Corpus Domini - Eucaristia Corpus Domini - Eucaristia

Eukaristia na bën miq e vëllezër!

Shkrirja me Krishtin, që realizohet në Pagëzim, fuqizohet më tej në Eukaristi. Mund të themi se jo vetëm secili prej nesh e merr Krishtin, por se edhe Krishti e merr secilin prej nesh. Eukaristia na bën popull i vërtetë, besimtar, i dashuruar, na bën njerëz me një zemër të vetme e një shpirt të vetëm. Eukaristia u themelua nga Jezusi që të bëhemi vëllezër.

R. SH. - Vatikan

Eukaristia është mbi të gjitha mister i fesë, dhurata më çmuar e Jezusit, i cili flijon vetveten për shpëtimin tonë. Duke kremtuar Eukaristinë, ngjarja shëlbuese e vdekjes dhe e ngjalljes së Jezusit, bëhet realisht e pranishme dhe vepruese: ky flijim është aq vendimtar për shëlbimin e gjinisë njerëzore, sa Jezu Krishti e kreu dhe u kthye te Ati Qiellor vetëm pasi na la mjetin për të marrë pjesë në Të e për të gëzuar frytet shëlbuese të flijimit të Tij. Eukaristia është bukë e gjallë që na jep ditë për ditë forcë e gjallëri.

Në radhë të dytë, Eukaristia themelon Kishën. Shkrirja me Krishtin, që realizohet në Pagëzim, fuqizohet më tej në Eukaristi. Mund të themi se jo vetëm secili prej nesh e merr Krishtin, por se edhe Krishti e merr secilin prej nesh. Eukaristia ka aftësi bashkuese. Duke qenë të pranishëm në Eukaristi, besimtarët bëhen një trup i vetëm, që nga çasti kur të gjithë marrin pjesë nga njëjta bukë, siç thotë edhe Shën Pali Apostull në letrën e parë drejtuar Korintianëve.

Kujtojmë këtu edhe vlerën e madhe të kultit eukaristik jashtë Meshe, me sakramentin jashtë e me ndalesat adhuruese ose vizitat e vazhdueshme tek Jezusi eukaristik. Lidhur me këtë, kujtojmë një episod nga jeta e Edith Stein. Një nga arsyet që e shtynë të rrokte fenë e krishterë, qe pikërisht përvoja e vizitave te Jezusi Eukaristik nga ana e besimtarëve të veçantë në Kishën katolike të Gjermanisë. Vërejti se katolikët shkonin të vizitonin një të Gjallë, Jezusin, mikun e tyre besnik e shëlbues.

Pika e tretë që vlen të theksohet, në se flasim me gjuhën e baritorisë, është lidhja ndërmjet eukaristisë dhe sakramentit të pendesës, rrëfimit. Pajtimi është rrugë e detyrueshme. Pa të nuk mund të merret pjesë plotësisht e me fryt në flijimin eukaristik. Eukaristisë duhet t'i afrohemi vetëm në se jemi në hir të Zotit. Ky bashkim i brendshëm hiri me Jezusin, duhet shprehur pastaj edhe në bashkimin kishtar: në bashkimin me Papën e me ipeshkvijtë si dhe me magjisterin e tyre baritor. Prandaj Eukaristia krijon bashkimin dhe edukon bashkimin!

"Ngjarja kryesore e kremtimit të Darkës së Mbrame të Jezusit me Apostujt të Enjten e Shenjtë të Pashkëve, është dhurata e madhe e Krishtit: përmes flijimit të vetvetes, themelon Eukaristinë. Duke e pasë dashur Kishën e vet, Jezusi e deshi deri në fund të fundit. Natën para se të mundohej e të vdiste mbi kryq, u dha apostujve të vet e, përmes tyre edhe mbarë Kishës, Eukaristinë shenjte. E filloi duke ua larë këmbët. Qe provë e madhe dashurie e përvujtnie. Kështu Jezusi u mësonte apostujve ta donin atë e njëri tjetrin.

Gjatë Darkës, me fjalë solemne që nënkuptonin flijimin e tij të afërt mbi Kryq, Jezusi e shndërroi bukën në korp të vetin e verën, në gjak të vetin e ua dha apostujve ta hanin e ta pinin. E shtoi: "Bëjeni këtë në kujtimin tim!". Dhuronte kështu sakramentin e urdhrit të shenjtë, të meshtarisë. Jezusi i shuguroi meshtarë apostujt e vet, sepse u dha atyre pushtetin për të shuguruar bukën e verën, duke i shndërruar në korpin e gjakun e Tij, për t'ia ofruar pastaj këtë flijim Atit të Amshuar. Prej këndej mund të themi se sonte Kisha adhuroi dhe falënderoi Jezusin për flijimin dhe për Sakramentin e Eukaristisë Shenjte!

Eukaristia, pra, është vendi i privilegjuar, në të cilin Kisha njeh e pranon Autorin e jetës. Duke kremtuar Eukaristinë, komunikojmë me Krishtin, që u flijua për shlyerjen mëkateve të botës, e Ai na dhuron faljen e jetën. Ç’do të ishte jeta jonë e krishterë pa Eukaristinë? Eukaristia është trashëgimia e përhershme dhe e gjallë që na la Zoti në Sakramentin e Korpit e të Gjakut të vet, për të cilën duhet të mendojmë e të thellohemi vazhdimisht me qëllim që, siç pohon Papa Pali VI, “ta ndikojë forcën e vet të pashterrshme në të gjitha ditët e jetës sonë të vdekshme”.

