Motër Nuria Calduch-Benages, sekretarja e re e Komisionit Papnor Biblik Motër Nuria Calduch-Benages, sekretarja e re e Komisionit Papnor Biblik

Është murgeshë, sekretarja e re e Komisionit Papnor Biblik

Pedagoge në Universitetin Papnor Gregorian, prej kohësh, eksperte e Shkrimit Shenjt, murgesha spanjolle Nuria Calduch-Benages e Misionareve të Familjes Shenjte të Nazaretit, emëruar nga Papa Françesku, është gruaja e parë, në pozitën e sekretares së Komisionit Papnor Biblik. Ajo ka marrë pjesë në punimet e Komisionit të Studimit për diakonatin e grave

R.SH. - Vatikan

Prani e re femërore ndërmjet përgjegjësve institucionalë të nivelit të lartë të Selisë së Shenjtë. E emëruar sot nga Papa Françesku, motër Nuria Calduch-Benages, rregulltare nga Barcelona, bëhet sekretarja e re e Komisionit Papnor Biblik, gruaja e parë në këtë pozitë. Murgesha e Misionareve të Familjes Shenjte të Nazaretit hyri në Vatikan për herë të parë në vitin 2014 dhe u rikonfirmua janarin e kaluar për një periudhë të re 5-vjeçare, deri më 2025.

Prestigjioze, karriera e saj si studiuese biblike. Që prej 10 vitesh, pas një sërë përvojash të mëparshme, motra është pedagoge në Universitetin Papnor Gregorian, ku jep mësime mbi Besëlidhjen e Vjetër. Ndër detyrat e tjera, gjejmë atë të pedagoges së jashtme në Institutin Papnor Biblik të Romës, atë të bashkëpunëtores në Federatën Biblike Katolike, atë të anëtares në redaksinë e revistave të specializuara, si për shembull, në Komitetin Shkencor të revistës “Historia e Grave” (Universiteti i Firences) dhe në serinë “Tesis y Monografías” publikuar nga Shtëpia botuese “Fjala Hyjnore” (Estella). Në vitin 2008, murgesha spanjolle mori pjesë si eksperte në Sinodin kushtuar Fjalës së Zotit, ndërsa në vitin 2016 Papa Françesku i kërkoi të bënte pjesë në Komisionin e Studimit për diakonatin e grave (2016-2019).

10 mars 2021, 13:14