2015-04-15 Benedizione statua San Giorgio 2015-04-15 Benedizione statua San Giorgio

Përkujtimi i Shën Gjergjit, dita e emrit e Papës: urime nga e gjithë bota

Sot, 23 prill, Kisha kremton festën liturgjike të shën Gjergjit, që është edhe dita e emrit të Papës Françesku. Vërtet, ai quhet Jorge (Gjergj në shqip) Mario Bergoglio. Urimet po i vijnë këtyre orëve, nga e gjithë bota.

R.SH. - Vatikan

Sot, 23 prill, Kisha katolike kremton festën liturgjike të shën Gjergjit, që është edhe dita e emrit të Papës Françesku. Vërtet, ai quhet Jorge (Gjergj në shqip) Mario Bergoglio. Urimet po i vijnë këtyre orëve, nga e gjithë bota.

Lufta e shën Gjergjit kundër kuçedrës

Lindur në Kapadoki, komandant i ushtrisë së Dioklecianit, shën Gjergji vdiq martir në vitin 303. Ishte koha e persekutimeve të tmerrshme kundër të krishterëve, urdhëruar nga vetë perandori romak, prandaj shën Gjergji vdiq nën tortura të llahtarshme, vetëm sepse nuk pranoi të mohonte fenë e vet në Krishtin. Në historinë e martirizimit të tij ka mbetur i famshëm episodi legjendar, në të cilin, i mbrojtur nga Kryqi, vret kuçedrën, që gllabëronte njerëzit: simbol i fesë, e cila triumfon mbi të keqen.

Reflektimet e Papës mbi luftën kundër së keqes

 Lutja e Atynës përfundon me frazën: “na liro prej gjithë së keq”. Në të vërtetë, shpjegon shpesh Papa, e keqja nuk është diçka abstrakte, është një person: djalli. Në meshën e kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, më 11 prill 2014, Ati i Shenjtë Jorge Mario Bergoglio pati thënë: “Jeta e Jezusit ka qenë luftë. Ai erdhi për të fituar mbi të keqen, mbi princin e kësaj bote, mbi djallin”. Është luftë, që duhet përballuar nga çdo i krishterë. Kush dëshiron ta ndjekë Jezusin, duhet “ta njohë mirë këtë të vërtetë”, nënvizon Papa.

Lufta kundër tundimeve

 “Ne jemi objekt i sulmit të djallit – vazhdon Papa Françesku – sepse shpirti i së Keqes nuk e do shenjtërimin tonë, nuk e do dëshminë e krishterë, nuk do që ne të jemi dishepuj të Krishtit. E si ia bën shpirti i së Keqes për të na larguar nga udha e Jezusit me tundimet e veta? Tundimet e demonit kanë tri karakteristika e ne duhet t’i njohim për të mos rënë në kurth. Ҫ’bën djalli për të na larguar nga udha e Jezusit? Tundimi fillon dalëngadalë, por shtohet: shtohet gjithnjë. Së dyti, shtohet e përhapet, i transmetohet dikujt tjetër, përpiqet të marrë natyrë bashkësie. E së fundi, për ta qetësuar shpirtin, shfajësohet. Pra, shtohet, transmetohet dhe shfajësohet”.

Nuk duhet të jemi naivë

E Papa thekson: “Ndokush prej jush, ndoshta, mund të thotë: ‘O Atë, sa mbrapa botës je: flet për djallin në shekullin XXI!’ Kujdes, djalli ekziston! Djalli ekziston edhe në shekullin XXI! E nuk duhet të jemi naivë, eh? Duhet të mësojmë nga Ungjilli si të luftojmë kundër tij”.

Sulm kundër unitetit të Kishës

Fjala “djall” rrjedh nga greqishtja “dia-bolos” e do të thotë “ai, që ndan”. Demoni dëshiron të na ndajë nga Zoti, dëshiron t’i përçajë vëllezërit, sulmon unitetin e Kishës. “Vetëshkatërrimi, ose dëmi që të vjen nga s’e pret, për shembull nga miqtë – vëren Papa Françesku – është rreziku më i poshtër. Është e keqja, që godet nga brenda; e, siç thotë Krishti, çdo mbretëri e përçarë bie” (Urimet për Kurien Romake, 22 dhjetor 2014). Djalli përpiqet ta shkatërrojë Kishën. E tija, është “luftë e ndyrë” e “ne, naivët, bëjmë lojën e tij” (Mesha në Shtëpinë e Shën Martës, 12 shtator 2016). “Djalli përpiqet të ndezë luftë të brendshme, një lloj lufte civile e shpirtërore. Luftë, që nuk bëhet me armët, të cilat i njohim: bëhet me gjuhë” (Homelia për Xhandarmërinë e Vatikanit, 28 shtator 2013).

Mos u shkurajoni kurrë: gëzimi ynë është Jezusi

Kjo, nxitja e Françeskut: “Të mos kapitullojmë kurrë para pesimizmit, para atij hidhërimi, që djalli na e shkakton çdo ditë; të mos i hapim vend pesimizmit e shkurajimit: të jemi të sigurtë se Shpirti Shenjt i dhuron Kishës, me frymën e Tij të fuqishme, guximin  për të vijuar udhën” (audienca me kardinajtë, 15 mars 2013). “I yni nuk është gëzim, që lind nga zotërimi i gjërave, por nga takimi me një Person: me Jezusin, që është ndërmjet nesh; lind nga siguria se me Të, nuk jemi kurrë vetëm, edhe në çastet e vështira, edhe kur udha jetës has probleme e pengesa, që duken të pakapërcyeshme! Pikërisht në atë çast vjen armiku, vjen djalli, i maskuar shpesh si engjëll e, tinëzisht, thotë fjalën e vet. Mos e dëgjoni! Të ndjekim Krishtin!” (Homelia e së Dielës së Larit, 24 mars 2013).

Shën Gjergji e mundi kuçedrën

Shën Gjergji e mundi kuçedrën, simbol i fitores së fesë, e cila ka kërkesa të mirëpërcaktuara. Papa vë në dukje disa, me ftesën për “të mos krijuar mure, por ura; për të mos iu përgjigjur së keqes me të keqe, por për të fituar me të mirë mbi të keqen; për t’iu përgjigjur fyerjes me falje – i krishteri nuk mund të thotë kurrë: do të ma paguash!, kurrë; ky nuk është gjest i krishterë; është falja, që fiton mbi fyerjen – le të jetojmë në paqe me të gjithë. Kjo është Kisha! E kjo është vepra e shpresës së krishterë, kur merr përvijimet e forta e njëkohësisht, të buta, të dashurisë. Dashuria është e fortë dhe e butë. Është e bukur” (Audienca e përgjithshme e 8 shkurtit 2017).

23 prill 2021, 09:23