Kërko

Faqja e internetit "Fratelli tutti” Faqja e internetit "Fratelli tutti”

Papa: enciklika “Fratelli tutti” paraqitet nesër në Gjenevë

Misioni i përhershëm i Selisë së Shenjtë në Kombet e Bashkuara, organizon në Gjenevë, takimin virtual me temë “Vëllazërimi, qasja shumëpalëshe dhe paqja”, në kuadrin e të cilit do të paraqitet enciklika "Fratelli tutti" e Papës Françesku

R.SH. - Vatikan

Enciklika “Fratelli tutti” e Papës Françesku do të paraqitet nesër në selinë e OKB-së, në Gjenevë, në një veprimtari të organizuar në internet. Pikërisht, duke u nisur nga fjalët e Papës Bergoglio, Misioni i përhershëm i Selisë së Shenjtë në Kombet e Bashkuara, organizon takimin virtual me temë “Vëllazërimi, qasja shumëpalëshe dhe paqja”, në kuadrin e të cilit do të paraqitet enciklika.

Tryeza e parë e rrumbullakët: qasja shumëpalëshe

 Do të marrë pjesë edhe Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, i cili do të japë disa mendime mbi mënyrën e përdorimit të enciklikës papnore si “mjet diplomatik, që përvijon një kulturë vëllazërimi për t’u zbatuar në marrëdhëniet ndërkombëtare”. Takimi do të ketë dy tryeza: e para do t’i kushtohet rëndësisë së qasjes shumëpalëshe e pikërisht në të do të flasë kardinali Parolin, i cili do të promovojë dialogun si armë për të shembur muret, për të favorizuar pajtimin dhe për të hapur hapësira faljeje ndërmjet njerëzve.

Në një reflektim të thellë mbi nevojën e një qeverisjeje globale, e cila e zëvendëson përqendrimin e pushtetit me një lloj “sovraniteti kolegjial” frymëzuar nga vëllazërimi, kardinali Parolin do të pasohet edhe nga ekspertë të tjerë të OKB-së, të cilët, duke u nisur nga përvoja e organizatave dhe e mandateve që përfaqësojnë, do të vënë në dukje si mund t’i orientojë përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare qasja shumëpalëshe me njeriun në qendër, në mënyrë që në vend të konkurrencës të mbizotërojë bashkëpunimi për të mirën e përbashkët.

Tryeza e dytë: dialogu ndërfetar

Tryeza e dytë e rrumbullakët do të analizojë kontributin e dialogut ndërfetar në promovimin e një kulture të dialogut, të paqes e të drejtësisë shoqërore, në këndvështrimin e vëllazërimit njerëzor. Këtu, ndërhyrjet do t’i orientojë kryetari i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar, kardinali Miguel Angel Ayuso Guixot. Do të marrin pjesë përfaqësues të lartë të Kishave dhe të feve të tjera. Ideja është të propozohet një dialog i ri, me vetëdijen se besimtarët mund të përshkojnë udhën e vëllazërimit, pavarësisht nga ndryshimet ndërmjet tyre.

Ngjarja promovohet edhe nga Misioni i Urdhrit të Maltës në OKB-në e Gjenevës, nga Komisioni Ndërkombëtar Katolik për Migracionin, nga Forumi i Organizatave jo qeveritare Katolike, nga Universiteti Papnor Lateranens dhe nga Fondacioni “Caritas in Veritate”.

14 prill 2021, 14:16