Messaggio unicef, Acqua è vita, povertà, bambina Messaggio unicef, Acqua è vita, povertà, bambina  

Papa: "uji" nuk është mall tregu, po simbol e burim i jetёs

Papa: "Për ne besimtarët, "uji" nuk është mall tregu: është simbol universal dhe burim i jetës dhe shëndetit. Shumë vëllezër dhe motra kanë pak ujë e ndoshta edhe të ndotur! Prandaj ёshtë e nevojshme t’u sigurohet të gjithëve uji i pijshëm dhe shёrbimet higjienike”.

R.SH. - Vatikan

“Për ne besimtarët, "uji" nuk është mall tregu: është simbol universal dhe burim i jetës dhe shëndetit. Shumë vëllezër dhe motra kanë pak ujë e ndoshta edhe të ndotur! Prandaj ёshtë e nevojshme t’u sigurohet të gjithëve uji i pijshëm dhe shёrbimet higjienike”. #WorldWaterDay. Kёshtu pohon Papa Françesku nё njё tweet, sot mё 22 mars, botuar nё @Pontifex, me rastin e Dita Botërore tё Ujit (OKB).

Kardinali Parolin video-mesazhi për ditën botërore të ujit

"Për të siguruar qasje të barabartë në ujë, është njё domosdoshmëri jetike të veprohet pa vonesë, për t’u dhanё fund  shpërdorimeve, tregtive dhe ndotjeve.  Sot ёshtё më i nevojshëm se kurrë bashkëpunimi midis Shteteve, midis sektorit publik e privat, si dhe rritja e iniciativave nga organet ndërqeveritare pёr t’u siguruar tё gjithёve ujin". Kёshtu pohoi Kardinali Pietro Parolin në emër të Papës në një videomesazh për Ditën Botërore të Ujit.

Uji ёshtё pasuri e përbashkët botërore, jo mall

Uji është një e drejtë universale për t’u mbrojtur në nivelin ndërkombëtar e vlerësuar përmasa shpirtërore e jo vetëm ajo ekonomike. Para së gjithash, duhet të themi se uji është thelbësor për jetën e për natyrën e vet, nuk mund të trajtohet si një mall i çfarëdoshëm, përdorimi i tij duhet të jetë racional e solidar. Pra, uji ёshtё pasuri e përbashkët botërore, jo mall. Na kujton kёtё Papa dhe Kisha katolike duke theksuar të drejtën për ujë të të gjithëve, sidomos të atyre njerёzve, që jetojnë në kushte varfërie, e vё në dukje vlerën “shpirtërore” e “simbolike”, që i japin fetë ujit; e trajton ujin si faktor themelor për zhvillimin. Administrimi i keq i ujit, sjell keqësimin e kushteve të jetesës sё miliarda njerёzve. Prandaj sot duhet të gjenden forma të reja bashkëpunimi ndërmjet vendeve, ndёrmjet sektorit publik dhe atij privat për të plotësuar nevojën për ujë në botë.

Sot nevojitet njё kontribut për një kulturë tjetër dhe tё re tё trajtimit të ujit. Uji është jetë, pa ujin nuk ekziston as jeta. Pastaj uji na kujton një mori vlerash: nevojën për jetën fizike, por edhe atё shpirtërore; forcën e ripërtëritjes për t’i bërë ballë lodhjes; na kujton edhe vlerën e vërtetësisë, që do të thotë transparencë, kthjelltësi, pastërti njerëzore e shpirtërore. Kёshtu, kur bёhet fjalё pёr ujin, nuk mund të pajtohemi kurrë me gjithçka që ndot, në shoqëri, mjedis dhe në jetë, sepse uji ka një rol themelor në zhvillimin e popujve.

Mëse një miliard vetë në botë sot nuk kanë ujë të pijshëm. E dinë mirë këtë edhe shqiptarët, të cilët, nё shumё zona, e kanë akoma ujin me orar e jo gjithnjë me cilësi të mirë. E sipas Organizatës për Bashkëpunimin dhe Zhvillimin Ekonomik, kërkesa për ujë do të rritet me 55% deri në vitin 2050.

Uji ka rol themelor në zhvillimin e popujve

Selia e Shenjtë kёrkon të kalohet nga fjalët tek veprat, sepse uji ka një rol themelor në zhvillimin e popujve. Përgjegjësia e parë për ujin i takon shoqërisë civile, sepse uji është pronë e përbashkët, pasuri publike. Për arritjen e qëllimeve të saj, shoqëria civile organizon bashkësinë politike, e cila merret me administrimin e pasurisë së përbashkët. Por, nëse përfaqësuesit politikë nuk e administrojnë mirë këtë pasuri, nuk e shpërndajnë në mënyrë të barabartë, atëherë, shoqëria civile duhet të mobilizohet e ta nxisë politikën të respektojë të drejtat e të gjithëve, në këtë rast, të drejtën për të pasur ujë të pijshëm. Edhe nëse shpërndarja e ujit dhe administrimi i tij bëhet nga privatë, është e nevojshme që ata të kontrollohen e të orientohen, duke marrë parasysh kërkesat e së mirës së përbashkët.

Uji pasuri që gjindet rrallë

I njohur nga OKB-ja si e drejtë njerëzore universale, uji mbetet pasuri, që gjindet gjithnjë më rrallë në nivel planetar. Aktualisht rreth 2 miliard njerëz në botë nuk mund t’i plotësojnë nevojat e tyre për ujë të pijshëm. Ndryshimet klimaterike, por edhe shkapërderdhjet, që nuk mungojnë, kanë krijuar një situatë dramatike e cila, në vitin 2050, mund të rrezikojë 5 miliard jetë njerëzore. E ari blu vijon të jetë edhe sot e kësaj dite në qendër të konflikteve të armatosura dhe atyre ekonomike, për kontrollin e burimeve. Situatë, që mund të  ndryshojë me strategji efikase në luftën kundër ndryshimeve klimaterike, por edhe me përpjekje për ta sanksionuar konkretisht të drejtën njerëzore për të pasur ujë të pijshëm, domethënë, jetë

Pёr kёtё Selia e Shenjtë kërkon edhe një qeverisje ndërkombëtare, e cila duhet të parashikojë kontrollin e impenjimeve të marra nga shtetet, fuqizimin e bashkëpunimit në planin shkencor, teknologjik e administrativ, krijimin e autoriteteve përkatëse në nivel rajonal dhe ndërkufitar, ngritjen e gjykatave për denoncimet e mundshme dhe fuqizimin e agjencisë së OKB-së për mbrojtjen e ambientit, UNEP.

22 mars 2021, 13:22