2020.06.10 - Corpus Domini - Eucaristia 2020.06.10 - Corpus Domini - Eucaristia

E Mërkura e Madhe e Shenjtë e Pashkëve!

Krishti përgatitet për aktin e fundmë të jetës së tij. Është koha për të zgjedhur rrugën. Thërret dy dishepuj të besuar dhe i nis tek shtëpia e shtëpia e një miku, që të përgatisin gjithçka duhet për kremtimin e Darkës së Mbrame të Pashkëve. Nuk i bën zë Judës... Pranoje, o Jezus, ti shëlbimi ynë, vullnetin e mirë të qëllimeve tona; na i fal mijëra ligështitë që na largojnë nga ti: duam të ecim përkrah teje e të përgatisim me ty, në ditën e mundimeve, gëzimin e pamort të ringjalljes.

R.SH. - Vatikan

E Mërkura e Madhe e Shenjtë e Pashkëve! Krishti përgatitet për aktin e fundmë të tragjedisë së tij. Është koha për të zgjedhur rrugën. Thërret dy dishepuj të besuar e i nis tek shtëpia e një miku, që të përgatisin gjithçka duhet për kremtimin e Darkës së Mbrame të Pashkëve. Nuk i bën zë Judës, ndonëse ai e ka për detyrë të mendojë për nevojat materiale të grupit të vogël. Por tani, jo! Ai e ka zgjedhur tashmë rrugën e vet: “Sa po më jepni, për t’jua shtënë në dorë?”. Juda e shiti Krishtin për 30 aspra (dinarë) argjendi, ose ndoshta, thjesht sepse e kishte inat, se qe zemëruar me të, se ishte zhgënjyer, se nuk ia përmbushte interesat.

E tani, në çastin vendimtar, lihet mënjanë. Të duket sikur njeriu mund ta përjashtojë Zotin nga jeta e vet, pa i ndryshuar fare zakonet, pa pyetur se ka edhe një të ardhme, nga e cila mund të pritet gjithçka. I duket se mund të tradhtojë pa kurrfarë pasoje. Por gënjehet, e rëndë. Do të vijë gjithnjë çasti, kur do të lihet mënjanë, i përjashtuar nga vepra e Shëlbimit, që vijon të zhvillohet në botë e që pranon vetëm shpirtra fisnikë në planin e palodhshëm e të pashqyrtueshëm të të Gjithëpushtetshmit Hyj. Kush tradhton, ndjek fatin e të përjashtuarve. Si Juda.

I kishte dhënë tashmë shenjat e zemërimit që i ziente në shpirt. Pak ditë më parë Jezusi kthehej nga Betania. Pas ringjalljes së mikut të tij, Lazrit, kishte shkuar në një qytet aty pranë, për të shpëtuar nga emocionet e jashtëzakonshme e nga kurthet, që i ngriheshin për shkak të pushtetit për të bërë mrekulli. Tani po shkonte në Jerusalem, për të kryer aktin e fundit të misionit të shpëtimit të mbarë njerëzimit, sepse një profet nuk mund të vdesë jashtë Jerusalemit. Rrugës është oazë, Betania.

Lazri e motrat e tij, Marta e Maria, e kanë ftuar Jezusin në shtëpi, në një festë plot mirënjohje, miqësi e dashuri. Disa herë e patën strehuar e shujtuar në prehjet e shkurtra gjatë shtegtimeve të tij pa fund, e herë të tjera, në orë afërsie shpirtërore, i patën forcuar gjithnjë më shumë lidhjet e miqësisë. Po tani është një rast krejt i veçantë: ata duan të shprehin të pashprehshmen, sepse e pashprehshme ishte ajo që ndodhi, ajo që panë, që provuan. E kush tjetër, veç tyre, kishte kaluar ashtu nga dhimbja e vdekjes, në galdimin e jetës? Kush e kish bërë ndonjëherë shtegtimin e papërfytyrueshëm nga një varr i vulosur, në dritën e diellit, i thirrur nga një, që ka fuqi t’i bërtasë të vdekurit: “Dil jashtë!”.

Tani ky njeri i dalë nga varri, Lazri pra, është aty, në shtëpinë që kanë nisur ta quajnë ‘shtëpia e të ringjallurit’, pranë familjarëve, të çmendur nga gëzimi.

Gostia është madhështore. Marta, e përqendruar krejtësisht në drejtimin e kuzhinës, nuk e qorton më motrën, Marinë, që e ka lënë vetëm, si tjetër herë. Në këtë ditë të jashtëzakonshme rrethohet nga miqtë, gati për ndihmë. Po ajo, në kulmin e gëzimit, nuk mund t’ia besojë askujt gatimin e kësaj darke për Krishtin, ku dëshiron të shkrijë gjithë mjeshtërinë e vet.

