Kërko

 'Amoris laetitia' viti i familjes  2021-2022 'Amoris laetitia' viti i familjes 2021-2022 

Përvjetori i Amoris Laetitia, atë Mello: letër dashurie e Papës

Vijojnë nismat për të kujtuar pesëvjetorin e Nxitjes Apostolike të Françeskut. Në mikrofonet tona, sekretari i Dikasterit për Laikët, Familjen e Jetën, e quan: tekst, që na kujton se familja zë kryet e vendit në shoqëri dhe në Kishë.

R. SH. - Vatikan

E nënshkruar më 19 mars 2016, botuar më 8 prill të të njëjtit vit, Nxitja Apostolike Amoris Laetitia mbi dashurinë në familje është fryt i reflektimit të Papës dhe i ipeshkvijve të Kishës gjatë dy sinodeve, atij të vitit 2014, të jashtëzakonshëm, kushtuar “Sfidave baritore të familjes në rrethanat e Ungjillëzimit”, e atij të zakonshëm të 2015-tës kushtuar “Thirrjes dhe misionit të familjes në Kishë e në botën bashkëkohore”. Ky përvjetor  i pestë është edhe rast për të kujtuar rëndësinë e dokumentit papnor si dhe nismat e parashikuara për këtë vit, siç shpjegon atë Alexandre Awi Mello, sekretar i Dikasterit për Laikët, Familjen e Jetën,  në transmetimin “Radio Vaticana con Voi” (Radio Vatikani me Ju):

“Pas Evangelii gaudium, “program” i papnisë së Françeskut, tema e parë e madhe që përballoi Papa është ajo e familjes. Thirri dy Sinode për të reflektuar me fund mbi këtë temë e edhe për të propozuar udhët baritore konkrete. Që nga fillimi, Papa shprehu bindjen se familja zë kryet e vendit në shoqëri e në Kishë. Familja, që pranon e lind jetën, që edukon brezat, që na transmeton fenë, vlerat, që ndërton shoqërinë nga brenda! Prandaj iu duk e rëndësishme, që në fillim, të reflektonte me ipeshkvijtë e mbarë botës mbi këtë temë, që ka gjithnjë vendin e nderit, në vijim të papnisë së tij. Tani, përvjetori i pestë është rast për ta vënë përsëri familjen në qendër të vëmendjes baritore të Kishës.

Duke u nisur nga përvoja juaj e punës në Dikasterin për Laikët, Familjen, Jetën, a mund të na thoni dy fjalë për mënyrën si u prit ky dokument, edhe praktikisht, në vendet e ndryshme e, sidomos, në familjet katolike nëpër botë?

“Mënyra si u prit Amoris laetitia në vendet e ndryshme të botës, ishte krejt e ndryshme. Një mori dioqezash e konferencash ipeshkvnore e pritën shumë mirë që në fillim. Adoptuan programet e tyre të baritorisë, i bënë të vetat porositë e saj e u udhëhoqën prej tyre. Në shumë vende puna u përqendrua posaçërisht mbi Kapitullin VIII, që trajton problemin e brishtësisë së familjes në botën e sotme. Shumë familje e njohin, por ka edhe nga ato, që nuk e njohin. Mëkat! Sepse ky është thesar i vërtetë për familjet. Fjalët e Papës përmbledhin gjithë reflektimin e bërë, gjatë më se dy vjetëve. Kisha dhe ipeshkvijtë e saj, duke nisur nga konferencat ipeshkvnore. Në fund Papa shkroi edhe një Letër dashurie, drejtuar të gjitha familjeve, ndaj pesëvjetori i botimit është rast i mirë “për ta nxjerrë nga sirtaret” këtë Letër dashurie, për ta rilexuar e për t’i medituar këshillat e saj praktike, sepse Papa është shumë praktik. Në gjithçka bën e thotë. Hyn në hollësitë e jetës familjare: në kultivimin e dashurisë, në vështirësitë, problemet, gazet e helmet e jetës familjare. E do të ishte me shumë vlerë edhe të viheshin në jetë reflektimet baritore të kësaj nxitjeje apostolike”.

Për të mos e harruar, madje për ta ristudiuar këtë  dokument, u shpall, me rastin e solemnitetit të Shën Jozefit, edhe Viti i familjes “Amoris Laetitia” e mendoj edhe për projektin, që po e çon përpara Dikasteri i Laikëve së bashku me Vatican News dhe Dikasterin e Komunikimit, në të cilin  për gjithë muaj, në çdo 10 puntatat, mund të ndiqet edhe një video me reflektimet e Papës, si dhe me dëshmitë e familjeve nga të katër anët botës…

“Është projekt shumë i gjerë por ne, si Dikaster për Laikët, kemi nisma të tjera, si kjo, shumë e bukur, me seri videosh kushtuar familjes. Njëherësh me videot, që do të botohen çdo muaj si material ndihmës për punën baritore në familje, domethënë, që të mund të punohet së bashku në familje, në famulli e në grupe me çiftet e reja. Është, pra, material ndihmës shumë i përshtatshëm për ta njohur e për ta zbatuar më mirë nxitjen, duke u nisur nga fjalët e Papës e për të vijuar me dëshmitë e familjeve, pa kujtuar këtu, një mori nismash të tjera… Do të kremtohet Dita botërore kushtuar gjyshërve e të moshuarve në të dielën e katërt të korrikut, pranë festës së gjyshërve të Jezusit, Shën Joakinit e Shën Anës, si dhe nisma të tjera,  si forumi i këtij viti me drejtuesit e baritorisë familjare të mbarë botës dhe dymbëdhjetë rrugët, që dëshirojmë t’ua propozojmë familjeve  për ta vënë në jetë “Amoris Laetitia”. I gjithë ky program mund të gjindet në kanalin tonë www.amorislaetiatia.va. Në këtë kuptim edhe konferencat ipeshkvnore, famullitë, dioqezat ftohen të marrin nismat e tyre, pa pritur që  ne ta bëjmë gjithçka. Sigurisht ngjarjet më të rëndësishme do të jenë ato, që do të organizohen në gjirin e vetë dioqezave e të famullive. Thirrja u drejtohet familjeve, famullitarëve e ipeshkvijve të tyre, që ta shfrytëzojnë këtë mundësi të krijuar nga Papa, për ta rilexuar e për ta rizbuluar bukurinë e kësaj nxitjeje apostolike”.

09 prill 2021, 11:53