Afërsia e Papës me Indinë e goditur nga Covid

Papa Françesku i dërgon një mesazh të gjatë Kardinalit Oswald Gracias, kryeipeshkёv i Bombeit dhe president i ipeshkvijve indianë, duke siguruar lutjen e tij për viktimat dhe duke i kërkuar Zotit për të sëmurët, familjarët, mjekët e personelin ndihmës "qëndresë, forcë dhe paqe".

R.SH. - Vatikan

Turrët e druve mbi të cilat digjen kufomat djegin edhe lotët e një vendi që nuk arrin tё përballet me ritmin e pamëshirshëm të virusit qё avancon. Katër mijë vdekje në ditë, 380 mijë infeksione në 24 orët e fundit, që nënkupton miliona raste në muaj. India, e cila tejkalon rekordet e të dhënave tё tmerrshme të pandemisë, po përballet me një luftë të pabarabartë kundër përhapjes së Covid-19 nё vend, dhe nё anёn tjetёr një sasi e madhe burimesh ekonomike - gati 7 miliardë dollarë - janë ndarë për vaksinat dhe pёr kujdesin shëndetësor.

"Solidariteti im i përzemërt"

Ky ёshtё skenari që mbush faqet e para tё mediave dhe është po i njëjti skenar që e shtyu Papën Françesku pёr të shpreh ndjenjat e tij me shkrim drejtuar popullit tё vendit të madh aziatik dhe Kishës së tij.

"Në këtë kohë kur kaq shumë njerëz në Indi vuajnë nga situata e jashtëzakonshme shëndetësore, po shkruaj për tё përcjellë solidaritetin tim të përzemërt dhe afërsinë time shpirtërore me mbarë popullin". Mesazhi gjatë i Papёs i adresohet Kardinalit Oswald Gracias, kryeipeshkёv i Bombeit dhe president i ipeshkvijve vendor.

Afër të gjithëve

Papa Françesku dëshiron të kujtoi këdo që ёshtё prekur nga koronavirusi. “Mendimet e mia - shkruan Ati i Shenjtё – u shkojnë mbi të gjitha të sëmurëve e familjeve tё tyre, personave që i ndihmojnë tё sёmurёt, e veçanërisht atyre që po vajtojnë për humbjen e të dashurve nga Covid. Po kёshtu i kujtoi mjekët, infermierët, punëtorët e spitaleve, shoferët e ambulancave dhe tё gjithё ata që punojnë pa u lodhur për t'iu përgjigjur urgjencave që kanё vëllezërit dhe motrat e tyre. Me mirënjohje të thellë pёr tё gjithё kёrkoj prej Zotit dhuratёn e qëndresës, forcës dhe paqes”.

Kisha goditi por në vijën e parë

Komunitetit katolik të Indisë, Papa Françesku i drejton fjalё mirënjohjeje për punën e bamirësisë e tё solidaritetit  "në shërbim të të gjithëve" pa dallim. Mendoj, thekson Papa, "për bujarinë e treguar nga kaq shumë të rinj të përkushtuar" e përfundon duke ia rekomanduar mëshirës hyjnore "besimtarët që kanë humbur jetën, si dhe numrin e madh të priftërinjve, tё rregulltarёve dhe rregulltareve". "Në këto ditë dhimbjesh të mëdha - përfundon Papa- ne të gjithë mund të ngushëllohemi nga shpresa që vjen nga Pashkët e nga besimi ynë i patundur në premtimin e ringjalljes e të jetës së re në Krishtin".

06 maj 2021, 15:07