Konflikti izraelito-palestinez Konflikti izraelito-palestinez

Krizë në Lindjen e Mesme, kardinali Parolin: urgjent, armëpushimi

Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, shpreh shqetësimin e Papës dhe të Selisë së Shenjtë për shkallëzimin e dhunës ndërmjet Izraelit dhe Hamasit: “Ky konflikt po sjell rrënoja, përveç vdekjes”, “do të ftoj Ursula von der Leyen të bashkojmë çdo përpjekje për ndalimin e krizës”

R.SH. - Vatikan

Papa dhe Selia e Shenjtë janë “tejet të shqetësuar” për ç’po ndodh në Tokën Shenjte, ku vijon shkallëzimi i dhunës ndërmjet Izraelit dhe Hamasit. Këtë pohoi Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, gjatë paraqitjes së librit kushtuar ish-drejtorit të gazetës vatikanase “L’Osservatore Romano”, Mario Agnes, me autor gazetarin Ignazio Ingrao, në Ambasadën Italiane në Selinë e Shenjtë. Kardinali theksoi urgjencën e armëpushimit dhe shprehu shqetësimin e thellë për këtë gjendje të nderë, e cila vazhdon “pavarësisht nga përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare për ndalimin e dhunës”.

Të bëhet ç’është e mundur për të ndalur konfliktin

 “Ky konflikt po sjell rrënoja, përveç vdekjes”, nënvizoi kardinali Parolin, i cili kujtoi fjalët e Papës në Mbretëreshën Qiellore të së dielës, 16 maj, kur tërhoqi vëmendjen e botës, sidomos për “fëmijët e vdekur”. “Shqetësimi ynë është ai i Atit të Shenjtë, prandaj, impenjohemi të bëjmë ç’është e mundur për ta ndalur konfliktin”, deklaroi Sekretari i Shtetit të Vatikanit.

Zgjidhja e dy shteteve

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve mbi ndërmjetësimin e Selisë së Shenjtë në çështjen izraelito-palestineze, kardinali Parolin nënvizoi: “Më duket se dikush ka thënë se nuk dëshiron ndërhyrje. Në kuptimin teknik mbase jo, nuk mendoj se kushtet janë të përshtatshme”, sqaroi ai. “Por sigurisht që duhet të ndërmarrim çdo veprim, i cili mund të ndihmojë para së gjithash në arritjen e armëpushimit, pastaj, t’i jepet fund këtij konflikti e të arrihet në zgjidhjen e dy shteteve”.

Takimi me Ursula von der Leyen

Kardinali Parolin pret takimin e së shtunës ndërmjet Papës dhe kryetares së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, të cilën do të ketë mundësinë ta takojë edhe ai vetë. Sigurisht që do t’i jepet rasti për të diskutuar mbi krizën, pohoi kardinali Parolin, i cili përfundoi: “Duhet t’i bashkojmë të gjitha forcat në përpjekjen për ta ndalur këtë krizë”.

18 maj 2021, 15:14