Flamuri i BE-së Flamuri i BE-së 

BE-Selia e Shenjtë: 50-vjet marrëdhënie dhe sensibilizim të ndërgjegjeve

Selia e Shenjtë dhe Bashkimi Evropian po kremtojnë këto ditë 50-vjetorin e lidhjes së marrëdhënieve diplomatike, mbi bazën e këndvështrimeve të shumta të përbashkëta. Që nga fillimi, BE-ja u ndoq me shumë interes nga ana e Papëve, që nuk pushuan së kujtuari misionin e këtij Bashkimi ndërmjet popujve...

R. SH. - Vatikan

Më 10 nëntor 1970 nunci apostolik, në krye të misionit të Selisë së Shenjtë në Bruksel, imzot Eugjenio Cardinale, i pati paraqitur letrat kredenciale  kryetarit të Bashkimit Evropian, Franco Maria Malfatti: kështu marrëdhëniet e Selisë së Shenjtë me Bashkimin Evropian sivjet kremtojnë 50 vjetorin.

Sébastian Maillard, drejtor i Institutit Jacques-Delors dhe korrespondent i gazetës La Crois, analizon rrugën që ndoqën këto marrëdhënie  gjatë 50-vjetëve:

Ç’mund të na thoni për natyrën e lidhjeve të Selisë së Shenjtë me Bashkimin Evropian? E edhe për karakteristikat e këtyre lidhjeve?

“Para së gjithash, janë lidhje dialogu. Bashkimi Evropian, i përfaqësuar  nga një ambasador, lidhet rregullisht me dikasteret e ndryshme, me ambasadorët e tjerë pranë Selisë së Shenjtë dhe me të gjitha autoritetet  e diplomacisë vatikanase.

Kur BE-ja nënshkroi “paktin e gjelbër” për ndryshimet klimatike, e bëri këtë, për shembull, duke pasur parasysh edhe qëndrimet e mbajtura nga Selia e Shenjtë. Pra, bëhet fjalë për dialog e edhe për kritikë dashamire  nga ana e Selisë së Shenjtë, në përpjekje për ndërtimin e Evropës. Që në fillim, që nga deklarata Schuman e nga Traktatet e ndryshme që e bënë Evropën si është sot, shikojmë se Papët, që u ulën në fronin e Shën Pjetrit, nga Piu XII - tek Françesku, treguan interes për ndërtimin  evropian, si asnjë Kishë tjetër e botës.

Papa takohet me Ursula von der Layen, në Vatikan

Të shtunën e kaluar, më 22 maj, Papa Françesku priti në audiencë, në Pallatin Apostolik të Vatikanit, kryetaren e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Çfarë mund të na thoni për ndikimin  e Selisë së Shenjtë mbi institucionet evropiane? A mund të matet ky ndikim?

“Jo, nuk mund të matet drejtpërdrejt, sepse është shumë i përhapur. Për shembull dihet se ndërtimi i Evropës, në shumë zona, bazohet mbi solidaritetin, posaçërisht ndërmjet vendeve të mëdha ndaj vendeve të vogla, që këta të mos mbeten pas. E që kjo të mos ndodhë, ndërhyn mekanizmi i shpërndarjes. E pamë këtë edhe gjatë krizës së Covid-19 lidhur me planin e përtëritjes. Mund të themi se i gjithë ky solidaritet në punë, trashëgohet drejtpërdrejt nga kultura e krishterë, tejet e përhapur në vendet e evropiane. Ky ndikim duket qartë përmes politikave dhe gjithë veprimtarisë, që mishërojnë. Duhet vërejtur se kjo mungon në politikën migratore. Deri më sot shtetet anëtare nuk kanë arritur të merren vesh për një pakt të vetëm… e nuk mund të thuhet as se në këtë pikë e dëgjuan zërin e Papës Françesku….”.

E tema e ‘rrënjëve të krishtera të Evropës  ka ngjallur shpesh edhe debate ndërmjet Selisë së Shenjtë  e BE-së. Vijon akoma ky qëndrim?

“E dimë se në Hyrjen e Traktatit evropian nuk u përfshi shprehja ‘rrënjët e krishtera”. E kjo, me kërkesën e Francës, e vetmja  që e kundërshtoi këtë emërtim. Gjithsesi, ndonëse rrënjët e krishtera nuk kujtohen shprehimisht,  përshkojnë gjithë trashëgiminë tonë e të gjitha veprimtaritë e solidaritetit, që u kujtuan më sipër”.

A mund të themi se Papët dhe Selia e Shenjtë janë, në një farë mënyre, ndërgjegjja e Evropës?

“Po, mund ta themi. Kujtoni  çastin kur Papa Françesku, fitues i  Çmimit Karli i Madh, në vitin 2006, priti në Romë  të gjithë liderët evropianë; edhe atë, kur shqiptoi fjalimin në Parlamentin e Strasburgut, duke i bërë jehonë  fjalëve të Gjon Palit II që, më 1982, pati bërë thirrjen, e cila ushton edhe sot në viset e pafundme të Kontinentit: “Evropë, ji vetvetja!”.

28 maj 2021, 12:52