Një muaj me Marinë Një muaj me Marinë 

Dora e Marisë, mbi Papën, në çastin e atentatit

Në këtë meditim, kardinali Angelo Comastri ndalohet tek dukjet e Zojës në Portugali dhe lidhja e ngushtë e Gjon Palit II me Fatimën. Kujtojmë se “Një muaj me Marinë” është nismë e Telepaces, realizuar nga Vatican News. E, sidomos, shtegtim për të zbuluar devocionin për Marinë, në muajin maj, që i kushtohet.

R. SH. - Vatikan

13 maji është datë shumë e rëndësishme për devocionin marian. Më 13 maj të vitit 1917 Zoja iu duk, në Fatima të Portugalisë, barinjve Luçia, Françesku e Giaçinta. Kardinali Comastri na kujton atë që ndodhi në vitin 2000 kur, pikërisht në këtë ditë të vitit, ishte me Shën Gjon Palin II, në avionin që fluturonte drejt vendit të dukjeve. E kujtoj me emocion të thellë atë ditë - shkruan - Për historinë e saj. Por edhe pse Gjon Pali II kishte vendosur ta tregonte publikisht pjesën e tretë të “Sekretit të Fatimës”. Ndërsa komentin teologjik kushtuar sekreteve të Fatimës, botuar më pas nga Kongregata për Doktrinën e Fesë, në qershor 2000, do ta nënshkruante kardinali i atëhershëm Joseph Ratzinger, sot Papë nderi.

Dora e Marisë, mbi Papën, në çastin e atentatit

Gjon Pali II ishte i bindur se shpëtoi i gjallë nga plumbi i Ali Agçait, shkrehur më 13 maj 1981 në Sheshin e Shën Pjetrit, falë ndërhyrjes së mrekullueshme të Marisë. Në Mesazhin e Fatimës flitet edhe për “ipeshkvin e veshur me të bardha”, që ngjitet mbi majën e një mali të thepisur e, kur arrin në maje,  qëllohet “me armë zjarri”. Vetë motër Luçia, gjatë një bisede me imzot Tarcisio Bertone-n, pohoi se figura kryesore e vegimit kish shumë mundësi të ishte Papa e se ishte e një mendjeje me Gjon Palin II për atentatin. Wojtyla deklaroi, vite më pas, duke folur me ipeshkvijtë italianë: “Ishte një dorë amtare, që e drejtoi trajektoren e plumbit e Papa shpëtoi pikërisht në çastin kur po shkelte pragun e vdekjes”. E sa e vërtetë ishte kjo, e tregonte njëri nga plumbat që kishte shkuar fare pranë aortës dhe kolonës vertebrale, pa i prekur fare. Gjë e pamundur për mjekët. Joseph Ratzinger sqaroi, përmes dokumentit botuar nga Kongregata, ku ishte prefekt, se biseda private e Zojës me tre barinjtë e vegjël, nuk i shton asgjë zbulesës, që përfundon me ardhjen e Krishtit mbi tokë. Por pa dyshim është e çmueshme, “si ndihmë” për besimin tonë në Jezusin. E, përsa i përket  së fshehtës së tretë të Fatimës, që pati ngjallur shumë kureshtje, mund të themi se ka të bëjë me thirrjen e Engjëllit, që qëndronte pranë Zojës e kërkonte, duke përsëritur tri herë: “pendesë, pendesë pendesë!”.

14 maj 2021, 15:43