Maria, si gjithnjë, është larg nga këto shqetësime. Nuk është gatimi, por dashuria e miqësia që s’e lënë të qetë. Do të dëshironte ta shkulte zemrën nga kraharori e t’ia dhuronte Mësuesit, që rri në krye të sofrës me mirësinë e zakonshme, në sa vështrimi i tij përfshin horizontet, ku syri i të tjerëve s’arrin. Mari do të dëshironte ta shoqëronte Jezusin në këtë vetmi të pacak. Merr, prandaj, një enë me parfum të çmuar. Është simboli më i gjetur i fjalëve të mbyllura në zemër, që goja s’mund t’i thotë: thyen enën e derdh vajin erëmirë mbi këmbët e Jezu Krishtit. Dashuria e saj është plot respekt, por në këtë çast nuk mund të mos japë një shenjë personale të kësaj dashurie pa fund. Prandaj zhdredh gërshetat e gjata e i përdor flokët, që i derdhen supesh, në vend të peshqirit. Peshqir i gjallë, i ngarkuar me ndjenjat më të ngrohta njerëzore.

Juda, i pranishëm në këtë skenë, si dishepulli Jezu Krishtit e mik i familjes, e shikon e sytë i vetëtijnë nga lakmia, nga inati, nga smira. Nuk është në gjendje ta kuptojë këtë çast kaq të jashtëzakonshëm. Mermerin, tërë mllef, se i duket shpërdorim. Njerëzit e mbrapshtë nuk mund ta kuptojnë dashurinë e vërtetë, flijimin e vërtetë. U duket shpërdorim. E, për ta fshehur gjithnjë këtë mllef, shtohet se i vjen keq për të varfrit. Shpirtrat e ultë mundohen gjithnjë t’i fshehin pas fjalëve të fisme, planet e tyre mashtruese.

Po Jezu Krishti i dëgjon këto fjalë të helmatisura e  ndjen sa lëndohet ajo që, e strukur tek këmbët e tij, nuk e ngre fare kokën, sepse aty ka gjetur strehë.

“Mos e trazoni – thotë me trishtim . në se dëshironi të bëni mirë, do të gjeni mijëra raste. Profumi i saj paralajmëron një tjetër vaj erëmirë, që do të derdhin mbi mua pas pak ditësh, në çastin kur do të më kallin në varr”.

Ja, ky ishte mendimi që fshihte pas vështrimit të përhumbur, mendimi që shpërthen tani në zemrën e Marisë, që i trondit gostarët.

Jezu Krishti e kujton skenën e varrosjes së vet, pak ditë para se të zbresë në varr. E tani duhet të përgatisë Pashkën e Mbrame judiake, të parën Pashkë të krishterë: prandaj nuk mund të ngarkojë Judën me një detyrë kaq të jashtëzakonshme. Ngarkon Pjetrin e Gjonin, njerëz të varfër, por që e duam me gjithë zemër, që e ndjekin besnikërisht deri në fund të fundit.

E edhe ne, Jezus dëshirojmë të jemi të varfër, të jemi besnikë e plot dashuri: po ditët e gjata të pabesisë sonë peshojnë rëndë, janë përplot me brerje të ndërgjegjes, me raste të humbura. Edhe ne, si dishepulli i pabesë, jetuam pranë teje, dëgjuam fjalën e së vërtetës, pamë si dikove mbi jetën tonë, hirin tënd përdëllyes.

Por tepër shpesh nuk të kuptuam, të zënë siç ishim me punët tona të vogla njerëzore, me interesat mjerane, me lakmitë e kënaqësitë tona, që s’janë Tuajat. Ndoshta edhe ne të tradhtuam!

Po tani të lutemi, mos na lërë mënjanë, na prano pranë Marisë! Do të mësojmë prej saj si ta shprehim pa droje dashurinë e të ecim pas Teje në këtë orë tragjike, larg mashtrimeve e tradhtive. Ndoshta Maria e miqtë e tjerë nuk e kuptonin atë çast misionin tënd shëlbues, por ishin me ty, përkrah teje, sepse të donin.

Pranoje, o Jezus, ti shëlbimi ynë, vullnetin e mirë të qëllimeve tona; na i fal mijëra ligështitë që na largojnë nga ti: duam të ecim përkrah teje e të përgatisim me ty, në ditën e mundimeve, gëzimin e pamort të ringjalljes.

31 mars 2021, 09:12