Krishti me kryq Krishti me kryq 

Shtohen në botë katolikët: janë 1 miliard e 345 milionë

Ndërmjet 2018-tës e 2019-tës të pagëzuarit arrijnë në 17,7% të popullsisë botërore. Në të njëjtën periudhë, shtohen meshtarët, por pakësohen seminaristët, rregulltarët e rregulltaret. Rritet, ndërkaq, numri i diakonëve. Janë gati 50 mijë

R. SH. - Vatikan

Nga viti 2018, në botë numërohen 16 milionë katolikë më shumë.  E lexojmë këtë të dhënë në Vjetarin Papnor 2021 e në Vjetarin e Statistikës së Kishës, botuar nga Tipografia Vatikanase, këto ditë, në libraritë.

Janë një miliard e 345 milionë, katolikët e regjistruar në përfundim të vitit 2019, baras me 17,7% të popullsisë botërore. Analiza gjeografike e ndryshimeve në dyvjeçarin 2018-2019 flet për një rritje prej 3,4% në Afrikë, 1,3% në Azi, 1,1% në Oqeani e 0,84% në Amerikë, ndërsa në Evropë ndjehet një rënie e lehtë. Në 3.026 Rrethe Kishtare, në përfundim të vitit  2019, numërohen 5.364 ipeshkvij, duke nisur nga Amerika dhe Evropa, që vijojnë të përfaqësojnë 68,8% të tërësisë botërore, ndjekur nga Azia (me 15,2%), Afrika (13,4%) e Oqeania (2,6%). Ndërsa në fund të vitit 2020, nga Vjetari Papnor  mësojmë se u themeluan 2 seli metropolitane e 4 seli ipeshkvnore (2 dioqeza e 2 heparki), se 2 dioqeza u lartuan në seli metropolitane e 2 prelatura territoriale dhe 1 vikariat apostolik, në dioqeza.

Shtohet numri i meshtarëve, por jo ai i thirrjeve meshtarake

Rritet, në dyvjeçarin 2018-2019, numri i priftërinjve. Janë gjithësejt 414.336 - 271 më shumë. Përballë shtimit të dukshëm të numrit në Afrikë e Azi, me 3,45% e 2,91%, në Evropë e në Amerikë ndjehet rënie, përkatësisht me 1,5% dhe rreth 1%. Afrika dhe Azia kontribuojnë me 28,9%, ndërsa Oqeania mbetet me 1,1%. Evropa e pakëson ndjeshëm përqindjen e saj: në vitin 2018, 170.936 priftërinjtë evropianë përfaqësonin pothuajse 41,3% të tërësisë së grupit kishtar, ndërsa një vit më pas zbresin në 40,6%. Pakësohet ndjeshëm edhe numri i thirrjeve për rrugën meshtarake.  Kandidatët për meshtarë në planet kalojnë nga 115.880 në  2018-tën, në 114.058, në 2019-tën,  me një rënie prej 1,6%. Në Evropë variacioni është  -3,8%, në Amerikë -2,4%, e në Azi, -2,6%. Ndërsa në Afrikë numri i seminaristëve të mëdhenj, gjithnjë në dyvjeçarin në shqyrtim, kalon nga 32.212 - në 32.721 kandidatë, ndërsa në Oqeani, në vitin 2019, rezulton 5,2% më i paktë në krahasim me një vit më parë. Kontinenti me numrin më të madh të seminaristëve është Azia (33.821), e ndjekur nga Afrika (32.721), Amerika (30.664), Evropa (15.888) e Oqeania (964). Popullata e diakonëve të përhershëm, ndërkaq, vijon ta rrisë në mënyrë inkurajuese numrin: shtohen, në 2019-tën, 1,5%. Nga 48.238 diakonët në 5 kontinentet, në Amerikë e në Evropë  regjistrohen 1,2% më shumë, ndërsa në Oqeani janë 481.

Pakësohet numri i rregulltarëve jo meshtarë

Pakësohet edhe numri i rregulltarëve jo meshtarë, me kushte të përhershme: në vitin 2018 ishin 50.941, në 2019-tën zbresin në 50.295. Evropa e Amerika, në vitin 2019, mbeten gjithnjë zonat me numër më të madh të rregulltarëve jo meshtarë, përkatësisht 14.038 e 13.735. Edhe numri i  rregulltareve me kushte të përjetshme është në rënie.  Në nivel global kalojnë nga 641.661, që ishin në 2018-tën, në 630.099, në 2019-tën, me një rënie relative prej 1,8%. Por ndërsa Afrika është kontinenti me rritje më të madhe të numrit, me +1,1% -  domethënë, me 76.219 rregulltare në 2018-tën e 77.054 në 2019-tën - e jug-lindja aziatike regjistron një rritje prej 0,4% (nga 170.092 – në 170.754 rregulltare me kushte të përhershme) në tri zonat e tjera të Kontinetit numri vijon të tkurret. Në Amerikë rregullaret me kushte kalojnë nga 160.032, në 154.717; në Evropë, nga  224.246 në 216.846 e në Oqeani, nga 6.999 a 6.718.

26 mars 2021, 11:17