Kishë katolike në Kinë Kishë katolike në Kinë

Kardinali Parolin: Kisha në Kinë, gjithnjë në zemrën e Papëve

Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, shkruan parathënien e librit të Adel Afif Nasr, “Një urë me Kinën - Papa e Delegacioni apostolik në Pekin (1919-1939)”, ku përvijohet një histori e shkurtër e marrëdhnëieve ndërmjet Papëve dhe bashkësisë katolike kineze, duke analizuar, në veçanti, rolin e kardinalit Celso Costantini, Legatit të parë apostolik në Kinë

R.SH. - Vatikan

Për vendosjen e marrëdhënieve vërtet të plota dhe të frytshme ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Kinës, duhet vepruar me frymë pajtimi, duke u çliruar nga keqkuptimet. Kështu shkruan Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, në parathënien e librit të Adel Afif Nasr, me titull “Një urë me Kinën - Papa dhe Delegacioni Apostolik në Pekin (1919-1939)”. “Edhe rrethanat e tanishme na vënë para urgjencës së njohjes së ndërsjellë dhe dialogut konstruktiv”, nënvizon kardinali Parolin, pasi komenton vitet e përfshira në vëllimin e sapobotuar.

Të kapërcehen keqkuptimet

“Unë kam shpresë se kjo vepër mund të jetë një hap përpara në këtë drejtim. Papa Françesku shpesh na kujton se për zgjidhjen e shumë problemeve, që e rëndojnë jetën e Kishës në Kinë, është vendimtare fryma e pajtimit të vërtetë, duke lënë mënjanë keqkuptimet dhe ndarjet e trashëguara nga e kaluara”. Kardinali Parolin, i cili vitin e kaluar ishte protagonist i një diskutimi të hapur me Sekretarin e atëhershëm të SHBA-ve, Mike Pompeo, lidhur me marrëdhëniet ndërmjet Vatikanit dhe Pekinit, vë në dukje “nxitjen e vazhdueshme në kohë nga ana e Pasardhësve të Pjetrit” drejt Kinës. Në fakt, ka “një lidhje shumë të veçantë dashurie e vlerësimi të sinqertë, e cila pasqyrohet në vendimet dhe në mënyrat e mbajtjes së marrëdhënieve gjithnjë e më të frytshme, më vëllazërore me Kinën, të mbrujtura nga bamirësia”.

Pikënisja, Letra Apostolike “Maximum illud”

“Besoj – shkruan kardinali Parolin - se ky është kuadri dhe ndjenja, bazuar vërtetësisht në Ungjill, që e ka shtyrë Selinë e Shenjtë të kërkojë gjithmonë mënyra të reja për t’u lidhur me Kinën e, njëkohësisht, kjo është dëshira për të krijuar platforma misionare, në gjendje të përmbushin planin e Papës, që u bë i dukshëm me Benediktin XV, kur në vitin 1919, shkroi Letrën Apostolike ‘Maximum illud’, magna karta e misioneve”. “Me të, - shton kardinali – u jepet hov i ri metodave misionare për t’ua përshtatur rrethanave të kohës, duke shmangur mundësinë për ta parë fenë katolike si ‘longa manus’ e fuqive të huaja”.

Legati i parë apostolik në Kinë: “Papa i do të gjitha kombet”

Përveç kësaj, kardinali Parolin kujton fjalët e Legatit të parë apostolik në Kinë, më 1922, kardinalit Celso Costantini, i cili, jo rastësisht, pohonte: “Papa i do të gjitha kombet, si Zoti, të cilën e përfaqëson; ai e do Kinën, kombin tuaj të madh e fisnik dhe, në zemrën e tij, nuk e vendos pas askujt tjetër; ai e do popullin tuaj të pamasë, punëtor, të zellshëm; ai e njeh historinë tuaj, e cila është ajo e një populli të madh. Veprimi i Papës ndër kombe është ai i një miku. Papa është kreu shpirtëror i të krishterëve, por dashuria e tij shtrihet mbi të gjithë njerëzit, pavarësisht nga feja, së cilës i përkasin”.

17 maj 2021, 13:53