Lord Ahmad i Wimbledon takon imzot Paul Richard Gallagher Lord Ahmad i Wimbledon takon imzot Paul Richard Gallagher

Ministri britanik i Shtetit kërkon bashkëpunim të ngushtë me Vatikanin për çështje botërore

Të martën paradite, Sekretari i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet, kryeipeshkvi Paul Richard Gallagher, u takua me Lordin Tariq Ahmad të Wimbledon, Ministrin e Shtetit të Mbretërisë së Bashkuar, i cili dha një intervistë për Vatican News mbi disa çështje, për të cilat qeveria britanike dhe Vatikani kanë interesa të përbashkëta

R.SH. - Vatikan

Takimi i Sekretarit vatikanas për Marrëdhëniet me Shtetet, imzot Gallagher, me Lordin Ahmad të Wimbledon, u përqendrua në sfidat aktuale globale, në udhët për t’i trajtuar ato dhe në bashkëpunimin e mundshëm për zgjidhjen e problemeve.

Lordi i Wimbledon, i cili është Ministër Shteti në Mbretërinë e Bashkuar dhe Përfaqësues i veçantë i kryeministrit për parandalimin e dhunës seksuale gjatë konflikteve, u takua me prefektin e Dikasterit për Komunikimin, Paolo Ruffini. Interesante, intervista, që dha Lordi për Vatican News, në të cilën përvijon temat e trajtuara gjatë bisedave në Selinë e Shenjtë. Ta dëgjojmë:

Nuk është takimi im i parë me Vatikanin. Mbretëria e Bashkuar, përmes ambasadores Sally Axworthy, ka marrëdhënie shumë të ngushta me Vatikanin. Kemi dialog konstruktiv mbi një sërë çështjesh. Në këtë udhëtim të veçantë, unë trajtova çështje të rëndësishme, që kanë të bëjnë me lirinë e fesë e të besimit. Temat e bisedës kishin të bënin edhe me rolin tim në parandalimin e dhunës seksuale gjatë konflikteve, si edhe me lirinë e mediave, mjaft e rëndësishme sot.

Unë mendoj se Vatikani, Selia e Shenjtë, mund të luajë një rol tejet të rëndësishëm, jo vetëm për simbolikën që përfaqëson në skenën botërore, por edhe për ndërhyrjet, që mund të bëhen nga Kisha Katolike në zgjidhjen e, ndoshta, edhe në nxitjen e palëve në konflikt për t’u ulur në tryezën e bisedimeve. E kjo u tregua më së miri kohët e fundit nga vizita e Shenjtërisë së Tij Papës Françesku në Irak, gjatë së cilës pamë si u ndërtua një urë e vërtetë ndërmjet bashkësive të ndara, ndodhi një shërim dhe një pajtim i vërtetë. U pa forca e feve kur bashkohen, rëndësia e bashkimit të krerëve të atyre besimeve, në miqësi dhe pajtim. Mendoj se ky është një mesazh shumë i fuqishëm dhe se roli i Papës Françesku dhe i Kishës Katolike është tejet i rëndësishëm në skenën botërore. Pjesë e marrëdhënieve tona, mbajtur përmes ambasadores e përmes impenjimit të drejtpërdrejtë ministror, është pikërisht të shohim si mund ta plotësojmë më tej punën tonë në këtë fushë.

Si mund të punojnë së bashku Vatikani dhe qeveria britanike për të promovuar lirinë e mediave në botë?

Kur shohim përreth dhe gjykojmë lirinë e mediave e të gazetarëve, duhet të kemi parasysh konfliktet, me të cilat po përballemi. Shpesh viktima e parë e çdo konflikti është liria e mediave. Aty ku shihet se cënohen të drejtat e gazetarëve, ku liria e mediave e gazetarët e vërtetë vihen në shënjestër, agjencitë mbyllen, gazetat mbyllen, mund të jemi absolutisht të sigurt se ndodhin abuzime të tjera të të drejtave të njeriut.

Dy vite më parë, Mbretëria e Bashkuar e Kanadaja u lidhën në një Koalicion Ndërkombëtar për Lirinë e Mediave, për të mbrojtur globalisht të drejtat e gazetarëve. Për një person publik, për një politikan, jo gjithmonë mediat janë miku më i mirë, por ne të gjithë duhet të luftojmë për të drejtat e gazetarëve, që ata të ushtrojnë lirinë e tyre dhe të raportojnë lirisht për situatat në botë. Komunikimi i Vatikanit, në gjuhë të ndryshme, në kanale të ndryshme, tregon edhe një herë për rëndësinë e Selisë së Shenjtë në këtë fushë. Shpesh, më të brishtët, bashkësitë më të mënjanuara, të cilave u drejtoheni, janë bashkësi pakicash fetare.

Mbretëria e Bashkuar është pjesë e një fushate globale kundër persekutimit të të krishterëve e të bashkësive fetare në përgjithësi. Për këtë janë shumë të rëndësishëm gazetarët, që e raportojnë realitetin ashtu siç e shohin. Mediat shoqërore kanë sjellë një ndryshim, një evolucion, madje, një revolucion në mënyrën e raportimit të konflikteve, të cënimit të demokracisë, të të drejtave të njeriut, prandaj, janë absolutisht të rëndësishme. Ne dëshirojmë që edhe Vatikani të bëjë pjesë në Koalicionin Ndërkombëtar për Lirinë e Mediave, që tani ka gati 50 anëtarë. Do të ishte një kontribut i rëndësishëm i Selisë së Shenjtë, jo vetëm simbolik.

27 maj 2021, 11:30