Një nga takimet e kardinajve të Këshillit me Papën, viti 2019 Një nga takimet e kardinajve të Këshillit me Papën, viti 2019

Këshilli i Kardinajve diskuton mbi pasojat e pandemisë

Në takimin e Këshillit të Kardinajve, që u mbajt në internet dje pasdite, u bisedua edhe për mbështetjen e nevojtarëve. U diskutua metodologjia e punës për rishikimin dhe korrigjimin e disa teksteve normative, pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës së re Apostolike

R.SH. - Vatikan

Dje pasdite, u mbajt në internet Këshilli i Kardinajve, që ndihmon Papën në mbarështimin e Kishës universale. Njoftimin e dha Salla e Shtypit e Vatikanit. Për shkak të emergjencës shëndetësore, u lidhën nga vendet e tyre të qëndrimit, në anë të ndryshme të botës, kardinajtë Óscar A. Rodríguez Maradiaga, Reinhard Marx, Seán Patrick O'Malley, Oswald Gracias dhe Fridolin Ambongo Besungu, ndërsa kardinajtë Pietro Parolin dhe Giuseppe Bertello, së bashku me Sekretarin e Këshillit, imzot Marco Mellino, u lidhën nga Vatikani.

Ati i Shenjtë Bergoglio i ndoqi punimet nga Shtëpia e Shën Martës. “Gjatë takimit, pas përshëndetjes së Papës Françesku, - lexohet në komunikatë - u diskutuan disa çështje aktuale. Çdo kardinal përshkroi gjendjen në rajonin e tij, pasojat ekonomike dhe shoqërore të pandemisë dhe impenjimin e Kishës në favor të shëndetit, të rimëkëmbjes ekonomike dhe të mbështetjes së nevojtarëve”.

“Më pas - vazhdon ai - anëtarët e Këshillit diskutuan mbi metodologjinë e punës për rishikimin dhe korrigjimin e disa teksteve normative, pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës së re Apostolike, si edhe mbi perspektivat e ardhshme, hapur nga teksti në përgatitje e sipër. Takimi tjetër është caktuar në muajin qershor”.

07 maj 2021, 11:05