Kardinali Tumi Kardinali Tumi 

Vdiq kardinali Tumi, njeri i Zotit, në shërbim të paqes e të drejtësisë

Ishte 90 vjeç. I pari kardinal kamerunez, mbrojtës i paqes dhe i të drejtave të njeriut, në një tokë të plagosur nga konfliktet. Kryeipeshkvi i Doualas, imzot Samuel Kleda, pohon: “Humbëm një bari të madh”.

R. SH. - Vatikan

Ndërroi jetë sot, në orët e para të 3 prillit, në moshën 90 vjeçare, kardinali Christian Wiyghan Tumi, kryeipeshkëv nderi i Doualas. E shkriu gjithë jetën prej bariu për paqësimin dhe zhvillimin e vendit të tij, Kamerunit. Në vitin 2019 mori çmimin Nelson Mandela për mbrojtjen e paqes dhe respektimin e të drejtave të njeriut  kundër çdo diskriminimi etnik e fetar në Kamerun.

“E kemi për detyrë të bëjmë gjithçka është e mundur, edhe me çmimin e jetës, për ta kthyer paqen”, pati thënë kardinali, kur nisën ndeshjet e vitit 2016, në vijim të kërkesave  të kamerunezëve të gjuhës angleze për mbrojtjen e të drejtave të tyre të mohuara.  

Imzot Samuel Kleda, kryeipeshkëv i Doualas, flet me emocion të thellë për kardinalin Tumi:

“Bariu ynë na la sot në mëngjes, shumë heret. Ishte bari i madh. Njeri, që dëshironte të qëndronte gjithnjë pranë njerëzve, që luftonte gjithnjë për drejtësinë. Humbëm një figurë të madhe. Për shkak të veprimtarisë, që kryente, kohët e fundit ndjehej shumë i lodhur. Ia dhashë gjithë besimtarëve këtë lajm të hidhur e u kërkova të gjithëve të luten për shpirtin e tij, që Zotit ynë ta pranojë me mëshirën e tij të pambaruar”

Rrëmbimi

Në nëntor 2020 kardinali Tumi qe rrëmbyer nga një grup i armatosur separatistësh anglofolës të rajonit të shumëtrazuar të Ambazonias, që i kundërviheshin veprimtarisë së tij paqëtuese. U la i lirë disa orë pas rrëmbimit. Tumin e donin shumë edhe të rinjtë, të cilët i nxiste të vijonin shkollat, që separatistët i konsideronin si simbol i pushtetit qëndror. U rrëmbye pas masakrës së tetë fëmijëve të shkollës dygjuhëshe ndërkombëtare Mother Francisca di Kumba, ngjarje për të cilën Papa pati shprehur dhimbjen e tij, duke bërë thirrje për t’i dhënë fund dhunës, gjatë audiencës së përgjithshme  të 28 tetorit.

Dy fjalë, për një jetë shkrirë në shërbim të Kishës

Kardinali Tumi lindi më 15 tetor 1930, në  Kikaikelaki. Ishte fëmija i katërt, ndërmjet shtatëve. Prindërit ia falën Zotit, duke i vënë edhe një emër të dytë, Wiyghan, që do të thotë “në shtegtim, vetëm pak çaste pranë nesh”. E kështu kaloi jeta e tij, si meshtar në vitin 1966, në Fiango, e më pas pedagog pranë Seminarit të vogël “Bishop Rogan College” e, në vijim, në një mori detyrash të tjera, deri mël 1979, kur Gjon Pali II e emëroi ipeshkëv i Yagoua, duke e shuguruar një vit më pas, në Bazilikën e Shën Pjetrit. Në vitin  1988 Wojtyla e krijoi kardinal. Nga viti 1991 - deri në vitin  2009 ishte kryeipeshkëv i Doualës e kryetar i Konferencës Ipeshkvnore  të Kamerunit dhe i Simpoziumit të Konferencave Ipeshkvnore të Afrikës e Madagaskarit (SECAM). Mori pjesë në Sinode të ndryshme, ndërmjet të cilëve, dy asambletë e jashtëzakonshme për Afrikën, në vitet 1994 e 2009. E gjithë jeta e tij ishte në shërbim të Zotit e të njeriut! Jetoi me moton: “Ja ku jam, o Zot, po vij për të bërë vullnetin Tënd!”.

03 prill 2021, 16:40