Sacra Famiglia, Gesù, Giuseppe e Maria Sacra Famiglia, Gesù, Giuseppe e Maria 

Festa e Shën Jozefit, fati i së Lumes Virgjër Mari, Pajtor i Kishës universale

Shën Jozefi i bindet fjalës së engjëllit, njeri i heshtur, i dëgjueshëm. Shën Jozefi është njeri, që mund të na thotë shumë gjëra, por që nuk flet! Është njeri, që nuk flet, por bindet, njeri i dhembshur e i aftë për t’i çuar përpara premtimet, që të bëhen të qëndrueshme, të sigurta; njeri që garanton qëndrueshmërinë e Mbretërisë së Zotit, atësinë e Zotit, bijësimin tonë me Birin e Zotit.

R.SH. - Vatikan

Më 19 mars Kisha katolike kremton Shën Jozefin, fat i Virgjërës Mari dhe Pajtor qiellor i Kishës universale.

Sipas traditës, në festën e atit të adoptuar të Jezusit, kremtohet edhe festa e baballarëve. Shën Jozefi ishte njeri i drejtë, zbatues i ligjit, me profesion marangoz, që vuajti dramën e amësisë së mistershme hyjnore të Marisë. I lajmëruar nga Zoti në ëndërr, Jozefi e pranoi me fe planin e Hyjit. 40 ditë pas lindjes së Jezusit, Jozefi me Marinë e çuan foshnjën Hyjnore në Jeruzalem për ta paraqitur në tempull e atje takuan plakun Simeon, i cili parafoli një ardhmëri të vështirë e të mistershme për këtë fëmijë. 

Jozefi e dëgjoi dhe i besoi përsëri Zotit. Kur Jezusi mbushi 12 vjet, prindërit e morën me vete në shtegtim drejt Jerusalemit; e ja se në kthim e sipër, pa i njoftuar, Jezusi u ndalua në qytet. E ëma e pyeti pse ua kishte shkaktuar këtë pakënaqësi e Jezusi u dha një përgjigje që as Maria e as Jozefi nuk e kuptuan. E Jozefi uli kokën e u bind. Ky pra është Shën Jozefi: një besimtar që e ka lëshuar plotësisht vetveten në duart e Zotit. Nganjëherë të krijohet përshtypja se figura e Shën Jozefit mbetet paksa e fshehur në hagjiografinë klasike. 

Për Shën Jozefin Ungjijtë dokumentojnë vetëm heshtjen e kjo po, është e jashtëzakonshme. Nënshtrim absolut para vullnetit të Zotit, lëshim i plotë i vetvetes në dorën e Zotit, bindje absolute përballë planit hyjnor të shëlbimit, edhe në gjërat më të natyrshmet, siç është dëshira e atësisë natyrore. Në këtë Jozefi ishte plotësisht heroik e gati gati i parapriu përgjigjes “Po, o Atë!” që do të jepte Jezusi. 

Koncili II i Vatikanit ia ka kushtuar kapitullin V të Kushtetutës mbi Kishën ku flitet për thirrjen e të gjithë të pagëzuarve për të ecur në rrugën e shenjtërisë. E Papa Gjon Pali II, në Letrën apostolike Tertio Millennio adveniente, propozoi një punë baritore të zakonshme për promovimin e shenjtërisë. Me fjalën shenjtëri nënkuptonte dhuratën për të jetuar çdo ditë si bij të Zotit, duke bërë vullnetin e Atit. Shën Jozefi jetoi pikërisht kështu. E jetoi me besnikëri të jashtëzakonshme jetën e zakonshme që i kishte caktuar Zoti. 

Baballarët e sotëm mund të nxjerrin shumë mësime nga figura e Shenjtit. Duhet të mësojnë sidomos se bijtë janë dhuratë e madhe e Zotit, se duhen dashur e nuk duhen zotëruar. Kanë nevojë absolute për ndihmë gjatë rritjes, por gjithnjë duke respektuar lidhjen e tyre me Zotin e me vullnetin e Tij. Në një farë pike, Jozefi zhduket: ndër Ungjijtë mbetet vetëm Jezusi. Kjo është edhe metafora e atit që pak nga pak u jep bijve pavarësinë. Madje, duhet t’i ndihmojë që kjo pavarësi të arrihet sa më mirë që të jetë e mundur.

19 mars 2021, 09:53