Eukaristia është shujta, që u jepet atyre të cilët, përmes Pagëzimit, janë çliruar nga skllavëria e janë bërë bij. Eukaristia është ushqim i domosdoshëm, që i mban gjallë të gjitha breznitë e krishtera në shtegtimin e gjatë të daljes nga shkretëtira e kësaj bote, të tharë nga sisteme ideologjike dhe ekonomike, që nuk e mbrojnë jetën, por përkundrazi e poshtërojnë; e kësaj bote, në të cilën sundon logjika e pushtetit dhe e pasjes, në vend të logjikës së shërbimit e të dashurisë.

Zoti dëshiron që të gjithë të ushqehen me Eukaristinë. 

Kjo është trashëgimia e përhershme dhe e gjallë që na la Jezu Krishti në Sakramentin e Korpit e të Gjakut të Tij, trashëgimi që duhet rimenduar e rijetuar vazhdimisht me qëllim që, siç pati thënë Papa Pali VI, “Të vulosë me forcën e vet të pashtershme, të gjitha ditët e jetës sonë të vdekshme” (Mësime, V[1967], fq. 779).

Eukaristia u themelua që të bëhemi vëllezër; kremtohet nga Meshtari,  shërbërtor i bashkësisë së krishterë që, nga të huaj, të shkapërndarë e indiferentë njeri ndaj tjetrit, të bashkohemi, të bëhemi të barabartë, miq e shokë;  na u dhurua që, nga një masë apatike, egoiste, nga njerëz të ndarë e në kundërshtim me njëri-tjetrin, të bëhemi një popull i vetëm, popull i vërtetë, besimtar, i dashuruar, me një zemër të vetme e një shpirt të vetëm!”.

Gjatë Darkës së Mbrame me Apostujt Jezusi kryen gjestin themelor, të paralajmëruar që në Kafarnao, kur pati thënë: “Kush ushqehet me korpin tim e pi gjakun tim, ka jetën e pasosur e unë do ta ringjall në ditën e mbrame (Gjn. 6,54)”.

Asokohe kjo shprehje pati shkandulluar e pati larguar shumkënd prej tij, por sonte vihet plotësisht në jetë, përmes pushtetit hyjnor të Krishtit, i cili merr bukën e verën e thotë: “Ky është korpi im, ky është gjaku im. Përsëriteni në rrjedhë kohe çka patë se bëra, çka ju autorizoj të bëni e për çka ju jap pushtet”. Kështu ndodhi ndërmjet nesh mrekullia e pranisë fizike të Jezusit, që do të përsëritet në shekuj.

E ja, pra, o Zot, ne, njerëz të vegjël, që jetojmë në një të imtë kohe, jemi sonte para teje, para misterit të dashurisë sate. Mezi bëlbëzojmë fjalë mirënjohjeje e mrekullimi, por e dimë mirëfilli se ti nuk do fjalë. Do një jetë, e cila ushqehet me ty, me korpin e gjakun tënd, që të përsëritet në shekuj mrekullia e shenjtërisë sate. Detyrë e vështirë, o Zot, ti e di. Do të thotë të jesh i përvujtë. Po ne e vemë veten në qendër të botës e s’lemë gjë pa bërë për të fituar pozitë e pushtet. Jo për të shërbyer, jo! Thjeshtë për t’i shkelur të tjerët e për t’i treguar botës sa na vlen lëkura. Thua mund të përkulemi për t’u larë këmbët ca halabakëve mëkatarë, ne që i shikojmë njerëzit me indiferencë e përbuzje? Duke vështruar pas, gjatë shtigjeve të pafundme të kujtesës, zbulojmë vargonj padurimi, gjykimesh dashakëqija, dënimesh të padrejta, në se nuk u shtohen edhe mllefet, urrejtjet e hakmarrjet.

O Krisht, si dridhet zemra jonë, përballë butësisë sate! Dashuria jote duket si përrallë, përballë vetdashjes sonë, që na verbon aq, sa të mos shikojmë fare se rreth nesh ka edhe të tjerë. O Zot i jetës e i kohës, të lutem më shndërro! Nuk është e lehtë, por për ty s’ ka asgjë të pamundur. Syri yt është ngulur prej kohe mbi mua. Sonte, kur jepje vetveten si ushqim që të shuaje urinë time për dashuri, ndërsa shikoje dishepujt e pranishëm e ua matje fatin, sytë e tu ishin ngulur edhe mbi mua. Për të më nxjerrë nga moria e të paemërve, që enden shekujsh e për të më mësuar të jem zemërbutë e i përvujtë, si ti, o Zot. Ç’shikon në mua? Ç’fat do të kem?

E di se të kam zhgënjyer shumë shpesh, e di edhe se jam tejet larg nga shenjtëria jote. Por, të lutem, o Zot i shpresës, përtërije fenë time e dashurinë time, forcoje shpirtin tim të ligshtë me korpin e gjakun tënd, më zgjidh si një gjë që të përket e dhuroi zemrës sime atë, që i mungon, për të qenë sot e në amshim ndërmjet atyre që i deshe pranë në shtëpinë tënde të pamort!

01 prill 2021, 11:30