjërës Mari. Shërimi i parë përshkruhet me hollësi në një studim të gazetarit Vittorio Messori, botuar në vitin 1998. Autori  e shpjegon hollësisht “mrekullinë e Kalandës”, domethënë, ngjarjen mahnitëse, që ndodhi në Spanjën e shekullit XVII. Në librin e tij përfshihen të gjitha dokumentet e epokës, studiuar imtësisht, për të pohuar vërtetësinë e shërimit të pashpjegueshëm. Ngjarje që pati si protagonist  një  fshatar të ri. Quhej Miguel Juan Pellicer. Në moshën njëzet vjeçare pësoi një aksident, që ia dëmtoi njërën këmbë aq, sa u detyrua ta priste. Duke mos mundur të punojë me një këmbë, u katandis të lypë rrugëve, për të jetuar.  Ndonjë vit më vonë, në shtëpinë e prindërve, ku banonte, pa një ëndërr. E pa veten në Shenjtëroren e Pilar duke e lyer cungun e këmbës së prerë me ujë të bekuar. E menjëherë pas u zgjua e pa sesi këmba e prerë u riduk mrekullisht në vendin e vet. Ngjarja, krejt e pabesueshme, nuk mund të kishte shpjegim tjetër, veçse atë të një mrekullie të re të Zojës së Pilar. Lajmi mori dhenë e shumë njerëz që kishin qenë të pranishëm në aksident, e vërtetuan mrekullinë.

Një mrekulli tjetër, në Shpellën e Zojës Lurdë

Kardinali Comastri ndalet edhe tek një ngjarje tjetër, që ka të bëjë me një  malësor të ri, nga Valsugana. Quhej Vittorio Micheli. Në vitin 1962 iu diagnostikua një tumor i pashërueshëm, që ia kishte prekur një pjesë të mirë të kockave. Një vit më pas, më i sëmurë se kurrë, gati-gati i paralizuar, niset për shtegtim në Lurdë. Pasi zhytet në pishinën pranë Shpellës së Masabielës, ndjehet shumë më mirë. Nis procesi i shërimit. Më 1964 sëmundja zhduket krejtësisht. Fillon të ecë, si të mos i kish qenë kurrë i sëmurë e si ta kish harruar fare kohën e gjatë, mbërthyer në allçi.

Dy shërime, që i hapin udhën mrekullive të reja

Me këto dy mrekulli i përfundon meditimet e majit 2021 kardinali Comastri, si të donte t’i hapte rrugën mrekullive të reja, njerëzve të tjerë  të cilët vijojnë të presin, në lutje, që të shtrihet drejt tyre dora mrekullibërëse e Marisë. Dorë, që i ngushëllon e i shëron në shekuj, ata që besojnë në Birin e saj hyjnor, tek i cili ndërmjetëson për shërime gjithnjë të reja…

31 maj 2021, 11:31