Margherita e Città di Castello Margherita e Città di Castello 

Një Shën Margeritë e re për Kishën. Të Nderuar, një mjek e një drejtues industrial

Papa vendosi ta radhisë rregulltaren italiane Margherita e Città di Castello, në katalogun e Shenjtorëve, me Kanonizim të Barasvlershëm. Ndërmjet të Lumëve të rinj, 12 Martirë, vrarë gjatë luftës civile spanjolle. Pesë, të Nderuarit e rinj, ndërmjet të cilëve, mjeku Emanuele Stablum dhe një drejtues industrial argjentinas, Enrico Ernesto Shaw.

R. SH. - Vatikan

Në audiencën e sotme me kardinalin Marcello Semeraro, prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, Papa Françesku vendosi ta shtrijë në Kishën universale kultin e së Lumes Margherita e Città di Castello, rregulltare e të Tretit Urdhër të Vëllezërve Predikatarë, duke e shkruar në katalogun e Shenjtorëve me Shenjtërim Equipollente, apo të Barasvlershëm. Margherita, e lindur rreth vitit 1287 në Metola, pranë Urbinos, e varfër dhe e deformuar, kaloi një jetë të vështirë, mbyllur në një qeli, larg nga sytë e botës. Më pas prindërit  e braktisën, duke e lëshuar në dorën e solidaritetit të banorëve të Qytetit të Kështjellës. Po edhe kështu, jeta e saj vijoi me trazira të rënda, derisa u pranua në një familje, që i krijoi mundësitë t’i kushtohej e tëra lutjes, kundrimit, praktikave pendestare, veprave të bamirësisë dhe edukimit të fëmijëve të çiftit, që e kishte mikpritur. Vdiq më 13 prill 1320, në Città di Castello, e pak pas vdekjes  me emrin e saj nisën të lidhen shenja të ndryshme mrekullish e shërimesh të jashtëzakonshme si dhe fenomene të tjera mistike. Margerita është shembull i gruas ungjillore, që jetoi një përvojë të jashtëzakonshme bashkimi me Zotin. Sëmundja nuk e pengoi të jetojë një amësi të veçantë shpirtërore, që edhe sot e kësaj dite na kujton se duhet të kujdesemi për të tjerët. E njëkohësisht, është shenjë e ndritur shprese për çdo situatë vuajtje, që duket fare pa shpresë.

Martirë gjatë luftës civile spanjolle

Gjatë së njëjtës audiencë, Papa autorizoi Kongregatën të shpallë dekretet,  përmes të cilave njihet martirizimi i Shërbëtorëve të Zotit Vincenzo Nicasio Renuncio Toribio dhe 11 Shokëve të tij, të Kongregatës së Shën Shëlbuesit: janë gjashtë priftërinj e gjashtë vëllezër laikë, vrarë nga urrejtja për fenë, në Madrid, më 1936, gjatë luftës civile që, nga vitit 1936 deri më 1939, e mbyti në gjak Vendin iberik. Situata politiko-shoqërore në këto vite njihet mirë historikisht, ashtu si njihet edhe atmosfera e persekutimit të anëtarëve të Kishës katolike.

Pesë të Nderuar të rinj

Papa miratoi edhe Dekretet për njohjen e virtyteve heroike të pesë Shërbëtorëve të Zotit, që bëhen, kështu, të Nderuar. Ndërmjet tyre, kardinali Marcellino Corradini, ipeshkëv i Frascati-t, themelues i Kongregatës së Motrave Collegine të Familjes Shenjte.  

Do të jetë i Nderuar edhe Shërbëtrori i Zotit Emanuele Stablum, Rregulltar i Kongregatës së Bijve të Zojës së Papërlyer. Qe mjek i mirë. Gjatë pushtimit gjerman të Romës, ua hapi portat e spitalit shumë njerëzve, që kërkoheshin nga pushtuesi, duke shpëtuar jetën e qindra refugjatëve, ndërmjet të cilëve, 52 hebrenj. Për këtë akt heroik, më il 20 nëntor 2001 u quajt “I Drejtë ndërmjet kombeve”.

I njihen virtytet heroike edhe Shërbëtorit të Zotit Enrico Ernesto Shaw, bashkëshort e babë i nëntë fëmijëve, administrator-delegat industrie, që mbrojti me të gjitha forcat punëtorët, edhe si anëtar i Veprimit Katolik.  

Së fundi shpallen të Nderuara edhe Shërbëtorja e Zotit María de los Desamparados Portilla Crespo(26 maj 1925, Valencia, Spanjë-10 maj 1996, Madrid) si dhe Shërbëtorja e Zotit, Anfrosina Berardi, laike (6 dhjetor 1920, Itali - 13 mars 1933, Itali).

24 prill 2021, 15:53