2021.04.05 Intervista di Radio Cope al cardinale segretario di Stato Pietro Parolin (5 aprile 2020) 2021.04.05 Intervista di Radio Cope al cardinale segretario di Stato Pietro Parolin (5 aprile 2020) 

Kardinali Parolin: Kisha, e bashkuar në transmetimin e besueshëm të Ungjillit në botë

Në një intervistë dhënë radios COPE, sekretari i Shtetit të Vatikanit preku një sërë temash, nga thirrja e tij meshtarake, tek marrëdhëniet me Papën Françesku, nga kundërvëniet aktuale në bashkësinë kishtare, tek realiteti i Kishës në Kinë.

R. SH. - Vatikan

 “Jemi në shërbim të bashkimit”, e edhe të mbrojtjes e “të promovimit të lirisë së Kishës, lirisë fetare. E doemos, kemi edhe detyrën e mbrojtjes së paqes në botë. Merreni me mend sa duhet të punojë Kisha për paqen. Kjo është mënyra si e shikoj unë diplomacinë”. Shprehet kështu, kardinali Pietro Parolinsekretar i Shtetit të Vatikanit, në një intervistë dhënë José Luis Restán, drejtor editorial i rrjetit radiofonik spanjoll COPE, me rastin e Pashkëve. Temat kryesore, që u prekën, ishin: “Figura e Sekretarit të Shtetit dhe shërbimi i tij përkrah Papës, reforma e Kuries, konfliktet brenda Kishës, realiteti i Kishës në Kinë, shtegtimi në Irak dhe Misioni i Kishës në Evropë”.

Të forcohet lidhja e Selisë së Shenjtë me Kishat vendase

Njohës i madh i realitetit të Kishës në të pesë kontinentet, kardinali foli për thirrjen e tij e për mundësinë që iu dha, 40 vjet më parë, të vihej në shërbim të Papës, pa dashur. “Besoj se thirrja ime themelore është ajo meshtarake, ajo e shërbëtorit të Zotit, që punon për Kishën e për shpirtrat” - pohoi, duke kujtuar se “ka një mori mënyrash për ushtrimin e  meshtarisë” e se edhe diplomacia kishtare bën pjesë ndër to. Nuk kam vërejtur kurrë ndonjë kundërvënie ndërmjet qenies meshtar e  diplomat, edhe pse, posaçërisht pas Koncili II të Vatikanit,  detyra e nuncit shikohet si detyrë baritore”, me synimin që të forcojë lidhjet ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Kishave vendase, shpjegoi.

Reforma e Kuries

Një detyrë, kjo e sekretarit të Shtetit - shtoi -  që do të vijojë e pandryshuar, edhe kur reforma e Kuries romake, që po përgatitet nga Papa, do të përfundojë. Kushtetuta e re apostolike do ta zëvendësojë këtë, që është aktualisht në fuqi, duke ruajtur, ndoshta, titullin e fjalëve të para “Praedicate Evangelium”. Sekretari i Shtetit - pra - do të vijojë të koordinojë Sekretarinë e Shtetit, organ që e ndihmon nga afër Papën në qeverisjen e Kishës, në tre seksionet e saj: atë të punëve të përgjithshme, të marrëdhënieve me shtetet e të personelit diplomatik. “Do të vijojë t’i koordinojë këto tre seksione - saktësoi - e të punojë posaçërisht, besoj, për diplomacinë kishtare”.

Bashkëpunimi me Papën Françesku.

Dëshmitar i veçantë i Papnisë së Papës Françesku, kardinali kujtoi çudinë e tij kur, ende nunc në Venezuelë, Ati i Shenjtë, tetë vjet më parë, dy muaj pas zgjedhjes në selinë papnore, i kërkoi të jetë sekretar i Shtetit. Tregoi, më pas, sesi ndryshimet e temperamentit ndërmjet tyre ishin e janë në dobi të shërbimit në Kishë. “Është fjala për shndërrimin e ndryshimeve tona, në pasuri për botën”, siç thotë Papa. Që të mos krijohet kurrë konflikt, por bashkëpunim e që secili, “me këndvështrimin e vet, me stilin e vet, me ndjeshmërinë e vet, me përgatitjen, kulturën, përshpirtërinë”, të mund të bashkëpunojë me tjetrin.

Kisha të jetë e besueshme në kumtimin e Ungjillit

Duke vijuar të flasë për figurën e Papës, kardinali shtoi se çka e prek më shumë është thjeshtësia e tij e madhe. “Kur i afrohesh, e shikon menjëherë se ke të bësh me një njeri të thjeshtë, pa protokoll - vërejti - një njeri që kujdeset shumë për marrëdhëniet dhe afërsinë me tjetrin, që kërkon t’i takojë njerëzit”, karakteristika këto, edhe të mënyrës si punon, me dëshirën “për ta bërë Kishën sa më të besueshme në kumtimin e Ungjillit”.

