Kardinali Edward I. Cassidy Kardinali Edward I. Cassidy 

Vdiq kardinali Edward Cassidy, një jetë në shërbim të Selisë së Shenjtë

Kryetar nderi i Këshillit Papnor për Nxitjen e Bashkimit të të Krishterëve, e kreu misionin e tij edhe si diplomat, në vende të ndryshme të botës

R. SH. - Vatikan

E kreu ndër nunciatura apostolike në vende të ndryshme të botës e në udhët e ekumenizmit misionin e tij, kardinali Edward Cassidy. E sot ndërroi jetë, në qytetin australian të Newcastle. I lindur në Sydney, më 5 korrik 1924,  më 1943 nisi të frekuentojnë seminarin e Santa Colombas, në Springwood. Një vit më pas kaloi në Collegio di San Patrizio, në Manly, ku përfundoi studimet. U shugurua meshtar në Katedralen e Shën Marisë,  më 23 korrik 1949. Nga viti 1950, deri më 1952, shërbeu si asistent pranë Famullisë së Yenda, në dioqezën e Wagga Wagga. Më 1952 nisi studimet  për Drejtësi Kanonike, pranë Universitetit Papnor Lateranens të Romës, duke u lauruar në vitin 1955. Frekuentoi, më pas, edhe Akademinë Kishtare, për të hyrë menjëherë në shërbimin diplomatik të Selisë së Shenjtë.

Data e funeralit nuk është caktuar akoma.

Misioni diplomatik nëpër botë

Misionin e parë diplomatik e nisi pranë Internunciaturës Apostolike në Indi (1955-1962). Më pas kaloi pesë vjet, nga viti 1962 - në vitin 1967, në Nunciaturën Apostolike të Dublinit; dy vjet në El Salvador (1967-1969) e një vit në Argjentinë. U shugurua ipeshkëv më 15 nëntor 1970. Në vitin 1972 nisi detyrën e Pro-Nuncit Apostolik në Bangladesh, vend që sapo kishte fituar pavarësinë, e edhe Delegat Apostolik në Birmani. Më 25 mars 1979 u emërua Delegat Apostolik në Afrikën Jugore dhe Pro-Nunc Apostolik në Lesotho. Më 23 marzo 1988 ishte Zëvendës i Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit për Çështjet e Përgjithshme. Më 1989 u emërua kryetar i Këshillit Papnor për Nxitjen e Bashkimit të të Krishterëve. Detyrë, kjo, që e kreu deri më 3 mars 2001. U krijua kardinal në Koncistorin e 28 qershorit 1991 nga Gjon Pali II.

10 prill 2021, 13:59