Vatican News

Drejt dyqindvjetorit të Veprës Papnore për Përhapjen e Fesë, në shërbim të ungjillëzimit të botës

Më 3 maj 2021 u kremtua 199 vjetori i lindjes së Veprës për Përhapjen e Fesë si dhe 99 vjetori i njohjes së saj si vepër “Papnore”. Themeluesja, Pauline Jaricot, drejt shenjtërimit.

R.SH. - Vatikan

Më 3 maj 2021 u kremtua 199 vjetori i lindjes së Veprës për Përhapjen e Fesë si dhe 99 vjetori i njohjes së saj  si vepër “Papnore”. Pavarësisht nga sfidat, që po i krijon pandemia misionit të Kishës në kohët tona, ky përvjetor na gëzon e na kujton se duhet ta lumnojmë Zotin, ndërsa gatitemi të kremtojmë dyqindvjetorin e kësaj Vepre, në shërbim të ungjillëzimit të botës, më 2022. Në një mesazh dërguar nga Drejtorët kombëtarë të Veprave Papnore Misionare, atë Tadeusz J.

Novak, OMI, Sekretar i përgjithshënm i Veprës Papnore për Përhapjen e Fesë, shkruan: “Faleminderit për shërbimin tuaj fisnik e të çmuar, që jua besoi Ati i Shenjtë, frymëzuar nga shërbimi i themelueses sonë të dashur, Pauline Marie Jaricot. Zoti ju bekoftë të gjithë, ndërsa vazhdojmë t’i përgjigjemi thirrjes, që Paolina e pranoi me guxim gjatë jetës së saj, shkrirë e tëra në shërbim të ungjillëzimit  të botës, që Ungjilli  të arrijë e të lëshojë rrënjë në çdo truall e në çdo kulturë, deri në skajet më të humbura të botës.

Prej këndej, fton të ofrohet kjo lutje:

Lutje për për përhapjen Ungjillit në të gjitha skajet e botës

“O Zot, ti e frymëzove Pauline Marie Jaricot

të krijonte fondacionin për përhapjen fesë

e të Rruzares së gjallë,

ashtu si edhe angazhimin e saj të plotë

për çështjen e punëtorëve.

Premto të arrijë sa më shpejt ajo ditë,

kur Kisha të mund të kremtojë shenjtërinë e jetës së saj!

Premto që shembulli i saj të nxisë një numër sa më të madh të krishterësh

 ta shkrijnë gjithë jetën për përhapjen Ungjillit,

që burrat e gratë e kohës sonë, si dhe gjithë popujt e botës

të mund ta zbulojnë dashurinë tënde të pafundme,

 të treguar nga Jezu Krishti, Zoti ynë,

që jeton me Ty, në bashkim me Shpirtin Shenjt,

në shekuj të shekujve”. Amen!

Pse u themelua Vepra Papnore?

Vepra Papnore për Përhapjen e Fesë u themelua në Lion, më 1822, me synimin që të nxiste bashkëpunimin misionar të të gjitha bashkësive të krishtera përmes lutjes dhe mbështetjes materiale.

Kush ishte Pauline Marie Jaricot

Pauline Marie Jaricot, Themeluese e “Shoqatës për Përhapjen e Fesë” siç quhej asokohe,  e edhe të “Rruzares së gjallë”, lindi më 22 korrik 1799, në Lion, ku edhe vdiq më 9 janar 1862, në mjerim të thellë, e harruar dhe e braktisur nga të gjithë.

Më 3 maj 1922 Papa Piu XI e lartoi Veprën për Përhapjen e Fesë, themeluar nga Jaricot, në “Vepër Papnore”, njëheresh me Veprën e Fëmijëve Misionarë dhe Veprën e Shën Pjetrit Apostull dhe e transferoi selinë e tyre nga Lioni, në Romë.

Më 25 janar 1963 Papa Gjoni XXIII e deklaroi Pauline Jaricot të nderuar. Papa Françesku autorizoi shpalljen  e dekretit, që ka të bëjë mrekullinë e ndodhur  përmes ndërmjetësimit të saj!

 

06 maj 2021, 09:21