Shqetësimi për kontrastet në Kishë

Lidhur, pastaj, me temën e kontrasteve në bashkësinë kishtare ndërmjet krahut të ashtuquajtur konservator e atij, që ashtuquhet progresist, Kardinali nënvizoi se kjo situatë mund t’i sjellë vetëm dëm Kishës, duke pasur parasysh se Krishti u lut gjithnjë për unitetin e saj. Problemi ndoshta lind nga fakti se Papa i jep shumë rëndësi reformës së Kishës, e bëhet shumë konfuzion lidhur me këtë. Struktura e Kishës, depozita e fesë, sakramentet, shërbesa apostolike nuk mund të ndryshohen, por ekziston “edhe e gjithë jeta e Kishës, që mund të përtërihet”, një jetë, që jetohet nga njerëz mëkatarë e që, prandaj, “ka nevojë për risim”. Kështu shpesh “kundërvëniet lindin nga konfuzioni, nga paaftësia për të dalluar çka nuk është themelore e duhet reformuar, sipas frymës së Ungjillit”.

Shpresë për ardhmërinë e Kishës në Kinë

Lidhur me përballimin e realitetit në Kishën e Kinës, kardinali Parolin nënvizoi se Selia e Shenjtë e shikon me shumë respekt, për historinë e vuajtjes së saj të madhe, por edhe për shpresën, po aq të madhe. Hapat e bëra deri tani “edhe pse nuk i kanë zgjidhur të gjitha problemet që ekzistojnë akoma e që ndoshta duan kohë për t’u zgjidhur – shpjegoi - janë në drejtimin e duhur, drejt pajtimit brenda Kishës”. 

Rëndësi të dorës së parë ka të garantohen hapësira lirie fetare, bashkimi,  sepse Kisha katolike nuk mund të jetojë pa bashkimin me Pasardhësin e Pjetrit, me Papën!

Dëshmia e madhe e të krishterëve irakianë

Duke kujtuar shtegtimin në Irak dhe takimin me një Kishë të persekutuar, që vijon të vuajë e të jetojë në atmosferën e mosbesimit e të paqartësisë, “e cila nuk i lejon të krishterët të shikojnë një ardhmëri të re për vendin”, kardinali Parolin foli për mësimin e madh, që dhanë të krishterët irakianë: “Na mësuan dëshminë e fesë, që arrin deri në martirizim - pohoi - E ky është mësimi i madh, që morëm nga të krishterët irakianë. Pavarësisht nga atentatet dhe nga të vdekurit, ata vijojnë ta dëshmojnë fenë katolike me guxim të jashtëzakonshëm. E kjo është edhe thirrje për solidaritet: “Na mësojnë se duhet të jemi besnikë, pavarësisht nga të gjitha vështirësitë - vërejti - por njëkohësisht na kërkojnë më shumë solidaritet”.

 Humbja e fesë në Evropë

Duke folur për fenë në Evropë, kardinali Parolin kujtoi se ndjehet fort “humbja e fesë”, në këto ndryshime antropologjike që vërehen, duke nëvizuar  se “të humbasësh identitetin e njeriut, më shumë se humbje e fesë, do të thotë humbje e vetë arsyes. Siç ka theksuar shumë herë Papa, për shembull, “Çështja e abortit nuk është çështje  fetare”, por çështje që ka të bëjë me arsyen”.  E ka shumë mundësi që sot, siç ka thënë Benedikti XVI, “problemi themelor është pikërisht arsyeja, jo feja”. Së fundi kardinali theksoi se misioni i Kishës në Evropë është ai i dëshmisë. “Duhet ta dëshmojmë fenë tonë, shpresën tonë, dashurinë tonë” pa kundërvënie, por vetëm duke ofruar “një dëshmi në përkim të plotë me jetën e krishterë”, siç ndodhte në shekujt e parë të Kishës, kur apostujt e dishepujt arrinin në gjirin e shoqërive pa vlera të krishtera e, përmes dëshmisë së tyre, ia dilnin mbanesh ta ndryshonin mendësinë e kohës, duke bërë që shoqëria të përvetësonte vlerat e Ungjillit.

Nevoja e lutjes

Sot, më shumë se kurrë - përfundoi kardinali Parolin - kemi nevojë për lutje, për t’u bashkuar të gjithë në lutje, që Zoti të na ndihmojë për të qenë besnikë “në misionin e dëshmimit të Ungjillit e të përkatësisë sonë ndaj Kishës në botën e sotme”.

05 prill 2021, 16:49