2020.04.19 Messa nella Domenica della Divinia Misericordia 2020.04.19 Messa nella Domenica della Divinia Misericordia

Festa e Mëshirës Hyjnore, Papa do të kremtojë Meshën në Kishёn e ‘Santo Spirito’ në Romё

Për herë të dytë, Papa do të kremtojë Meshën e Shenjtë në festën e Mëshirës Hyjnore, e cila këtë vit bie të Dielën e ardhshme, mё 11 prill, në Kishën ‘Santo Spirito’ në Sassia në Romë. Mesha do të kremtohet privatisht në orёn 10.30 dhe në përfundim tё kremtimit, Papa do të kryesojë lutjen mariane tё Mbretëreshës Qiellore nga e njëjta Kishë romake.

R.SH. - Vatikan

Për herë të dytë, Papa Françesku do të kryesojë kremtimin e Meshës së Shenjtë në festën e Mëshirës Hyjnore, e cila këtë vit bie të Dielën e ardhshme mё 11 prill, në Kishën ‘Santo Spirito’ në Sassia në Romë.

Mesha do të kremtohet privatisht në orёn 10.30 dhe në përfundim tё kremtimit, Papa Bergoglio do të kryesojë lutjen mariane tё Mbretëreshës Qiellore nga e njëjta Kishë romake kushtuar Shpirtit Shenjt.

Mesha e Shenjtë dhe lutja e Mbretëreshës Qiellore të dielën më 11 prill do të transmetohen drejtpërdrejt nga televizioni Vatican Media dhe transmetohen nga Vatican News me komente në italisht, frëngjisht, anglisht, gjermanisht, spanjisht, portugalisht dhe arabisht. Imazhet e kremtimit tё Meshёs sё Papës  të dielën e ardhshme mё 11 prill do të shpërndahen nga Vatikan Media për mediat qё do tё bëjnë kërkesën, në mënyrë që besimtarët e mbarë botës tё mund tё marrin pjesë.

E Diela pas Pashkëve – e Diela e Mëshirës Hyjnore

Po kujtojmë se është bërë tashmë traditë, që në të Dielën II pas Pashkëve, Kisha Katolike të kremtojë festën e Mëshirës Hyjnore. E është Papa Gjon Pali II ai që e themeloi, që e shpalli këtë të diel – të dielën pas Pashkëve – të Dielëtë Mëshirës Hyjnore. 

E Diela II pas Pashkëve është dita që liturgjikisht përqendrohet tek temat e mëshirës, sepse lidhet me dukjen e Jezusit të Ngjallur para apostujve në Çenakull, me zemër të hapur, si dhe me themelimin e Sakramentit të Rrëfimit e të Pendesës. Është, pra, e diela në të cilën Liturgjia kishtare flet shumë për përdëllimin e Zotit, të manifestuar nga Krishti Jezus.

Siç dihet, kulti i Mëshirës Hyjnore mbetet i lidhur ngushtë me figurën e rregulltares mistike polake, Faustina Kovalska, lindur në fillim të shekullit të kaluar e vdekur në moshën 33 vjeçe, më 1938. Sot përshpirtëria e rregulltares polake, lartuar në nderimet e elterit nga Papa Gjon Pali II, është përhapur në shumë vise të botës.

Çka i kujton njerëzimit e Diela e Mëshirës Hyjnore?

Themelimi i së Dielës së Mëshirës Hyjnore nga Papa Shën Gjon Pali II, duhet vlerësuar si dhuratë e madhe për Kishën e për mbarë njerëzimin. Kjo e Diel i krijon Kishës mundësinë t’ia kumtojë botës mëshirën e Zotit e t’i flasë për madhështinë e saj të pambaruar. Përhapja e jashtëzakonshme e kultit të Mëshirës Hyjnore, që nga lumturimi i motrës Faustina më 18 prill 1993, tek kanonizimi i saj më 30 prill 2000, buron nga nevoja që ka çdo njeri për Mëshirën Hyjnore, sepse - siç thotë Papa Gjon Pali II - ku tjetër, përveçse në Mëshirën Hyjnore, mund të gjejnë strehë e shpresë njeriu e bota?

E Provania Hyjnore deshi që Papa Wojtila t’i mbyllte sytë për dritën e kësaj toke pikërisht natën e kësaj feste. Misteri i dashurisë përdëllyese ishte gjithnjë në qendër të papnisë së Gjon Palit II. E si mos te  kujtojmë dhe Enciklikën 'Dives in misericordia' si dhe fjalët e shqiptuara nga Papa Wojltila ditën e shugurimit të Shenjtërores së Mëshirës Hyjnore në Krakov, më 17 gusht të vitit 2002: “Sa nevojë ka bota e sotme për Mëshirën Hyjnore”, duke vënë kështu në dukje se kulti i Mëshirës Hyjnore nuk është devocion i dorës së dytë, por përmasë e fesë dhe e lutjes të të krishterit. E Diela e Mëshirës Hyjnore dhuratë e madhe për mbarë njerëzimin. Prandaj kjo festë i fton të gjithë të krishterët të jenë dëshmitarë të mëshirës së Zotit, të luten që Dashuria Hyjnore të fitojë mbi mëkatin e që e mira ta mundë të keqen.

08 prill 2021, 13:57