Murgeshat në Kongo Murgeshat në Kongo

Tri murgesha të vdekura në Kongo nga ebola, ndër të nderuarit e rinj të Kishës

Në dekretet e autorizuara sot nga Papa, u njihen virtytet heroike shtatë figurave shembullore, duke përfshirë një kryeipeshkëv, tre meshtarë dhe tri murgesha të Kongregatës së Varfanjakeve, të cilat ndërruan jetë në vitin 1995, ndërsa ndihmonin pacientët me ethe hemorragjike

R.SH. - Vatikan

Sot, Papa Françesku priti në audiencë kardinalin Marcello Semeraro, prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve. Gjatë audiencës, Ati i Shenjtë e autorizoi Kongregatën të shpallë dekretet për gjashtë Shërbëtorë të rinj të Zotit, të cilëve iu njohën virtyte heroike. Ata janë:

         Mercurio Maria Teresi, kryeipeshkëv i Monreales, në Itali; lindi më 10 tetor 1742 në Montemaggiore Belsito dhe vdiq në Monreale më 18 prill 1805. E kaloi jetën e tij si misionar në Siçili, duke e çuar Fjalën e Zotit në çdo cep të ishullit. Më pas, u emërua në krye të dioqezës së Monreales, ku përfundoi jeta e tij tokësore.

         Cosma Muñoz Pérez, meshtar dioqezan spanjoll, themelues i Kongregatës së Bijave të Mbrojtjes së Shën Marisë; lindur në vitin 1573 në Villar del Rio dhe vdekur në Kordoba, Spanjë, më 3 dhjetor 1636.

Salvatore Valera Parra, meshtar dioqezan, edhe ai spanjoll, lindur më 27 shkurt 1816 në Huércal-Overa dhe vdekur po aty më 15 mars 1889.

Leo Veuthey, në shekull Klodoveo, meshtar i Urdhrit të Fretërve të Vegjël Konventualë, lindur më 3 mars 1896 në Dorénaz, Zvicër dhe vdekur në Romë, më 7 qershor 1974.

Annelvira Ossoli, italiane, e njohur si Celeste Maria, murgeshë e Kongregatës së Motrave Varfanjake - Instituti Palazzolo; lindur më 26 gusht 1936 në Orzivecchi, në provincën e Brescia-s dhe vdekur në Kikwit, në Republikën Demokratike të Kongos, më 23 maj 1995.

Vitarosa Zorza, në shekull Maria Rosa, murgeshë e Kongregatës së Motrave Varfanjake - Instituti Palazzolo; lindur më 9 tetor 1943 në Palosco, në provincën e Bergamos dhe vdekur në Kikwit, në Republikën Demokratike të Kongos, më 28 maj 1995.

Danielangela Sorti, e njohur si Anna Maria, murgeshë e Kongregatës së Motrave Varfanjake - Instituti Palazzolo; lindur më 15 qershor 1947 në Bergamo dhe vdekur në Kikwit, Republika Demokratike e Kongos, më 11 maj 1995.

Të infektuara nga virusi i Ebolës

         Tri rregulltaret e fundit humbën jetën në Republikën Demokratike të Kongos në maj 1995, për shkak të virusit Ebola, vetëm me disa ditë diferencë. Në prill, përveç shumë të prekurve nga epidemia, Motrat Varfanjake patën viktima edhe ndërmjet vetë murgeshave, tri prej të cilave tashmë shpallen Shërbëtore të Zotit. Emblematike historia e motrës Annelvira, e cila, kur dëgjoi për përhapjen e sëmundjes, nuk hezitoi të bënte 500 km rrugë të vështira, për t’u qëndruar pranë të sëmurëve. Disa ditë më vonë, filloi të ndiente ethe dhe iu shfaqën simptomat e sëmundjes. U izolua bashkë me dy murgeshat e tjera, edhe ato të infektuara. Motra Annelvira, ashtu si murgeshat, që kishin humbur jetën në ditët e mëparshme, kërkoi të rezervohej plazma e saj për t’u bërë transfuzion gjaku fëmijëve, që kishin më shumë nevojë për të.

18 mars 2021, 16:28