Armë bërthamore Armë bërthamore 

Të promovohet çarmatimi gjatë pandemisë, në një webinar të Selisë së Shenjtë

Një vit pas deklaratës së Papës Françesku dhe të Sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara mbi armëpushimin, liderë fetarë dhe bashkëpunëtorë shkencorë, që merren me temën, do të takohen online të martën e ardhshme. Do të flasë, në këtë takim, edhe sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, si dhe kardinajtë Turkson, Koch, Ayso Guixot e Tomasi.

R. SH. - Vatikan

Të reflektojnë mbi përpjekjet për promovimin e ndalimit global të zjarrit dhe ndalimit  të prodhimit e të përhapjes së armëve, një vit pas deklaratës së Papës Françesku dhe Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, mbi temën. Ky, objektivi i ngjarjes “Advancing integral disarmament in times of pandemic” (Të shkojë përpara çarmatimi i gjithanshëm në kohën e pandimisë), që do të mbahet  online të mërkurën, 23 mars, në orën 15.00, promovuar nga Dikasteri për Shërbimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor dhe Komisioni Vatikanas COVID-19, në bashkëpunim me Strategic Concept for the Removal of Arms and Proliferation(SCRAP) të SOAS University of London.

Tri seanca pune online

Në webinarin, që do të mbahet në gjuhën angleze e do të mund të ndiqet në kanalin YouTube të Dikasterit, do të marrin pjesë përfaqësues fetarë dhe bashkëpunëtorë shkencorë, për t’i ofruar bashkësisë ndërkombëtare dhe liderëve fetarë - lexohet në një komunikatë të Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë - mundësi konkrete për të ndjekur udhën e çarmatimit të gjithanshëm, si përgjigje që i jepet enciklikës Fratelli Tutti. Takimi do të zhvillohet në tri seanca.

E para, që do t’i kushtohet paraqitjeve institucionale, do të hapet nga kardinali Peter Turkson, prefekt i Dikasterit për Shërbimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor e do të pasurohet me një videomesazh të kardinalit Pietro Parolin, Sekretar i Shtetit Papnor dhe të profesor Dan Plesch, drejtor i Centre for International Studies and Diplomacy pranë SOAS University of London.

E drejta ndërkombëtare dhe dialogu fetar

E dyta, parashikuar rreth orës 16.00, do të merret me çështjen e së drejtës ndërkombëtare dhe metodave konkrete për të vijuar çarmatimin. Studiues e aktivistë të bashkësisë së çarmatimit do të shkëmbejnë përvojën e tyre, për të arritur, më pas, në përfundime, që do t’i besohen imzotit Ivan Jurkovič, Vëzhgues i Përhershëm  i Selisë së Shenjtë  pranë Kombeve të Bashkuara të Gjenevës.

Pjesa e tretë do të vërë në dukje rolin jetik që ka dialogu ekumenik ndërfetar për promovimin e paqes e të çarmatimit. Do të marrin pjesë kardinali Kurt Koch, Kryetar i Këshillit Papnor për Promovimin e Bashkimit të të Krishterëve; kardinali Miguel Ayuso Guixot, kryetar i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar; kardinali Silvano Maria Tomasi, Delegat i Posaçëm për Urdhërin Sovran të Maltës, përfaqësuesit e konfesioneve të krishtera e të feve të tjera. Mbyllja do t’i besohet imzotit Bruno Marie Duffé, Sekretar i Diskaterit për Shërbimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor, ndërsa Seancat do të drejtohen nga doktor Alessio Pecorario, koordinator i task forcës së Komisionit vatikanas Covid-19 për sigurimin.

Mbështetja e Kuries Romake

Kujtohet, më në fund, se ngjarja organizohet me ndihmën e institucioneve të Kuries Romake, ndërmjet të cilave, Këshillat për Dialogun Ndërfetar e për Nxitjen e Bashkimit të të Krishterëve dhe të Simpoziumit të Konferencave Ipeshkvnore të Afrikës e Madagaskarit. Japin ndihmesën për nismën edhe  Pax Christi InternationalCatholic Peacebuilding Network, Catholic University of America Institute for Policy Research e Berkley Center for ReligionPeace and World Affairs i Georgetown University.

22 mars 2021, 16:22